E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi inspekton Qendrën e Menaxhimit të Ndihmave të operacionit “Emergjenca Civile” në Gjadër.

9 dhjetor 2010

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi dhe njëkohësisht Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura vizitoi sot në mesditë Aeroportin Ushtarak të Gjadrit dhe Qendrën e Menaxhimit të Ndihmave të operacionit “Emergjenca Civile” për Shkodrën.

Në Aeroportin Ushtarak të Gjadrit, Kryetari i Shtetit shqiptar dhe Komandanti i Përgjithshëm u prit dhe u shoqërua nga Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, Zëvendësministri i Mbrojtjes, Ekrem Spahiu, nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral Major, Maksim Malaj, nga Gjeneral Brigade Xhemal Gjunkshi, i cili është në krye të Bridadës Logjistike të operacionit si dhe nga Komandanti i Forcave Ajrore Shqiptare, Gjeneral Brigade, Dhori Spirollari.

Gjatë këtij inspektimi Presidenti Topi u takua dhe u përshëndet me trupat ushtarake shqiptare, trupat kosovare të sigurisë, trupat ushtarake turke dhe greke, duke u informuar hollësisht rreth zhvillimit të operacionit të emergjencës civile për përballimin dhe kapërcimin e situatës kritike të krijuar nga përmbytjet. Më pas Presidenti Topi, pasi vlerësoi lart trupat ushtarake shqiptare dhe të huaja, sidomos pilotët, të përfshirë në këtë operacion të vështirë për përkushtimin dhe profesionalizmin e tyre të lartë, sipas standardeve të NATO-s duke u shprehur njëkohësisht edhe mirënjohjen miqve dhe aleatëve turq dhe grekë, inspektoi edhe tunelet e rezervave të shtetit ku po paketohen ndihmat ushqimore.

Në përfundim të këtij inspektimi Presidenti Topi theksoi në prani të përfaqësuesve të mediave: “Kam rastin këtu të shikoj një organizim të përkryer të të gjitha forcave të Ushtrisë, të rezervave të shtetit në funksion të përballimit të kësaj situate të vështirë, që ju po e ndiqni dhe që nëpërmjet jush, po ndiqet minutë pas minute.

Kam rastin këtu gjithashtu të falënderoj nga zemra përfaqësuesit e forcave ushtarake të Turqisë dhe të Greqisë, të cilët iu përgjigjën në mënyrë të menjëhershme kësaj situate! Ato së bashku me Forcat tona të Armatosura po punojnë jo vetëm si fqinj të mirë, por edhe si aleatë të mirë, pasi Shqipëria sot është vend i NATO-s. Po ashtu edhe Greqia e Turqia janë vende të NATO-s dhe po tregojnë jo vetëm përkushtim, por edhe një profesionalizëm të lartë dhe një humanizëm të qartë e të shprehur.

Kam rastin të konstatoj këtu që falë këtij organizimi është krijuar një bazë shumë e rëndësishme e rezervave ushqimore. Helikopterët dhe të gjitha mjetet e tjera të transportit po punojnë pa pushim. Këtu punohet me një regjim 24-orësh dhe jam i bindur që kjo gjendje falë këtij përkushtimi dhe falë këtij organizimi do të kalohet me sukses. Jam gjithashtu i bindur që pas kalimit të këtyre emergjencave patjetër që do të ketë një projekt të qartë, sikurse është shprehur edhe nga institucionet e tjera për t’i paraprirë me një profesionalizëm në të gjitha fushat, sepse padyshim që ka nevojë për vepra inxhinierike, ka nevojë për një bashkëpunim midis qeverisë qendrore dhe pushtetit vendor dhe ka nevojë për një bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë. Unë jam i bindur që gjithë kjo zonë, e prekur për shkak të situatave të veçanta klimatike të krijuara dhe ne po flasim për në Shkodër, por situata e rënduar e rreshjeve ka qenë në të gjithë Shqipërinë. Kemi pasur dëme kudo, por meqënëse qendra e rëndesës është këtu, edhe përkushtimi kryesor, edhe angazhimi i të gjitha forcave ose më mirë le të themi i pjesës më të madhe të forcave, është këtu. Jam i bindur pra, që ne do ta kalojmë këtë situatë dhe patjetër do të jemi në gjendje që në të ardhmen të parandalojmë me sukses, falë një organizimi më të mirë, të gjitha situatat që mund të krijohen nga kapriçot e motit.

Edhe njëherë, ju falemnderit!”

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›