E Diel, 1 Nëntor 2026

Edvini organizon sot Kongresin e Vazhdimësisë. Ai dhe Ruçi flasin “hapur” - Kongresi, “i mbyllur” dhe “mbytës” për 1500 delegatët e tjerë

Sot vëmendja e anëtarësisë socialiste do të jetë e përqendruar e gjitha në Kongresin e Jashtëzakonshëm të partisë së tyre. Përballë debateve të hapura brenda anëtarësisë e drejtuesve të PS-së, si dhe përballë kësaj vëmendje të pritshme, të interesuarit, jo vetëm anëtarë të PS-së, do të kenë fatin të dëgjojnë vetëm raportin e Gramoz Ruçit, fjalën e Edi Ramës dhe të ndonjë kandidati tjetër të mundshëm për kryetar të PS-së. Ndërsa zërat e delegatëve, të atyre që duhet të dëgjoheshin më shumë sot, nëpërmjet mekanizimit të zgjedhur nga Kryesia dhe të publikuar dy ditë më parë edhe nga Mimi Kodheli, këta zëra do të mbyten. Rreth dy muaj pas zgjedhjeve parlamentare, socialistët ende përpëliten nga humbja e 28 qershorit, pa mundur të bien në qetësi për atë që u ka ndodhur. Në faqet e para të thuajse të gjitha gazetave të ditës pasqyrohen konfliktet mes grupimeve brenda Partisë Socialiste. Ndërkohë, debatet janë edhe më të ashpra brenda radhëve të tyre. Rreth 35 ish-zyrtarë socialistë, themelues të kësaj partie, nëpërmjet një letre të hapur i kërkojnë Edi Ramës të mos rikandidojë. Socialistët e Vlorës, Fierit, Lushnjes, Pogradecit i kërkojnë Edi Ramës të rikandidojë. Korça përshëndet kandidaturën e Ben Blushit dhe Arben Malajt. Socialistët e Kuçovës herë fajësojnë Erjon Braçen për humbjen dhe herë shprehen pro Edi Ramës për kryetar. Shpëtim Gjika e cilëson Kastriot Islamin kryekriminel të zgjedhjeve, ndërsa ky i fundit i kthehet me akuzat e tipit “i korruptuar dhe shitës votash”. Andis Harasani krahason Edi Ramën me Enver Hoxhën. Ish- kryetarja e Komisionit të Zgjedhjeve Zamira Caka i kërkon dorëheqjen zëvendësuesit të saj, Genci Gjoncajt si i punësuar në bashkinë e Tiranës dhe i paaftë të menaxhojë një proces zgjedhor të paanshëm. Akuzat janë pa fund brenda socialistëve që po shfryjnë komplekset dhe ndrydhjen e 4 viteve të kaluara kur Edi Rama ka qenë në krye të Partisë. Delegatët e kongresit të Partisë Socialiste do të diskutojnë edhe mbi përgjegjësinë e secilit prej udhëheqësve të tyre në humbjen e zgjedhjeve lokale. Por ndërsa normalisht duhet të ishin pjesa që duhet të dëgjoheshin më shumë, në Kongresin e sotëm, vetëm këta nuk do të dëgjohen, ndërsa do të dëgjohen Gramoz Ruçi, Edi Rama edhe ndonjë kandidat i mundshëm tjetër për kryetar të PS-së. Kongresi i Jashtëzakonshëm i Partisë Socialiste do të nisë punimet nesër në orën 11.00 në Pallatin e Kongreseve. Janë 1500 delegatë të cilët do të njihen që në fillim të Kongresit me raportin e hartuar nga kryesia dhe sekretariati i PS lidhur me atë që socialistët e cilësojnë krimi elektoral i 28 qershorit. Raporti do të lexohet nga kryetari i Asamblesë Kombëtare Gramoz Ruçi ky raport do të analizojë procesin dhe do të shprehë vendimin e socialistëve për të mos njohur zgjedhjet e fundit parlamentare, si zgjedhje të manipuluara dhe të cenuara rëndë. Pas leximit te raportit dyert do të mbyllen për median për të vijuar me diskutimet mes delegatëve, deputetëve dhe drejtuesve të PS-së lidhur me përgjegjësinë e humbjes më 28 qershor. Është kjo pika që pritet të ndezë debatet në sallë ndërkohe që kritikët e kryetarit Rama deklarojnë se kanë siguruar firmat e duhura për t’i kërkuar Kongresit dhe delegatëve ndryshimet e 10 pikave në statut. Këto ndryshime fokusohen kryesisht në përgjegjësinë e kryetarit në rast të humbjes së zgjedhjeve dhe forcimit të autonomisë së forumeve drejtuese. Pas mbytjes së zërit ët delegatëve, Kongresi do t’i hapë sërish dyert sipas vendimit të fundit të kryesisë, pas disa orësh debati në momentin e paraqitjes së platformës së kandidatëve për kryetar partie. Sipas ndryshimeve bërë së fundmi Statutit të partisë kandidatet nuk duhet të sigurojnë me firmat e delegatëve për të kandiduar për postin e kryetarit. Dy emrat që pritet të bëhen zyrtare nesër për të konkurruar për kryetar janë Edi Rama, që drejton PS-në prej 4 vitesh dhe deputeti socialist, Arben Malaj.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›