Presidenti Topi dekreton ligjin për Buxhetin
Tiranë- Presidenti i Republikës, Bamir Topi dekretoi 4 ligje të rëndësishme, bënë të ditur sot burimet zyrtare të Presidencës. Mes tyre dhe ligjin për Buxhetin, që u miratua pa votat e opozitës në parlament pak kohë më parë.
Kryeminsitri Sali Berisha e ka cilësuar këtë buxhet, prej rreth 4 miliardë dollarësh si historik dhe si kurorë të qeverisë së tij për këtë mandat. Opozita nga ana tjetër është shprehur se ky buxhet nuk parashikon asgjë për shtresën sociale dhe sidomos për krizën ekonomike që ka përfshirë botën.
Kështu, presidenti Topi dekretoi ligjin "Për buxhetin e vitit 2009" me Nr. Dekreti 5974, ligjin nr. 10 022, datë 24.11.2008 "Për një ndryshim dhe një shtesë në ligjin nr. 8537, datë 18.10.1999 "Për barrët siguruese", të ndryshuar me Nr. Dekreti 5973; ligjin nr.10.021, datë 24.11.2008 "Për ratifikimin e "Marrëveshjes dhe Protokollit bashkëlidhur ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Këshillit Federal Zviceran për transportin ndërkombëtar rrugor të udhëtarëve dhe të mallrave" me Nr. Dekreti 5972 si dhe ligjin nr. 10.020, datë 24.11.2008 "Për ratifikimin e "Marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë për hapjen e zyrës lokale gjermane për bashkëpunimin për zhvillim në Shqipëri" me Nr. Dekreti 5971.