VENDIM PER PËRCAKTIMIN E AUTORITETEVE DHE TË PËRGJEGJËSIVE, PËR MENAXHIMIN E DECENTRALIZUAR TË ASISTENCËS SË BASHKIMIT EUROPIAN, NË KUADËR TË INSTRUMENTIT TË PARAADERIMIT (IPA), KOMPONENTI III, ZHVILLIMI RAJONAL, DHE KOMPONENTI IV, ZHVILLIMI I BURI
V E N D I M
PëR
PëRCAKTIMIN E AUTORITETEVE DHE Të PëRGJEGJëSIVE, PëR MENAXHIMIN E DECENTRALIZUAR Të ASISTENCëS Së BASHKIMIT EUROPIAN, Në KUADëR Të INSTRUMENTIT Të PARAADERIMIT (IPA), KOMPONENTI III, ZHVILLIMI RAJONAL, DHE KOMPONENTI IV, ZHVILLIMI I BURIMEVE NJERëZORE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 6 e 8, të ligjit nr.9840, datë 10.12.2007, “Për ratifikimin e marrëveshjes kuadër, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Komisionit të Komuniteteve Europiane, për rregullat e bashkëpunimit për asistencën për Shqipërinë, në kuadër të zbatimit të Instrumentit të Parazgjerimit (IPA)”, me propozimin e ministrit të Integrimit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Autoritetet dhe strukturat përgjegjëse për menaxhimin e decentralizuar të asistencës së Bashkimit Europian, në kuadër të Instrumentit të Paraaderimit (IPA) për secilin nga komponentët, III, zhvillimi rajonal, dhe IV, zhvillimi i burimeve njerëzore, janë, si më poshtë vijon:
a) Koordinatori strategjik (KS/SC);
b) Struktura operative (SO/OS) ;
c) Njësitë e zbatimit të programeve (NJZP/PIU);
ç) Drejtoria e Përgjithshme e Financimeve dhe Kontraktimeve (CFCU).
1.1 Koordinatori strategjik
a) Koordinatori strategjik (KS/SC) është autoriteti i menaxhimit të decentralizuar të IPA-së, për komponentët, zhvillimi rajonal dhe zhvillimi i burimeve njerëzore, nën përgjegjësinë e koordinatorit kombëtar të IPA-së (KKIPA/NIPAC);
b) Koordinator strategjik (KS/SC) është Ministria e Integrimit dhe përfaqësohet nga një zyrtar i lartë, i cili caktohet me urdhër të brendshëm të ministrit të Integrimit (KKIPA/NIPAC);
c) KS/SC-ja është përgjegjës për të:
- siguruar bashkërendimin e komponentit të zhvillimit rajonal dhe të komponentit të zhvillimit të burimeve njerëzore;
- koordinuar asistencën e Bashkimit Europian, në kuadër të komponentit të zhvillimit rajonal dhe komponentit të zhvillimit të burimeve njerëzore;
- koordinuar hartimin e kuadrit strategjik koherent, siç përcaktohet në nenin 154, të rregullores zbatuese të IPA-së;
- koordinuar hartimin e programeve operacionale (PO/OP), për komponentët, zhvillimi rajonal dhe zhvillimi i burimeve njerëzore;
- siguruar bashkërendimin e punës ndërmjet strategjive sektoriale dhe programeve.
ç) KS/SC-ja bashkëpunon me Departamentin e Bashkërendimit të Strategjive dhe Koordinimit të Ndihmës së Huaj, në Këshillin e Ministrave, dhe institucionet e tjera relevante, në përmbushje të detyrave të tij sipas këtij vendimi.
1.2. Struktura operative për zbatimin e komponentit III, zhvillimi rajonal.
a) Struktura operative për zbatimin e komponentit III, zhvillimi rajonal, (SO/OS) është përgjegjëse për menaxhimin dhe zbatimin e programeve të IPA-së, në përputhje me parimet e menaxhimit të qëndrueshëm financiar;
b) SO/OS-ja ka në përbërje përfaqësues nga Ministria e Punëve Publike dhe Transportit, Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe institucioni tenderues/kontraktues e pagues. Ministria e Punëve Publike dhe Transportit është ministria drejtuese e SO/OS-së për zbatimin e komponentit III, zhvillimi rajonal, dhe është përgjegjës për:
- hartimin e programit operacional për komponentin e zhvillimit rajonal;
- identifikimin e listës treguese me projekte për t’u financuar nga komponenti i zhvillimit rajonal;
- sigurimin e bashkëpunimit dhe përfshirjen e ministrive në hartimin e programit operacional dhe identifikimin e përparësive në fushat e mbështetura nga komponenti i zhvillimit rajonal;
- sigurimin e dokumenteve të nevojshme për monitorimin e zbatimit të programeve;
c) Drejtuesi i SO/OS-së është një zyrtar i lartë, që caktohet me urdhër të brendshëm të ministrit të Punëve Publike dhe Transportit;
ç) Për mbështetjen dhe menaxhimin e zbatimit të politikave të tre akseve që do të mbështeten nga komponenti III, në Ministrinë e Punëve Publike dhe Transportit, Ministrinë e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave dhe Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës do të krijohen njësitë e zbatimit të programeve (NJZP/PIU);
d) Ministri i Punëve Publike dhe Transportit, ministri i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave dhe ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës përcaktojnë, me urdhër të brendshëm, strukturat përgjegjëse në ministritë e tyre që do të funksionojnë si NJZP/PIU.
1.3. Struktura operative për zbatimin e komponentit IV, zhvillimi i burimeve njerëzore.
a) Struktura operative për zbatimin e komponentit IV, zhvillimi i burimeve njerëzore, (SO/OS) është përgjegjëse për menaxhimin dhe zbatimin e programeve, IPA, në përputhje me parimet e menaxhimit të qëndrueshëm financiar;
b) SO/OS-ja ka në përbërje përfaqësues nga Ministria e Punës, çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe institucioni tenderues/kontraktues dhe i kryerjes së pagesave;
c) Ministria e Punës, çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta është ministria drejtuese e SO/OS-së për zbatimin e komponentit IV, zhvillimi i burimeve njerëzore, dhe është përgjegjës për:
- hartimin e programit operacional për komponentin e zhvillimit të burimeve njerëzore;
- sigurimin e bashkëpunimit dhe përfshirjen e ministrive relevante në hartimin e programit operacional dhe bashkëpunimin me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës për identifikimin e përparësive në fushat e mbështetura nga komponenti i zhvillimit të burimeve njerëzore;
ç) Drejtuesi i SO/OS-së është një zyrtar i lartë, i cili caktohet me urdhër të brendshëm të ministrit të Punës, çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta;
d) Për mbështetjen dhe menaxhimin e zbatimit të politikave të akseve kryesore që do të mbështeten nga komponenti IV, në Ministrinë e Punës, çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta dhe Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës do të krijohen njësitë e zbatimit të programeve (NJZP/PIU);
dh) Ministri i Punës, çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta dhe ministri i Arsimit dhe Shkencës përcaktojnë me urdhër të brendshëm, strukturat përgjegjëse në ministritë e tyre që do të funksionojnë si NJZP/PIU.
2. Drejtuesit e SO/OS-ve përgjigjen përpara KS/SC-së për përmbushjen e detyrave të tyre sipas këtij vendimi.
3. Drejtoria e Përgjithshme e Financimeve dhe Kontraktimeve, në Ministrinë e Financave, (CFCU) do të jetë agjencia zbatuese (tenderuese/kontraktuese dhe e kryerjes së pagesave) për komponentët III dhe IV, të IPA-së. Kjo drejtori do të kryejë të gjitha funksionet, sikurse përcaktohen në vendimin nr.719, datë 18.6.2009, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e funksioneve, të përgjegjësive dhe të marrëdhënieve, ndërmjet autoriteteve dhe strukturave të menaxhimit të decentralizuar të asistencës së BE-së, në kuadër të IPA-së.” .
4. Ngarkohet Ministria e Integrimit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
30/06/2010