E Shtunë, 31 Tetor 2026

V E N D I M PËR PËRCAKTIMIN E KRITEREVE PËR HAPJEN DHE MBYLLJEN E SPITALEVE

V E N D I M 

PËR 

PËRCAKTIMIN E KRITEREVE PËR HAPJEN DHE MBYLLJEN E SPITALEVE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit  3, të ligjit nr. 9106, datë 17.7.2003, “Për shërbimin spitalor në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I :

 

KREU I

 

TË PËRGJITHSHME

 

1.     Hapja dhe mbyllja e spitaleve në Republikën e Shqipërisë do të bëhet me urdhër të ministrit të Shëndetësisë, në përputhje me kriteret e përcaktuara në këtë vendim.

2.     Procedurat për licencimin e spitaleve jopublike janë ato të përcaktuara në kreun VI të ligjit nr. 9106, datë 17.7.2003, “Për shërbimin spitalor në Republikën e Shqipërisë”, si dhe në aktet e tjera, ligjore e nënligjore, në fuqi.

3.     Vlerësimi i përmbushjes së kritereve për hapjen e spitaleve jopublike bëhet nga komisioni i licencave, në Ministrinë e Shëndetësisë.

4.     Vlerësimi i përmbushjes së kritereve për hapjen e spitaleve publike bëhet nga strukturat përgjegjëse, në Ministrinë e Shëndetësisë.

KREU II

 

KRITERET PËR HAPJEN E SPITALEVE

1.     Personat juridikë, që kërkojnë të ushtrojnë veprimtarinë në fushën e shërbimit spitalor jopublik, përveç kërkesave të përcaktuara në ligjin nr. 9106, datë 17.7.2003, “Për shërbimin spitalor në Republikën e Shqipërisë”, dhe në vendimin nr. 910, datë 18.6.2008, “Për miratimin e veprimtarisë private në fushën e shëndetësisë”, duhet të plotësojnë kriteret e përgjithshme, të mëposhtme, si dhe kriteret e përcaktuara në shtojcat I e II, që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ata duhet që:

a)       të kenë parashikuar në aktin e themelimit dhe/ose në statut objektin e veprimtarisë, për ofrimin e shërbimeve mjekësore, spitalore, jopublike, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe me marrëveshjet, për shërbimet shëndetësore transkufitare.

b)      institucionet spitalore jopublik të tyre duhet t’i kenë në harmonizim me planin spitalor shtetëror dhe vendor.

c)       të kenë një plan të shpërndarjes dhe ofrimit të shërbimeve të spitalit, i cili të përmbajë numrin dhe llojet e shërbimeve, që do të ofrohen.

2.     Ministri i Shëndetësisë jep miratimin paraprak të ndërtimit të spitaleve përpara zhvillimit të procedurave për dhënien e lejeve të ndërtimit, duke vlerësuar kriteret e përgjithshme të licencimit të tyre.

KREU III

 

KRITERET E MBYLLJES SË SPITALIT

1.     Ministri i Shëndetësisë shfuqizon licencën e spitalit dhe urdhëron mbylljen e tij, në rastet kur vërtetohet njëra nga këto situata:

a)     Mosplotësimi i kushteve të nevojshme për ushtrimin e veprimtarisë spitalore, sipas kritereve të përcaktuara në licencë.

b)    Shkelja e ligjeve dhe e akteve nënligjore, në fuqi.

c)     Moszbatimi, brenda kushteve dhe afateve, të detyrave të lëna nga Ministria e Shëndetësisë, për korrigjimin e shkeljeve.

ç) Mosushtrimi i veprimtarisë për një vit nga data e miratimit të licencës.

2.     Ankimi kundër urdhrit të ministrit të Shëndetësisë, për heqjen e licencës,  bëhet në përputhje me dispozitat e Kodit të Procedurave Administrative.

KREU IV

 

DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT

 

1.     Spitalet publike, që janë hapur para hyrjes në fuqi të këtij vendimi dhe vazhdojnë të funksionojnë, nuk i nënshtrohen zbatimit të këtij vendimi.

2.     Ngarkohet Ministria e Shëndetësisë për rishikimin e kritereve dhe  propozimin e ndryshimeve përkatëse.

3.     Ministria e Shëndetësisë ka të drejtën dhe detyrën të inspektojë e të marrë masat përkatëse, në çdo çast, për të vërtetuar nëse subjekti, gjatë ushtrimit të veprimtarisë, ka respektuar apo jo kriteret e përcaktuara në aktin e licencës dhe në legjislacionin në fuqi.

4.     Ministria e Shëndetësisë ka të drejtë të verifikojë vërtetësinë e të dhënave të deklaruara dhe të dokumenteve të depozituara gjatë fazës së shqyrtimit të kërkesave për hapjen e spitaleve.

5.     Kriteret e përcaktuara për hapjen e spitaleve janë të zbatueshme edhe për procedurat e zgjerimit ose transformimit të tyre.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

 

SALI BERISHA


06/03/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›