E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi merr çmimin e publikut “Njeriu më i suksesshëm i vitit 2009” nga Shijak Televizion.

29 dhjetor 2009

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi mori sot paradite çmimin “Njeriu më i suksesshëm i vitit 2009” nga Shijak Televizion. Kreu i shtetit u votua nga teleshikuesit e shumtë të emisionit “FORUM”, i cili është transmetuar çdo ditë drejtpërdrejt përgjatë gjithë muajit dhjetor. Ky çmim iu dorëzua Presidentit Topi nga drejtuesja e këtij emisioni, zonja Eliana Hoxha gjatë një ceremonie të veçantë të zhvilluar në Presidencë.

Pasi mori në dorëzim certifikatën që e shpallte “Njeriun më të suksesshëm të vitit 2009”, Presidenti Topi u shpreh: “Sinqerisht ndjehem i emocionuar, ndjehem i lumtur që më akordohet një çmim i tillë nga publiku i TV Shijak, i cili mbetet për ne qeliza e parë e medias private në Shqipëri. Sot natyrisht ka shumë kanale televizive, radiofonike, por njeriu duhet të dijë ta kthejë kokën mbrapa për të parë sesi është ngritur kjo ndërtesë kaq e rëndësishme e institucioneve demokratike në Shqipëri, sepse media vërtetë konsiderohet një pushtet i rëndësishëm, por brenda këtij pushteti ka kanale televizive, të cilat e kanë ngritur punën e tyre, funksionin e tyre në momente natyrisht të vështira. Unë e përkufizoj misionin e Shijak TV si një mision eksplicit, shumë i qartë, shumë i pastër në funksion të rritjes së elementeve të demokracisë në Shqipëri. Ka qenë një nga ato televizione që e ka thënë zërin e tij pastër, pa ambiguitete dhe ndonëse mund të jetë konsideruar i pozicionuar, ndonjëherë pozicionimi i pastër lë shije të mira. Më vjen mirë që zëri i Shijak TV sot është një zë i publikut, një zë i hapur. Në momentin që morët fjalën reflekset erdhën në atë orarin e mëngjesit kur ju komunikoni shumë mirë me qytetarët”.

Duke përfituar nga rasti, Kreu i shtetit shqiptar bëri edhe këtë urim: “ Dëshiroj që t’u uroj të gjithë shikuesve të televizionit tuaj një vit të mbarë! Në radhë të parë një vit të shëndetshëm në familjet e tyre! Një vit ku të kenë mundësi që të punojnë, sepse vetëm nëpërmjet punës do të rrisin standardet e tyre ekonomike dhe u uroj të gjithë shqiptarëve nëpërmjet televizionit tuaj që viti 2010 të jetë një vit i sukseshëm për ne! Edhe ju personalisht duke ju komplimentuar për punën tuaj ju uroj gjithashtu një vit të sukseshëm”!

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›