Ristani: “Do ti djegim fletët e votimit brenda muajit gusht”
Kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, është shprehur dje se KQZ-ja do t’i djegë fletët e votimit brenda muajit gusht, duke respektuar në këtë mënyrë një dispozitë ligjore. Sipas tij, ligji imponon vetëm një rrugë për çështjen e kutive të votimit: dërgimi i materialeve zgjedhore në arkiv dhe djegia e fletëve dhe kundërfletëve. Ristani tha se propozimi i PS-së për zbardhjen e materialit zgjedhor dhe dërgimin e çështjes së hapjes së kutive të votimit për rinumërim në Komisionin e Venecias është një zgjidhje jashtë kuadrit ligjor. “I vetmi veprim që kryhet nga KQZ-ja është hapja e kutive të votimit, seleksionimi i dokumentacionit që ndodhet në kutinë e materialeve zgjedhore, dërgimi i tij në Arkivin e Shtetit dhe djegia e fletëve të votimit dhe kundërfletëve. Kjo është veprimtaria e përcaktuar me ligj brenda së cilës do të veprojë KQZ-ja dhe nuk ka asnjë mundësi tjetër jashtë këtij kuadri ligjor”, - tha Ristani. Ristani shtoi më tej se tashmë afati për një kompromis mes palëve për çështjen e kutive ka mbaruar dhe i vetmi institucion që ka në dorë trajtimin e tyre është KQZ-ja, duke përjashtuar mundësinë e ankimimit qoftë edhe në Gjykatën e Kushtetuese apo në Komisionin e Venecias. “E vetmja mundësi që ka qenë për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese ka qenë kërkesa për rinumërimin e votave të caktuara, kërkesë që u rrëzua nga KQZ-ja dhe u la në fuqi nga Kolegji Zgjedhor. Mbas kësaj, në rast se do të kishte ndonjë pretendim për shkelje të të drejtave të njeriut apo shkelje të tjera kushtetuese, ekzistonte mundësia e ndjekjes së rrugës në Gjykatën Kushtetuese. Në këtë moment që është nuk shoh rrugë tjetër veçse zbatimit të ligjit dhe zbatimi i ligjit në këtë moment nuk hap horizont për rrugë të tilla” - tha Ristani.
19 Maj 2010