E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi “lan duart” me kufirin: “Kam besim te Gjykata Kushtetuese”



Gjatë mbledhjes së djeshme të Gjykatës Kushtetuese, gjatë së cilës është diskutuar ankimimi i Partisë Socialiste për Marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Greqisë për përcaktimin e kufirit detar, ka qenë i ftuar dhe një përfaqësues nga institucioni i Presidentit të Republikës. Zyra e Presidentit të Republikës i ka dërguar dje Gjykatës Kushtetuese një letër të firmosur nga vetë kreu i shtetit. Në këtë letër, kreu i shtetit shkruante se nuk kishte asnjë koment për Marrëveshjen për përcaktimin e kufirit mes Shqipërisë dhe Greqisë. Madje Presidenti i Republikës kishte shprehur besimin e plotë në vendimin e drejtë dhe në zbatim të Kushtetutës nga ana e kësaj gjykate.
Por, përfaqësuesit e Partisë Socialiste, në listën e gjatë të argumenteve kundër kësaj marrëveshjeje, ka përfshirë edhe shmangien e Presidentit të Republikës. Sipas përfaqësuesve të Partisë Socialiste, në Marrëveshjen midis Shqipërisë dhe Greqisë për përcaktimin e kufijve detarë u anashkalua plotësisht roli i Presidentit. Megjithatë, zyra e Presidentit, nëpërmjet letrës së dërguar Gjykatës Kushtetuese, ka argumentuar qëndrimin e Presidentit Bamir Topi rreth paktit me Greqinë. Në letrën e kreut të shtetit thuhej se Presidenti nuk ka asnjë koment konkret për Marrëveshjen dhe se ka besim në një gjykim të drejtë nga ana e anëtarëve të Kushtetueses.

9 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›