E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi uron të gjitha gratë, nënat, motrat dhe vajzat shqiptare me rastin e Festës së tyre, 8 marsit.

7 mars 2009

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi uron të gjitha gratë, nënat, motrat dhe vajzat shqiptare me rastin e Festës së tyre, 8 marsit.nëpërmjet një mesazhi në të cilin theksohet:

‘’Të dashura nëna dhe motra,

Në këtë ditë të shënuar dëshiroj të përcjell urimet më të përzemërta për të gjitha gratë, nënat e motrat tona për festën e tyre! Nderim dhe respekt të thellë për kontributin e tyre të gjithanshëm e të vazhdueshëm, një sfidë jo e vogël me të cilën ato përballen në çdo moment të ditës!

Përfitoj nga kjo ditë feste për të inkurajuar të gjitha gratë shqiptare që të mos i rreshtin përpjekjet për të arritur të drejtat e tyre legjitime. Emancipimi femëror ka qenë dhe mbetet një proces i gjatë, i cili po ecën me ritme të jashtëzakonshme kudo në botë. Sot gratë kanë pozicione të rëndësishme në pushtet, mund të ndërmarrin çdo lloj karriere që dëshirojnë, e megjithatë barazia gjinore e pranuar formalisht nga të gjithë, mbetet ende një sfidë, për të cilën duhet të kontribuojmë të gjithë.

Raporti i gruas me familjen, me shoqërinë, me shtetin dhe instrumentet e tij, nuk është thjesht një çështje ndjeshmërie, por është çështje thelbësore e lirisë dhe demokracisë, emancipimit dhe progresit të të gjithë shoqërisë sonë. Atdheu ynë, edhe në fazën e suksesshme integruese ku kemi arritur, nuk mund, e nuk duhet të privohet nga energjia femërore, e pa vënë në lëvizje dhe e pavlerësuar në nivelin e duhur. Një mundësi e mirë janë zgjedhjet e afërta të përgjithshme dhe është koha që gratë të mbështeten në përfshirjen e tyre aktive në politikë, pasi tashmë po dëshmojnë se e justifikojnë plotësisht besimin që u është dhënë, duke i emëruar në insitucione të rëndësishme të pushtetit.

Duke ju uruar edhe një herë gëzuar festën, shpreh besimin se energjia dhe kontributi intelektual e jetësor i të gjitha grave mbetet një bazament i rëndësishëm për Shqipërinë tonë të dashur e cila po i afrohet çdo ditë e më shumë familjes europiane’’!

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›