Vlorë, 200 lindje më pak se vjet, 600 aborte
Vlorë- Më pak lindje dhe aborte shqetësuese. Lindjet e fëmijëve në Vlorë kanë pësuar rënie për këtë vit, krahasuar jo vetëm me vitin e kaluar, por edhe me vite të mëparshme.
Deklarata bëhet nga shefi i repartit të gjinekologjisë në spitalin rajonal të Vlorës, Remzi Haxhiu. Ndërsa fundviti për shumë prej institucioneve nënkupton edhe pasqyrat statistikore, duke ju referuar shifrave për këtë vit, Haxhiu pohon se ka patur një rënie të numrit të lindjeve. Sipas tij, për rënien e numrit të lindjeve besohet të ketë ndikimin e vet edhe planifikimi familjar, politikë e cila po aplikohet nga shumë çifte bashkëshortësh. “Janë rreth 200 lindje më pak se viti i kaluar. Për këtë ka ndikuar edhe përdorimi më shumë i kontraceptivëve”- tha ai. Referuar shifrave numri i lindjeve për ketë vit është 1350. Thuajse në të njëjtat shifra të ngjashme me vitin e kaluar janë edhe abortet e kryera me kërkesë të cifteve, ku një vit më parë janë regjistruar 605 dhe këtë vit 600 aborte.
Në fakt, numër më të pakët lindjesh kanë raportuar ehde rrethe të tjera, përfshirë edhe kryeqytetin, ndërkohë që specialistët lajmërojnë një plakje të popollsisë nëse vazhdohet me këto ritme.