Konfirmimi sipas Marko Bellos/Kundërshtarët e Edi Ramës zyrtarizojnë 300 firma, mes tyre edhe Rexhep Meidani

Kundërshtaret e Edi Ramës brenda Partisë Socialiste, deklarojnë se kanë mbledhur 300 firma delegatësh për të futur në rend të ditës në Kongresin e sotëm, ndryshimet statusore. Mes firmëtarëve, sipas deputetit Marko Bello, është edhe ish-presidenti Rexhep Meidani. “Në emër të kolegëve, delegatë të kongresit të PS, ju bëj me dije se rreth 300 kolegë kemi firmosur paketën për ndryshime statusore. Janë delegatë nga gjithë Shqipëria. Ka midis tyre personalitete të spikatur të PS, kontribuues në vite të forcimit të forcës sonë politike, midis të cilëve do të përmendja me shumë kënaqësi profesor, doktor Rexhep Meidanin, i cili gjithashtu ra dakord të mbështesë këtë paketë e cila do t’i paraqitet nesër kongresit. Do të kërkojmë që këto ndryshime të vihen nesër në rendin e ditës dhe te votohen përmes një votimi të fshehtë ku jemi shumë të sigurt se kjo paketë do të mbështetet nga shumica dërrmuese e gjithë anëtarëve të kongresit sepse votimi i fshehtë është një votim demokratik ku secili shprehet pa iu bërë presion, mendimin e vet”, thotë Bello. Më tej Bello shtoi se zhvillimi i punimeve të kongresit në mënyrë transparente është një kërkesë e domosdoshme e grupit kundërshtar të Ramës. Por nëse në rend të ditës nuk përfshihet pika për ndryshimet statusore, atëherë ky grupim do të përdorë median, për të sensibilizuar anëtarësinë e selisë së Partisë Socialiste.
...