Masakruan fëmijën 2 vjeç dhe të atin, arrestohen një shqiptar dhe një grek
Ekzekutori shqiptar dhe porositësi, një personazh i botës së krimit në Greqi, janë ndaluar në Athinë dy ditë më parë
Një shqiptar është ekzekutuesi, ndërsa porositësi një grek, të dy të arrestuar tashmë nga policia e shtetit fqinj për vrasjen e një fëmijë 2 vjeç dhe babait të tij. Policia greke njoftoi dje se i ka arrestuar dy personat e dyshuar si ekzekutorët dhe urdhëruesit e masakrës në Kallamatë të Greqisë, ku u gjetën të vrarë Fitim Mesaja dhe i biri i tij dyvjeçar Olgert. Sipas burimeve të policisë greke, ekzekutori i dy viktimave është një shtetas shqiptar, i arrestuar dy ditë më parë në Athinë, ndërsa urdhërues i masakrës, një shtetas grek, Vasilis Varelas, një ndër personat me aktivitet të gjatë kriminal në Greqi.
Varelas njihet si një ndër kriminelët më të ashpër në Greqi, ku midis të tjerash është akuzuar për vrasje dhe trafik të lëndëve narkotike. Ndonëse ende nuk ka pranuar autorësinë në krim, policia thotë se është autori i ngjarjes. Shtetasi shqiptar që ka pohuar se ka ekzekutuar viktimat pas një urdhri të marrë prej Varelas-it dhe vëllait të tij, i cili është shpallur në kërkim.
Policia thotë se shkak i ekzekutimit të Fitim Mesajës dhe djalit të tij kanë lidhje me ndonjë aferë të prishur midis tyre, pasi viktima Mesaja nuk rezultoi të ishte përfshirë në aktivitete kriminale. Hetimet vazhdojnë dhe në ditët në vijim pritet të dalin hollësi të mëtejshme për ngjarjen makabre. Babë e bir u gjetën të ekzekutuar nga persona të panjohur, ndërsa makina ishte hedhur në greminë. Ngjarja shokuese ka ndodhur në Kallamata të Greqisë. Sipas policisë lokale, ka qenë një banor i zonës që njoftoi policinë se një automjet i markës Mercedes ka rënë në një kanal dhe në brendësi të tij ndodhen dy vetë. E mbërritur menjëherë në vendngjarje, policia ka gjetur fëmijën 2-vjeçar të therur me thikë dhe të atin 35-vjeçar me një plumb në kokë. Polica thotë se ekzekutorët kanë ekzekutuar fillimisht 35-vjeçarin dhe për të zhdukur çdo gjurmë kanë ekzekutuar me gjakftohtësi edhe vogëlushin.