E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shefer: “NATO-ja, gati për t’u hapur dyert anëtarëve të rinj”

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s ka shprehur inkurajimin e tij për Kroacinë, Shqipërinë dhe Maqedoninë për bashkimin me bllokun. Ai ka theksuar se shpresonte që këto vende të merrnin një ftesë për anëtarësim në samitin që do të zhvillohet në prill. “Është e rëndësishme që ne të krijojmë një dinamikë të re në rajon”, -
ka thënë Shefer në konferencën për sigurinë që u zhvillua në qytetin gjerman Mynih, duke iu referuar Ballkanit. “Për këtë arsye, unë shpresoj se në Bukuresht ne do të jemi gati t’u hapim dyert e NATO-s anëtarëve të rinj nga ky rajon”, - ka shtuar Shefer, duke iu referuar samitit që do të mbahet në kryeqytetin rumun nga 2 deri më 4 prill. Aleatët e NATO-s aktualisht po studiojnë dokumentet e aplikimit të tre vendeve që duan të anëtarësohen, të cilët duhet të plotësojnë një varg kushtesh ushtarake dhe demokratike. Diplomatët kanë deklaruar se Kroacia duket më afër plotësimit të kushteve sesa dy vendet e tjera, por ata kanë theksuar se asnjë vendim nuk është marrë ende nga 26 vendet anëtare të Aleancës. Ministri gjerman i Mbrojtjes, Franz Jozef Jung, në këtë konferencë u shpreh se ai ishte “optimist për perspektivën që Kroacia të anëtarësohej dhe se ndoshta ka shpresa edhe për Shqipërinë dhe Maqedoninë”. Ndërsa kandidati republikan për president i Shteteve të Bashkuara, Xhon Mekein, gjatë një deklarate të lëshuar dje në Mynih është shprehur hapur si për zgjerimin e NATO-s, ashtu edhe për pavarësinë e Kosovës. “Ka ardhur koha që ta nxjerrim Ballkanin, si dhe Kosovën së bashku me të, nga e kaluara e viteve ‘90 në drejtim të shekullit XXI, duke e njohur pavarësinë e saj”, - ka shkruar senatori amerikan Mekein në deklaratën e lëshuar me rastin e Konferencës së Mynihut. Në deklaratën e tij, Mekein u shpreh pro zgjerimit të NATO-s. “Samiti i Bukureshtit ofron një mundësi të mirë për të ankoruar demokracinë dhe qëndrueshmërinë në vendet fqinje, duke pranuar në Aleancën tonë Shqipërinë, Kroacinë dhe Maqedoninë”. Mekein është shprehur se këta tre aspirantë të NATO-s e kanë demonstruar me reforma konkrete se janë të gatshëm për ditën e pranimit.
Kandidati për president Mekein i ka bërë thirrje NATO-s për të ftuar Kroacinë, Shqipërinë dhe Maqedoninë të bëhen pjesë e Aleancës Euroatlantike në samitin e Bukureshtit që do të zhvillohet në prill.

11 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›