Presidenti Topi, dekreton ligjin për legalizimin e kapitalit

Presidenti Bamir Topi ka dekretuar pas 5 ditësh, ligjin për faljen e borxheve që kaloi me votat e shumicës këtë të hënë në parlament. Zyra e shtypit e presidentit njoftoi se presidenti ka dekretuar ligjin për legalizimin e kapitalit dhe faljen e një pjese të borxhit tatimor dhe doganor. Vendimi për dekretimin e këtij ligji, kreu i shtetit e ka argumentuar duke u bazuar në nenin 84 dhe 93 të kushtetutës së Shqipërisë.
Kështu, pas këtij dekretimi, ligji hyn në fuqi vetëm pak ditë më vonë dhe parashikohet që me anë të tij, të përfitojnë individët dhe bizneset e vogla, të vetëpunësuarit të cilët të ardhurat e fshehura për vite mund ti legalizojnë ato kundrejt pagesës në formë takse, në masën tre për qind. Po ashtu, ligji parashikon që të falen edhe detyrimet tatimore të regjistruara si subjekt i taksës vendore të biznesit të vogël deri me 31 dhjetor të vitit të shkuar.
Ndërkaq, ky ligj parashikon që për biznesin e madh të falen të gjitha detyrimet tatimore dhe gjobat e papaguara për periudhën deri në fund të vitit 2008, ndërsa për periudhat në vijim do të kryhet e kushtëzuar.