E Diel, 1 Nëntor 2026

Operacioni “Gërdec”, përfundon pastrimi i zonës, mundësohet kthimi i banorëve

Përfundoi dje pastrimi i fshatrave të prekura nga shpërthimi i fabrikës së ccmontimit të armëve në Gërdec dhe pas kësaj banorët mund të rikthehen menjëherë në shtëpite e tyre. Komandanti i Forcës së Bashkuar, Shpëtim Spahia, ka deklaruar dje se me pastrimin e zonës së prekur nga shpërthimi i municioneve një javë më parë, bëhet i mundur edhe kthimi i banorëve në banesat e tyre. Por duke qenë se shumica e shtëpive janë të shkatërruara, Spahia u shpreh se në pamundësi që banorët të strehohen në shtëpitë e tyre, janë shpërndarë cadra e ndihma, për nevojat me urgjente. Ai deklaroi gjithashtu se rezulton ndërkaq që 1000 ha tokë në fshatrat e Vorës është e infektuar ndër të cilat 100 ha janë më të kontaminuarit nga lëndët shpërthyese nga fabrika e Gërdecit. Ndërkaq, operacioni i Gërdecit që hyri në ditën ne tetë të kërkimeve, sipas Major Astrit Kondi, specialist i marrëdhënieve me publikun në Komandën e Forcës së Bashkuar në Ministrinë e Mbrojtjes, në bashkëpunim me një ekip ekspertësh danezë, nga specialistët e asgjësimit të municioneve vazhdon puna për kërkimin në vatrën e shpërthimit. Trupat e angazhuar në këtë operacion e kanë përqendruar punën e tyre, në kontrollin e zonës dhe shënimin e municioneve të papalsura, në kontrollin dhe pastrimin e rrugëve dhe shtëpive në zonat e infektuara, në grumbullimin dhe transportimin e predhave të paplasura të skrapit të grumbulluar. Në bashkëpunim me pushtetin lokal dhe Policinë e Shtetit, sqaroi kolonel Kondi po vazhdon shpërndarja e ndihmave për banorët e zonës. Ndërsa, Komanda e Forcës së Bashkuar në Ministrinë e Mbrojtjes, konfirmoi rezultatet e operacionit të kërkimit për periudhën 15-22 mars 2008. Sipas major Astrit Kondit, gjatë operacioneve të kërkimit në zonat e prekura nga ngjarja e 15 marsit, deri tani është kontrolluar një sipërfaqe prej 300 ha, janë pastruar 144 ha, si dhe 5000 metra linearë rrugë. Ndërsa në bashkëpunim me pushtetin lokal janë transportuar dhe shpërndarë 14 ton ndihma. Gjatë kontrolleve në zonë, janë grumbulluar 1.803 copë municione, 574 copë predha të paplasura. Në fshatrat Marqinet dhe Gërdec, janë pastruar 516 banesa. Në bashkëpunim me Policinë Ushtarake, tha major Kondi, janë transportuar materialet e 49 familjarëve. Gjithashtu janë transportuar mbeturina skrapi me 28 mjete, ndërsa janë groposur 22 gjedhë, 4 bagëti të imta, 3 derra, 4 njëthundrakë, si dhe 203 shpendë. Ndërkohë, janë akomoduar në Shtëpinë e Pushimit të Forcave të Armatosura në Durrës 157 banorë, të cilët janë furnizuar me veshëmbathje, nga Ambasada Amerikane dhe me ndihma nga firma Esko Market. Forcat pjesëmarrëse në operacionin “Gërdeci 08”, janë 520 trupa, 51 mjete, 8 ambulanca dhe 8 helikopterë në gatishmëri. Ndërsa në Institutin e Mjekësisë Ligjore janë identifikuar edhe tre viktima të tjera, që humbën jetën në ngjarjen e Gërdecit të ndodhur më 15 mars. “Analizat e ADN-së vërtetuan identitetin e viktimës Arben Hasa, 42 vjeç, Zelie Kaca, 28 vjeç dhe Endrit Vorani, 40 vjeç”, deklaroi drejtori i këtij Instituti, Besim Ymaj. Gjithashtu analizës së ADN-së po i nënshtrohen edhe mbetjet e karbonizuara të dy viktimave të gjetura dy ditë më parë në fshatin Gërdec.
ALUIZNI: Kompensimi i objekteve në Gërdec sipas vlerës së tregut/Për të gjitha objektet e shkatërruara të cilat kanë qenë shtëpi banimi do të ndërtohen me një çmim që do të bazohet në koston mesatare të ndërtimit në kryeqytet. Banorët dhe bizneseve që kanë pësuar dëme nga shpërthimi në Gërdec do të kompensohen me vlerën e tregut. Sipas ALUIZN-it, për të gjitha objektet e shkatërruara të cilat kanë qenë shtëpi banimi do të ndërtohen me një çmim që do të bazohet në koston mesatare të ndërtimit në kryeqytet. Ndërsa për strukturat e tjera, kompensimi do të bëhet sipas çmimin e tregut nga Enti Kombëtar i Banesave. Drejtuesit e agjencisë se legalizimeve bëjnë të ditur se krahas këtij kompensimi banorët e prekur nga kjo tragjedi do të përfitojnë edhe ndihmën financiare që ka akorduar qeveria për ta dhe që llogariten në 2 milionë lekë për familje. Ndërsa Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka deklaruar dje se brenda datës 26 mars përllogarit të gjithë vlerën e dëmeve të shkaktuara subjekteve nga shpërthimi në Gërdec. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve do të dërgojë në këtë datë zyrtarisht pranë Ministrisë së Financave, vlerën e përllogaritur të dëmeve të shkaktuara subjekteve të prekura nga ngjarja në Gërdec. Kësisoj, grupet e punës duhet që brenda datës 25 Mars 2008, të kenë përfunduar dorëzimin e vlerësimeve pranë DPT-së. Ministria e Financave urdhëroi ngritjen e grupeve teknike të punës për verifikimin dhe vlerësimin në terren të dëmeve të shkaktuara subjekteve, të cilët operojnë në juridiksionin e bashkisë Vorë dhe komunat e fshatrat përreth. Në përbërje të grupeve të punës janë nga 2 inspektorë respektivisht nga Dega e Tatimpaguesve të Mëdhenj dhe nga Dega e Tatimeve Tiranë, në varësi të statusit të subjektit. Grupi i punës, për çdo subjekt të verifikuar në terren, ka për detyrë që të hartojë dhe mbajë proces-verbal konstatimi dhe vlerësimi për dëmet e evidentuara. Proces-verbali duhet të përmbajë të dhëna të sakta duke specifikuar sipërfaqen e dëmtuar në m2, çmimin e përafërt të sipërfaqes së dëmtuar në lekë/m2, vleftën në lek/m2, si dhe të dhëna të tjera, të cilat gjykohen nga grupi i punës të nevojshme në ndihmë të procesit të vlerësimit. Urdhri i Ministrisë së Financave përfshin edhe shoqërimin e proces-verbaleve me fotografi digjitale të objektit dhe pjesëve të dëmtuara të tij. Sipas urdhrit, do të mbahen proces-verbale për bizneset, të cilat kanë ndërprerë aktivitetin e prodhimit për shkak të dëmtimeve, mungesës së energjisë elektrike apo ndonjë rrethanë tjetër që lidhet me ngjarjen. Për të gjitha rastet e konstatura, administrata tatimore do të kryejë sistemimet përkatëse në këstet e paradhënies së tatim-fitimit si dhe kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për periudhat në vijim, duke evidentuar në dosjet respektive të subjekteve çdo sistemim dhe veprim të kryer. Në proces-verbal do të shënohen edhe informacioni nga bizneset si dhe shoqëritë e sigurimeve për subjektet, të cilët rezultojnë të dëmtuar nëse janë të siguruar pranë kompanive të sigurimeve, vleftën e objektit të siguruar dhe nëse kanë filluar apo janë në proces të procedurave të dëmshpërblimit nga ana e kompanive të sigurimit

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›