Oketa: Qeveria transparencë maksimale ndaj prokurorisë për hetimin e tragjedisë
Zoti Oketa një javë nga ngjarja e rëndë në fshatin Gërdec. Sa është bilanci i deritanishëm i viktimave dhe çfarë është bërë për normalizimin e situatës atje?
Deri tani numri i viktimave ka shkuar deri në 21 ndërkohë që janë për tu identifikuar vetëm 3 trupa viktimash të cilat ndodhen në Morgun e Tiranës. Për identifikimin e këtyre viktimave priten vetëm pergjigjet e analizave të ADN-së. Deri tani është bërë kategorizimi i zonave, ku kemi zona me rrezikshmeri të lartë pasi ka ende predha të pashpërthyera, zona me rrezikshmëri të ulët dhe zona pa rrezikshmëri ku është bërë pastrimi nga predhat. Unë kam kërkuar që të pastrohen rruget e fshatit për të bërë të mundur ndërhyrjen brenda zonës. Ndërkohë që nesër do të nisë edhe shpërndarja e dëmshpërblimeve të banorëve të dëmtuar nga shpërthimet e Gërdecit. Gjithashtu nesër në mbrëmje do të kemi edhe vlerësimin e saktë i demit të shkaktuar i cili do të japë mundësi Këshillit te Ministrave për të vazhduar me shpërndarjen e shpërblimit financiar. Një gjë e tillë është çështje ditësh.
Përse qeveria shqiptare nuk ka ende një analize konkrete për shkaqet e tragjedisë?
Qeveria ka deklaruar se mirëpret hetimin e çështjes dhe do të bashkëpunojë me organet kompetente. Prokuroria ka filluar hetimin dhe është ajo që do të zbardhë deri në fund këtë ngjarje. Për këtë qeveria ka vënë në dispozicion të organeve të hetimit transparencë maksimale dhe nuk është qeveria ajo që duhet të hetojë por prokuroria. Vetëm në sajë të këtij hetimi do të vendosen përgjegjësit para ligjit.
Si e shpjegoni faktin që media ka dalë përpara qeverisë me informacionet e dhëna mbi ngjarjen e Gërdecit?
Qeveria ka qenë e fokusuar në kapërcimin e situatës. Ne jemi perpjekur ti gjendemi sa më pranë qytetareve ku një pjese e tyre janë përcjellë në vendet homologe. Jemi përpjekur të akomodojmë personat e pastrehë. Kemi qenë bashkëpunues edhe me median duke dhënë informacione me anë të deklaratave dhe njoftimeve për shtyp të dhëna nga komisioni i ngritur posaçërisht për mediat në këtë tragjedi.
Vini në krye të një ministrie shumë delikate, çfarë do të bëni me situatën e krijuar pasi Gërdeci ka hedhur hije dyshimi mbi shtetin shqiptar para samitit të Bukureshtit?
Pyetja juaj është shumë e drejtë por është tepër herët për të dhënë përgjigje. Në fillim duhet të marr miratimin e Kuvendit, të jem zyrtarisht në postin e ministrit të Mbrojtjes, të ulem në atë pozicion dhe më pas do të njihem me situatën më nga afer për të marrë vendimet. Zbardhja e çështjes do të më ndihmojë të marr vendime sa më objektive.