PS: Shqipëria ka humbur mesin e kanalit të Otrantos dhe të Korfuzit
Eljona Ballhysa
Gjykata Kushtetuese ka shqyrtuar gjatë ditës së djeshme, në një mbledhje maratonë që ka zgjatur për gati 7 orë, ankimimin e Partisë Socialiste për përcaktimin e kufijve detarë mes Shqipërisë dhe Greqisë. Të pranishëm në mbledhjen e djeshme ishin përfaqësues të Partisë Socialiste, të Kryeministrisë, të Kuvendit, të Ministrisë së Mbrojtjes, Ministrisë së Jashtme, Presidentit të Republikës dhe ekspertë ushtarakë. Përfaqësuesit e Partisë Socialiste, Saimir Tahiri dhe Damian Gjiknuri, paraqitën argumentet e tyre, që faktojnë se Marrëveshja në fjalë është antikushtetuese dhe sjell humbje territoriale për Shqipërinë. Sipas socialistëve, Shqipëria nga kjo marrëveshje humb mesin e kanalit të Otrantos dhe mesin e kanalit të Korfuzit. Ndërsa përfaqësuesit e Ministrisë së Mbrojtjes bënë të ditur se Marrëveshja është në përputhje me Kushtetutën dhe nuk cenon kurrsesi integritetin territorial të vendit. Gjykata Kushtetuese, pasi dëgjoi më vëmendje argumentet e të gjithë përfaqësueseve, u tërhoq për të marrë një vendim që do të bëhet publik në një datë të mëvonshme. Ndërkaq, Gjykata Kushtetuese, me një vendim të mëparshëm, ka pezulluar procedurat e ratifikimit të kësaj marrëveshjeje në Kuvendin e Shqipërisë deri në dhënien e një vendimi përfundimtar nga kjo gjykatë.
Argumentet
Deputetët socialistë, Tahiri dhe Gjiknuri, janë shprehur se Marrëveshja me Greqinë për përcaktimin e kufirit detar me Shqipërinë, e nënshkruar këtë vit, është antikushtetuese, pasi fazat e përgatitjes së saj shkelin rëndë Kushtetutën. Partia Socialiste kërkoi që Ministria e Punëve të Jashtme të paraqesë protokollin e vitit 1958 që vendi ynë ka nënshkruar me Greqinë dhe protokollin e vitit 1997. Sipas PS-së, ky protokoll bën fjalë për kontrollin e përbashkët të kufirit. Po kështu, PS vë në dukje se marrëveshja ka mungesë të plotë transparence, se qeveria nuk ka ofruar informacion për paktin dhe ka keqinformuar publikun. Socialistët gjithashtu kërkojnë mendimin e ekspertëve të huaj rreth kësaj marrëveshjeje, ndërsa kanë theksuar dëmet që i sjell vendit miratimi i saj.
Bashkë me deputetët e PS-së ka qenë i pranishëm edhe eksperti i pavarur, nënkoloneli Myslym Pashai, i cili ka sjellë detaje nga matjet që ka bërë duke u bazuar në harta. Sipas tij, në bazë të kësaj marrëveshjeje, Shqipëria humbet kilometra të caktuara territor detar. Sipas përfaqësuesve të PS-së, Shqipëria, vetëm në 1 km sipërfaqe bregdetare, nëpërmjet kësaj marrëveshjeje, humbet rreth 7.7 km2 sipërfaqe detare. Ata pretendojnë se Shqipëria nga kjo marrëveshje ka humbur mesin e kanalit të Otrantos dhe mesin e kanalit të Korfuzit.
Ndërsa përfaqësues të qeverisë hodhën poshtë pretendimet e Partisë Socialiste dhe e konsideruan se Marrëveshja është në përputhje me marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara. Gjithashtu, ekspertët e qeverisë, të përfaqësuar dhe nga forcat detare, u shprehën se deri sot Shqipëria nuk e ka pasur të përcaktuar kufirin detar me shtetin grek vetëm për shkak të marrëdhënieve shumë të mira që ekzistojnë midis dy vendeve. Në emër të qeverisë, Marrëveshjen e mbrojti në mbledhjen e Gjykatës Kushtetuese eksperti i Ministrisë së Mbrojtjes, Kristaq Gërvenji, i cili u shpreh se argumentet e PS-së nuk qëndrojnë dhe se Marrëveshja nuk shkel asnjë centimetër territor Shqipërisë. Nga ana tjetër, Gërvenji zbuloi një detaj të negociatave me palën greke, duke bërë të ditur një kërkesë të Greqisë për më shumë hapësirë në kanalin e Korfuzin dhe që është rrëzuar poshtë nga pala shqiptare. “Gjatë negociatava ka qenë pala greke që ka propozuar që Shqipëria të ketë më shumë hapësirë në det, me kusht që Shqipëria t’i japë më shumë territor Greqisë në kanalin e Korfuzit. Por kjo nuk është pranuar”, - është shprehur eksperti i Ministrisë së Mbrojtjes.
Pas 7 orë diskutimesh, pyetjesh dhe përgjigjesh, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese kanë vendosur ta mbyllim mbledhjen dhe të tërhiqen për të marrë një vendim. Ky vendim pritet të bëhet publik ditët e ardhshme. Ndërkohë, Marrëveshja me Greqinë nuk mund të kalojë për miratim në Kuvendin e Shqipërisë për shkak se gjatë mbledhjes së kaluar Gjykata Kushtetuese vendosi pezullimin e procedurave të miratimit të saj deri në një vendim përfundimtar.
Pretendimet e Partisë Socialiste
Marrëveshja cenon Nenin 3 të Kushtetutës, i cili ka të bëjë me sovranitetin territorial të shtetit.
Në hartimin e kësaj marrëveshjeje nuk janë marrë në konsideratë faktet historike lidhur me kufirin shqiptaro-grek.
Marrëveshja nuk shoqërohet më një hartë në të cilën të përcaktohen qartë vijat e kufirit detar midis dy vendeve.
Kufiri shqiptaro-grek është vendosur dhe është njohur si i tillë nga Fuqitë e Mëdha me Vendimin e Konferencës së Ambasadoreve të Londrës të 10 gushtit 1913, me Protokollin e Firences të dhjetorit 1913, është rikonfirmuar me protokollet e Firences të viteve 1925 dhe 1926.
Marrëveshja e nënshkruar ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë vjen në kundërshtim dhe në shkelje të hapur me kufirin detar ekzistues ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë, siç është përcaktuar nga të gjitha hartat e kohës që nga viti 1925 deri në ditët e sotme.
9 Dhjetor 2009