E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi apelon për qytetarët shqiptarë të aplikojnë për kartat e identitetit, që të jenë qytetarë të denjë të ardhshëm të Europës së Bashkuar.

9 mars 2009

Presidenti i Republikës, Bamir Topi së bashku me Zonjën e Parë, Teuta Topi dhe dy vajzat e tij, Nada dhe Etida, ishin sot në Zyrën e Gjendjes Civile të Njësisë Bashkiake nr. 9 për të kryer procedurat e nevojshme për marrjen e letër njoftimit.

Kreu i shtetit, i shoqëruar edhe nga Sekretari i Përgjithshëm e Drejtori i Kabinetit, u prit nga Kryetari i Njësisë Bashkiake Nr. 9, z. Armond Halebi dhe Kryetari i Njësisë Nr. 8, z. Arben Tafaj si edhe anëtarë të këshillit bashkiak. Pasi aplikoi dhe kreu të gjitha procedurat ligjore për pajisjen me kartën e re të identitetit, Presidenti Topi dhe Zonja e Parë vizituan ambientet e minibashkive 8 dhe 9 duke takuar nga afër punonjësit e adminstratës së pushtetit vendor dhe duke u interesuar për mbarëvajtjen e procesit të pajisjes së qytetarëve me letërnjoftimet e reja.

Në përfundim, duke iu përgjigjur interesimit të mediave të shumta të pranishme, Kryetari i Shtetit u shpreh: “Unë zgjodha këtë ditë për të aplikuar, jo sepse nuk e kam patur mundësinë më parë, por se e shikoj që ky është një moment shumë i rëndësishëm për të bërë një sensibilizim të gjerë publik. Pajisja me kartën e identitetit ose me letërnjoftimin është momenti më i rëndësishëm për një qytetar dhe besoj që nuk duhet të lidhet domosdoshmërisht vetëm me aksesin për të votuar. Të jesh i identifikuar, të kesh kartën e identitetit, sigurisht një kartë me parametrat më të larta teknologjike, një kartë, e cila pranohet nga standardet e vendeve të Bashkimit Europian, do të thotë që të kesh mundësi të mëdha për të ushtruar të gjitha të drejtat në administratën publike, nëpër ambasada, nëpër universitete, kështu që njerëzit duhet patjetër të aplikojnë! Të aplikojnë shpejt, sepse mesa shikoj aksesi dhe teknologjia është e tillë që u jep mundësinë të gjithë qytetarëve të pajisen!

Qytetarët duhet ta vlerësojnë këtë në radhë të parë në interesin e tyre, pastaj në mundësinë që ata kanë një herë në katër vjet, në zgjedhjet e përgjithshme politike për të shprehur vullnetin e tyre. Pra, ta shprehin këtë vullnet në mënyrë të sigurtë, të ndërgjegjshme dhe demokratike!

Jo thjesht si President i Republikës, por edhe si një qytetar i thjeshtë do t’ju bëja thirrje të gjithëve: sa kohë shpenzoni duke tentuar që të pajiseni me certifikata, që shpeshherë duhen në mjaft drejtime, duke marrë në konsideratë vetëm nevojën që kanë studentët për të aplikuar në disa universitete, nevojën për t’u pajisur në mënyrë shumë të shpeshtë e frekuente e të panevojshme me certifikata, duhet të pajisen me kartën e identitetit dhe me atë, do të jenë njerëz të siguruar, do të jenë qytetarë të denjë të një Europe, tek e cila ne shpresojmë të shkojmë!

Unë mendoj që ky moment duhet vlerësuar edhe tek dëshira që kanë qytetarët për të lëvizur të lirë. Në rast se ne nuk aplikojmë, fatmirësisht nuk është një numër i tillë që nuk lejon që ne të kemi vështirësi për t’u regjistruar, por është plotësisht e mundshme dhe do të ishte një mesazh shumë i mirë edhe për vendet partnere që ne jemi të gjithë të regjistruar, më së fundmi të japim një shifër të saktë të popullsisë, sa jemi, një numër ekzakt, dhe besoj që të gjithë qytetarët do të kenë mundësi të shumta që veprimet e tyre t’i bëjnë në një kohë shumë të shpejtë. Ky është mesazhi publik që kam unë për të gjithë bashkëqytetarët e mi”!

I pyetur se si i duket mbarëvajtja e procesit, Presidenti i Republikës u përgjigj: “Fillimisht nga informacionet që kam kishte një fluks të madh qytetarësh. Siç duket akoma ka një mendësi që njerëzit të shkojnë aty ku shprehet detyrimi.

Unë mendoj që nuk duhet të vijë mbi bazën e një detyrimi. Të largohemi nga kjo lloj psikologjie e së kaluarës, por duhet të vijë si një nevojë e domosdoshme dhe e vullnetshme e vetë qytetarit! Nuk ka gjë më të rëndësishme që çdo qytetar ta ndiejë veten serioz dhe të identifikuar. Kjo duhet të jetë në të gjitha shtresat e popullsisë, por mesazhi tjetër është që të gjitha institucionet duhet të bëjnë patjetër një propagandë në këtë sens dhe partitë politike nuk duhet ta shohin pajisjen me karta identiteti të qytetarëve vetëm në funksion të ditës së votimeve, se ajo është një ditë shumë e rëndësishme, por qytetarët duhet të sensibilizohen nga të gjitha partitë politike që të jenë të identifikuar, sepse është një proces që do t’i shërbejë institucioneve të Shqipërisë dhe imazhit të Shqipërisë kudo në botë”!

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›