VENDIM PER SHPRONESIMIN, PER INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I SEGMENTIT RRUGOR “URA E GAJDARIT - RRAP” (RRUGA HYRËSE, SARANDË)
V E N D I M
PëR
SHPRONESIMIN, PER INTERES PUBLIK, Të PRONARëVE Të PASURIVE Të PALUAJTSHME, PRONë PRIVATE, Që PREKEN NGA NDëRTIMI I SEGMENTIT RRUGOR “URA E GAJDARIT - RRAP” (RRUGA HYRëSE, SARANDë)
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, dhe të nenit 8, të ligjit nr.9836, datë 26.11.2007, “Për buxhetin e shtetit, për vitin 2008”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve Publike dhe Transportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i segmentit rrugor “Ura e Gajdarit - Rrap” (rruga hyrëse, Sarandë).
2. Shpronësimi bëhet në favor të Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për sipërfaqen 1 049 (një mijë e dyzet e nëntë) m2, tokë truall, me vlerë 12 588 000 (dymbëdhjetë milionë e pesëqind e tetëdhjetë e tetë mijë) lekë, objekte, me sipërfaqe 780.5 (shtatëqind e tetëdhjetë pikë pesë) m2, me vlerë 14 262 761 (katërmbëdhjetë milionë e dyqind e gjashtëdhjetë e dy mijë e shtatëqind e gjashtëdhjetë e një) lekë.
4. Shpenzimet procedurale, në vlerën 475 000 (katërqind e shtatëdhjetë e pesë mijë) lekë, të përballohen nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve.
5. Vlera e përgjithshme e shpronësimit për tokë truall dhe objekte (dyqan, objekte banimi, karabina) është 26 850 761 (njëzet e gjashtë milionë e tetëqind e pesëdhjetë mijë e shtatëqind e gjashtëdhjetë e një) lekë, e cila do të përballohet nga “Llogaria e veçantë” e Ministrisë së Financave, në Bankën e Shqipërisë, “Fondi i shpronësimeve”.
6. Shpronësimi të fillojë më 30.6.2010 dhe të përfundojë më 15.9.2010.
7. Pronarët e përmendur në listën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për të cilët është bërë shënimi “Konfirmuar nga ZRPP-ja”, të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin e plotë të pronësisë të përditësuar, brenda afateve ligjore, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve.
8. Pasuria në emër të bashkëpronarëve Agim Dule, Avdul Dule dhe Musa Musai të kompensohet, pasi të ketë përfunduar procesi i regjistrimit të pasurisë në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, si dhe pasi këta bashkëpronarë të kenë paraqitur dokumentin hipotekor të pronës. Ndërsa pasuritë në emër të shtetasve Thanas Vaho Naci, Xhemal Resul Cepe dhe Sheko Mine Xhuvani do të kompensohen pasi të ketë përfunduar procesi i legalizimit të pasurive që ata disponojnë dhe pasi ata të kenë përfunduar regjistrimin e pasurive në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe të kenë paraqitur dokumentin hipotekor të pronës.
9. Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve të kryejë likuidimin e pronarëve sipas pikave 7 e 8, të këtij vendimi, në bazë të dokumentacionit të pronësisë.
10. Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Sarandë, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, të fillojë procedurat për hedhjen e trupit të rrugës mbi hartat treguese të regjistrimit, sipas planimetrisë së shpronësimit që do t’i vihet në dispozicion nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve, si dhe të bëjë kalimin e pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të shtetit.
11. Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Sarandë, të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në çastin kur do të realizohen procesi i hedhjes së trupit të rrugës mbi hartat treguese të regjistrimit, si dhe kalimi i pronësisë për pasuritë e shpronësuara.
12. Ngarkohen Ministria e Punëve Publike dhe Transportit, Ministria e Financave, Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Sarandë, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
30/06/2010