Reformë e thellë në institucionet e sigurisë kombëtare
Kryeministri Sali Berisha është shprehur dje se përsa i përket ngjarjes së Gërdecit,
drejtësia duhet të nxjerrë të gjitha përgjegjësitë,dhe personat përgjegjës t’i vendosë para ligjit, si kushtin më të domosdoshëm për t'i dhënë përgjigjen ligjore asaj që ndodhi. Duke iu përgjigjur interesimit të medias, mbi ngjarjen e ndodhur në 15 mars kryeministri Berisha tha se përveç përgjegjësive personale,ekzistojnë përgjegjësitë institucionale,të cilat kanë vetëm një përgjigje, reformimin. ”E them këtë jo për të shmangur përgjegjësitë individuale dhe personale, por problemi është që duhet të parandalohen situata të tilla. Në qoftë se duam që sistemi ynë i sigurisë të jetë tjetër,të gjitha institucionet e sigurisë kombëtare duhet t’i nënshtrohen një reforme të thellë, e cila duhet të synojë bashkërendimin, koordinimin dhe bashkëveprimin e tyre në harmoni të plotë, në mënyrë që të parandalohen situata të tilla. Pra ky është sensi i reformave dhe unë mbetem shumë i vendosur të bëj çdo përpjekje në këtë drejtim”- deklaroi kreu i qeverisë duke shtuar se institucionet e sigurisë së vendit kanë nevojë për reformë të thellë,pasi institucionet duhet të funksionojnë. “Secili do të mbajë përgjegjësinë që ka, por ju garantoj që po nuk u bënë reformat,situata të tilla mund të përsëriten në mënyrë periodike. Janë reformat ato të cilat duhet t'i japin përgjigjen më të mirë, më të shpejtë dhe më të sigurtë problemeve të sigurisë” - theksoi me tej kryeministri. Në këtë kontekst, Berisha i bëri thirrje Prokurorisë, të nxjerrë çdo përgjegjësi ligjore dhe individuale me vendosmërinë më të madhe. “Por krahas kësaj duhen reforma” - tha ai.
Në këtë kuadër ai bëri të ditur se ndihma për familjet e dëmtuara në ngjarjen e Gërdecit janë në vazhdim. “Qeveria dhe institucionet duhet të bëjnë çdo gjë për rindërtimin sa më të shpejtë të zonës. Po ecet me shpejtësi të madhe në vlerësimin financiar të dëmit material. Janë vlerësuar deri tani 1400 banesa dhe kam shumë shpresë që vlerësimi përfundimtar të bëhet ndoshta dhe brenda fundjavës. Qeveria është e gatshme të mblidhet menjëherë në çdo kohë për të bërë dekretin e rregullimit të buxhetit për të krijuar fondin e nevojshëm për disbursimin që do të fillojë shumë shpejt” - theksoi kryeministri Berisha.
Leonard Quku