E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Topi dhe Presidenti i Hungarisë, Shmit përshëndesin Forumin e Dhomave të Biznesit të Shqipërisë dhe të Hungarisë

3 mars 2011
Budapest, Hungari

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Hungari, ku shoqërohet edhe nga një grup i madh e i rëndësishëm përfaqësuesish të biznesit shqiptar, mori pjesë sot së bashku me Presidentin hungarez Pal Shmit në Forumin e e Dhomave të Biznesit të Shqipërisë dhe Hungarisë.

Në përshëndetjen drejtuar pjesëmarrësve në këtë takim me përfaqësues të lartë të Dhomave respektive të Biznesit, Presidenti Topi vuri në dukje faktin se bashkëpunimi ekonomik ndërmjet vendeve tona është një detyrë dhe një objektiv me një domethënie të qartë në kuadër të integrimit të vendeve tona në Evropën e Bashkuar. “Ekzistojnë të gjitha mundësitë që niveli i shkëmbimeve tregtare ndërmjet dy vendeve të rritet në volumet e përgjithshme të eksport – importit ashtu dhe në fushat konkrete me interes reciprok. Mendoj se përpjekjet e vazhdueshme janë kyçi i një potenciali të pakufizuar për ta çuar në një nivel më të lartë bashkëpunimin bilateral ekonomik” – u shpreh Presidenti i Republikës. Pasi vlerësoi arritjet e biznesit, që pasqyrojnë se çfarë ka bërë secili prej biznesmenëve për vendin e tij, Presidenti Topi u shpreh i bindur se “fati i bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve tona është në duart tuaja dhe se ju e keni fuqinë për të ndërtuar të ardhmen e integrimit të vendeve tona në BE”.

* * *

Gjatë vizitës zyrtare në Hungari, Kreu i Shtetit shqiptar së bashku me Zonjën e Parë, Teuta Topi dhe delegacionin që e shoqëron, zhvilloi një takim të përzemërt e miqësor me përfaqësues të diasporës shqiptare në këtë vend. Duke vlerësuar punën dhe kontributin e tyre për forcimin e lidhjeve të miqësisë dhe bashkëpunimit me Hungarinë si dhe ngritjen akoma edhe më lart të imazhit të Shqipërisë dhe shqiptarëve në botë, Presidenti i Republikës, në prani edhe të Ambasadores së Shqipërisë dhe gjithashtu të Ambasadores së Republikës së Kosovës dekoroi me ‘’Medaljen e Mirënjohjes’’ bashkëkombasin dhe aktivistin e shquar për çështjen e Kosovës, zotin Avni Hafuzi.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›