E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi dekoron trajnerin e mirënjohur të volejbollit, Kreshnik Tartari me Urdhrin “Mjeshtër i Madh”.

24 shkurt 2010

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi dekoroi sot me Urdhrin “Mjeshtër i Madh”, trajnerin e mirënjohur të volejbollit për femra, Kreshnik Tartari me motivacionin: “Për kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e sportit shqiptar, si trajner dhe drejtues i shquar i volejbollit”.

Në ceremoninë e mbajtur me këtë rast, ishin të pranishëm të afërm, kolegë, sportistë, figura të tjera të shquara të volejbollit shqiptar, Zonja e Parë Teuta Topi si dhe Drejtori i Kabinetit të Presidentit të Republikës, Dashamir Xhaxhiu, Këshilltari për Shëndetësinë, Arsimin dhe Kërkimin Shkencor, Maksim Cikuli, etj.

Pasi i dorëzoi zotit Tartari Urdhrin e lartë “Mjeshtër i Madh”, Kreu i shtetit shqiptar u shpreh: “Natyrisht që kam ardhur me shumë dëshirë sot në këtë aktivitet jo vetëm për të festuar e inkurajuar fitimin e një titulli nga vajzat sportiste, që vijnë me cilësi të dyfishta: vijnë si studente shumë të mira, por edhe si sportiste shembullore. Por ka edhe një element tjetër, që ka të bëjë me ju, zoti Tartari, jo vetëm një njeri i shquar i sportit shqiptar, një njeri intelektual; një njeri që e ke të vështirë ndoshta për ta përcaktuar dhe në motivacion kjo shprehet me titullin mjeshtër: si sportist, si trajner, pikërisht këto të dyja janë shumë kompatibël me të gjitha vlerat që ju keni si njeri, si intelektual, si professor. Pra nga kjo pikëpamje jo vetëm që s’e pata të vështirë, por isha shumë i motivuar që këtë titull t’jua akordoj me shumë dëshirë në vijim të shumë propozimeve që kanë ardhur për ju. Kështu që me këtë rast dëshiroj t’ju uroj jetë të gjatë, një jetë të gjatë me aktivitet, sikurse po theksohet edhe në këtë moment shumë të rëndësishëm, sepse ju padyshim jeni krenaria e volejbollit shqiptar. Jeni krenaria, sepse keni pasur një karrierë shumë të gjatë që ofron vetëm cilësi, gjë për të cilën ne kemi nevojë sot. Kemi nevojë natyrisht për masivitet, por kemi nevojë në radhë të parë për cilësi dhe këtë ju e keni ofruar, po e ofroni në një universitet, i cili po jep shenjat e para të një experience që ndoshta është më shumë amerikane, ku bëhet me shumë interes kampionati i basketbollit amerikan, i basketbollit të universiteteve. Pra këto janë vetëm shkëndijat e para. Shoqëria jonë ecën përpara natyrisht. Shumë evenimente të reja do të kemi në të ardhmen, gjërat nuk vijnë menjëherë. Vijnë në radhë të parë me një progres hap pas hapi. Një pjesë e këtij progresi mund të quhet edhe revolucion pjesë e të cilit jeni edhe ju zoti Tartari. Dhe kjo më jep kënaqësi dhe jam i bindur që bashkë me fjalët e mia, ofrohen edhe të gjitha ato ndjesi që kanë kolegët tuaj, kanë ata që kanë luajtur sport me ju, ata që ju i keni drejtuar dhe së fundmi këto studente, të cilat sot po demonstrojnë që dinë t’i bëjnë të dyja: të shkollohen në një universitet cilësor dhe nga ana tjetër të fitojnë edhe trofe në sport. Urime edhe njëherë!”

Në fjalën përshëndetëse me këtë rast,z. Kreshnik Tartari shprehu mirënjohjen e thellë për këtë nderim nga ana e Presidentit Topi, i cili është në radhë të parë një vlerësim për breza të tërë trajnerësh dhe volejbollistësh shqiptarë, që e kanë ngritur këtë lloj të sporteve me dorë në nivelet më të larta të përfaqësimit ndërkombëtar.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›