Presidenti Topi dhe Ilir Meta, sot në Berlin

Ministri i Jashtëm do të firmosë disa marrëveshje bashkëpunimi. Topi, takim me homologun gjerman
Për herë të parë që nga viti 1998 një president i Shqipërisë viziton sërish Gjermaninë. Bamir Topi do të jetë sot në Berlin me ftesë nga homologu i vet gjerman, Horst Koehler. Në tetor të vitit 1998, kur presidenti i atëhershëm i Shqipërisë, Rexhep Meidani, do të vizitonte Gjermaninë, bashkësia ndërkombëtare ishte duke u përgatitur për luftën e Kosovës. Që atëherë, nuk ka pasur më këmbime midis dy vendeve në nivel presidentësh.
"Vizita e presidentit të Shqipërisë, Bamir Topi, është shumë domethënëse, sepse tregon që niveli i marrëdhënieve politike, por edhe në fusha të tjera është kaq i konsiderueshëm, sa justifikon vizitat në këtë nivel", thotë për "Deutsche Welle-n" ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Berlin, Valter Ibrahimi.
Gati 12 vjet që nga vizita e fundit e një presidenti shqiptar, tema e bisedës nuk janë më krizat dhe luftërat e rajonit, por bashkëpunimi ekonomik dhe politik ndërmjet dy vendeve.
Në qendër të vizitës është takimi me presidentin Horst Koehler dhe biseda me të. Aty do të flitet për çështjet e integrimit europian, për bashkëpunimin dypalësh, liberalizimin e vizave dhe bashkëpunimin ekonomik e atë në organizatat ndërkombëtare
Topi shoqërohet nga një delegacion i madh, ku është i pranishëm edhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta.
Pjesën më të madhe të delegacionit e zë një grup biznesmenësh nga Tirana, të cilët në bashkëpunim me Dhomën e Industrisë dhe të Tregtisë së Berlinit do të zhvillojnë një forum për forcimin e bashkëpunimit ekonomik, i cili në vitet e fundit ka pësuar një rritje të vazhdueshme.
Këmbimi ekonomik mes dy vendeve pritet të marrë edhe më shumë hov, pas hyrjes në fuqi të marrëveshjes dypalëshe për shmangien e taksave të dyfishta dhe evazionit fiskal, e cila do të nënshkruhet sot pasdite në prani të ministrit të Jashtëm, Ilir Meta.
Vizita e presidentit Topi në Berlin është këmbimi i katërt në nivel presidentësh që zhvillohet mes Shqipërisë dhe Gjermanisë. Pothuajse të gjithë presidentët shqiptarë kanë vizituar Gjermaninë, ndërsa vizita e parë dhe e fundit e deritanishme e një presidenti të Republikës Federale Gjermane në Shqipëri është zhvilluar në vitin 1995 nga Roman Herzog.