E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjashtë ekspertë të FBI-së do ndihmojnë zbardhjen e përgjegjësive për tragjedinë

Zyra Federale Informative amerikan FBI ka miratuar ardhjen e gjashtë ekspertëve, të cilët do të ndihmojnë në identifikimin e kufomave si dhe të këqyrjes e analizimit të vendit të ngjarjes në Gërdec të bashkisë Vorë. Në njoftimin për shtyp të Prokurorisë së Përgjithshme, thuhet se në përgjigje të kërkesës së Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama, pak ditë më parë drejtuar për ndihmë autoriteteve të SHBA-së, në kuadër të hetimeve për ngjarjen në fshatin Gërdec,sot ka ardhur konfirmimi zyrtar, që FBI ka miratuar ardhjen e gjashtë ekspertëve. Ata pritet të bëjnë një studim të plotë kriminalistikë të vendit të ngjarjes. Ekspertët e përcaktuar nga FBI,janë marrë me çështje të ngjashme dhe janë të specializuar në këtë fushë dhe ata pritet të mbërrijnë në Shqipëri ditën e mërkurë. Ndihma e kërkuar përmes Ambasadorit të SHBA-së në Tiranë,pak ditë më parë nga Zyra e Prokurores së Përgjithshme,konsistonte për të përshpejtuar sa më tepër hetimet e kësaj çështje. Sipas shkresës, dërguar ambasadës amerikan disa ditë më parë, kryeprokurorja Rama kërkonte nga autoritete e SHBA-së që t'i jepet ndihmë në disa sektorë, si në gjetjen e informacionit për shoqërinë amerikane “Southern Ammunition Company Inc” dhe aktivitetin e saj në SHBA si dhe në dhënien e asistencës në kryerjen e ekspertizave të specializuara nga agjentët e FBI-së, për zbardhjen e ngjarjes. “Nga autoritetet amerikane është kërkuar ndihmë në dy drejtime: në atë të marrjes së informacioneve në lidhje me shoqërinë SAC dhe aktivitetin e saj të kryer prej vitesh dhe në dhënien e asistencës dhe ekspertizës së specializuar të ekspertëve të FBI-së në lidhje me identifikimin e kufomave si dhe të këqyrjes dhe të analizimit të vendit të ngjarjes si dhe bërjen e një studimi të plotë kriminalistik të vendit të ngjarjes”-thuhej në kërkesën e Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›