Presidenti Topi dhe Prokuroria e Përgjithshme, mesazhe ngushëllimi për vdekjen e prokurorit Hana
(E PERDITESUAR)- Presidenti Bamir Topi i ka dërguar një mesazh ngushëllimi familjes së prokurorit Xhevat Hana, i cili u nda dje nga jeta. Në mesazh, Topi vlerëson punën e prokurorit dhe kontributin e tij të rrallë.
Të nderuar familjarë të të ndjerit Xhevat Hana,
Me hidhërim dhe dhimbje mësova për lajmin e ndarjes nga jeta në mënyrë të parakohshme të njeriut tuaj të dashur! Më lejoni që në emër të shtetit shqiptar dhe në emrin tim personal, tju shpreh ju ngushëllimet e thella dhe të sinqerta! Ndarja nga jeta e Xhevatit përbën një humbje të madhe e të pazëvendësueshme për familjen, për kolegët, për vetë shtetin shqiptar, por edhe për të gjithë ata që kanë pasur fatin të bashkëpunojnë e ta njohin atë nga afër, duke i çmuar gjithmonë përkushtimin ndaj detyrës së vështirë të prokurorit, integritetin e profesionalizmin si dhe cilësitë e tij të spikatura qytetare e njerëzore. Në këto çaste të rënda, duke ndarë me ju dhimbjen e humbjes dhe duke ju gjendur pranë shpirtërisht, dëshiroj të vlerësoj edhe njëherë Xhevatin e ndjerë për punën dhe kontributin e tij të rrallë profesional në shërbim të ligjit dhe mbrojtjes së të drejtave të qytetarëve. I përjetshëm qoftë kujtimi i tij! theksohet në mesazhin e ngushëllimit të Presidentit Topi.
Mesazh ngushëllimi ka dërguar edhe Prokuroria e Përgjithshme, e cila ka vlerësuar lart figurën e prokurorit.
Me hidhërim të madh njoftojmë se u nda nga jeta, pas një sëmundjeje të rëndë, prokurori pranë Prokurorisë Për Krimet e Rënda Tiranë, Z. Xhevat Hana. Ndarja e parakohshme është një humbje e madhe për familjen e tij por dhe për kolegët dhe miqtë e tij të shumtë të cilët kanë parë tek ai familjarin e mirë, njeriun korrekt e të përkushtuar ndaj punës, dinjitoz dhe i papërkulur. Xhevat Hana ishte imazhi më i mirë i prokurorit këmbëngulës që ka si mision ruajtjen e fuqizimin e shtetit, fanatik i zbatimit të ligjit gjatë gjithë karrierës së tij të gjatë, çka e kish shndërruar atë në një shembull të devotshmërisë tek kolegët. Xhevat Hana, i lindur në Librazhd më 28.03.1953, e nisi karrierën e tij në organet e hetimit në Mat, në Sarandë në Prokurorinë e Rrethit Tiranë, e më pas në Prokurorinë e Përgjithshme, ndërsa vitet e fundit si prokuror pranë Prokurorisë Për Krimet e Rënda Tiranë.
Gjithshtu Z. Xhevat Hana në periudhën 20032005 ka qenë Këshilltar Juridik i Presidentit të Republikës, si dhe Ndihmes/komisioner ne Institucionin e Avokatit te Popullit. Ndarja me Xhevat Hanën, përveç pikëllimit të thellë për këtë mik e koleg të paharruar, përbën dhe një humbje dhe boshllëk edhe për Prokurorinë Shqiptare që do ta kujtojë këtë figurë të spikatur të drejtësisë me respekt të thellë. Në nderim të tij, Prokuroria Shqiptare do të organizojë ceremoninë e varrimit të Z. Xhevat Hana, në ambientet e Shtëpisë së Oficerëve, Tiranë. Shpenzimet për përcjelljen e kolegut Hana do të bëhen nga institucioni i Prokurorisë, thuhet në njoftimin e prokurorisë.
