E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi i përgjigjet interesimit të mediave lidhur me zgjedhjet vendore të 8 Majit

9 mars 2011

Pas takimit “Roli i Akademisë së Shkencave në proceset integruese të Shqipërisë” të zhvilluar në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi iu përgjigj interesimit të mediave të pranishme lidhur me zgjedhjet vendore të 8 Majit 2011.

Gazetarja, Vizion +:Zoti President, duket sikur partitë politike i kanë dhënë fund bojkotit dhe po regjistrohen për zgjedhjet vendore të 8 majit. Cili është mesazhi që Presidenti i Republikës jep përpara zhvillimit të këtyre zgjedhjeve për forcat politike?

Presidenti Topi:Sot jemi më 9 mars dhe nuk bëhet më fjalë për ‘besoj’, por partitë, mesa di unë, e kanë pasur detyrimin ligjor ditën e djeshme, në mesnatë. Kështu që kam një kënaqësi të veçantë që partitë politike po përmbushin detyrimet e tyre kushtetuese e ligjore për të respektuar datën e zgjedhjeve për pushtetin administrativ, që është data 8 maj dhe mesazhi im është ai që ka qenë vazhdimisht. E ripërsëris: partitë politike, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet të ushtrojnë të gjitha detyrimet e tyre për të bërë një fushatë të denjë për interesat e qytetarëve. Zgjedhjet për administratën vendore në radhë të parë janë zgjedhje për t’u shërbyer më mirë qytetarëve, sepse është pushteti që është më afër qytetarit. Kështu që unë besoj dhe jam mjaft optimist që përtej retorikave dhe konfliktualitetit politik, partitë politike duhet të respektojnë të gjitha institucionin më të rëndësishëm demokratik, që është institucioni i zgjedhjeve qoftë ky i zgjedhjeve të përgjithshme, qoftë ky i pushtetit vendor. Tani jemi para zgjedhjeve të pushtetit vendor. Ta respektojmë këtë datë! Të krijojmë një klimë të qytetëruar në debatin politik dhe të zhvillohet një debat që të mos shkojë në terma të përgjithshme, por të shkojë pikërisht në ato gjëra, për të cilat ka nevojë qytetari! Të bëjmë të dallueshëm pikërisht pushtetin vendor nga pushteti qendror, sepse ndryshe gjërat kamuflohen, qytetari nuk merr mesazhin e duhur, sepse mesazhet për pushtetin vendor janë shumë të thjeshta. Dikush jeton në fshat, dikush jeton në qytet. Ai që jeton në qytet kërkon rrugë të gjera. Ai që jeton në fshat kërkon një rrugë për të komunikuar, veç shërbimeve të tjera. Pra unë mendoj që është koha e mjaftueshme që institucionet, që partitë politike të bëjnë ç’është e mundur që të krijojnë një klimë të qetë, që qytetari të ketë mundësinë që të shkojë me dëshirë në zgjedhje.

Unë do të kem rastin të jap edhe apele të tjera, por një apel që jepet në kohën e duhur, ndoshta edhe në distancë kohore nga data 8 maj, por që do të vazhdojë të ripërsëritet është që qytetarët duhet të përgatiten që të jenë aktivë në këtë fushatë zgjedhore dhe ç’është më e rëndësishmja, që të gjithë të krijojnë një klimë që të marrin pjesë në zgjedhje! Të zgjidhen në një mënyrë shumë demokratike organet e pushtetiti vendor, të jemi ne ata që të kemi në dorë institucionet! Kur them ne, e kam fjalën për qytetarët dhe pastaj të fitojë më i miri! Të fitojë ai që i jep më shumë besim qytetarit dhe ai që do të realizojë ato projekte që ka premtuar! Ne do të vazhdojmë të jemi në një bashkëpunim të plotë institucional, por edhe me partnerët tanë ndërkombëtarë, të cilët janë shumë aktivë: OSBE-ja, ODIHR-i, të gjithë ata që kanë shprehur dëshirën të monitorojnë situatën e zgjedhjeve, janë të gjithë njerëz të interesuar dhe besoj që interesi i të gjithëve është që Shqipëria dhe shqiptarët të jenë sa më shpejt në Bashkimin Evropian!

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›