Kryeministri Berisha: Qeveria shqiptare do të bëjë çdo përpjekje që ndihma dhe solidariteti i donatorëve të përdoret në mënyrën më eficente
- Drejtori i Përgjithshëm i Zgjerimit në KE, z. Michael Leigh shprehu përgëzimet e tij për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe e vlerësoi këtë si një hap themelor në progresin e vendit.
- Kryeministri Berisha: Rezultatet edhe shembujt e Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit janë inkurajuese
Kryeministri Berisha mori pjesë sot paradite në konferencën dyditore me temë “Koordinimi i donatorëve në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi”, organizuar nga Qeveria shqiptare dhe Komisioni Europian, në mjediset e hotel Sheraton.
Të pranishëm në këtë konferencë ishin Drejtori i Përgjithshëm i Zgjerimit në KE, z. Michael Leigh, Ambasadorja e Çekisë në Shqipëri, zonja Marketa Fialkova, si përfaqësuese e vendit kryesues të Bashkimit Europian, Ambasadori i Delegacionit të KE-së në Shqipëri, z. Helmuth Lohan, Zëvendëskryeministri z. Genc Pollo, ministra të kabinetit qeveritar, etj. Kjo tryezë mbledh gjithashtu rreth 200 përfaqësues të institucioneve financiare, shteteve anëtare të Bashkimit Europian, donatorë jashtë vendeve të BE-së dhe përfaqësues nga Ballkani Perëndimor dhe Turqia.
Ambasadori i Delegacionit të KE-së në Tiranë, z. Lohan, vlerësoi organizimin e kësaj konference në Tiranë dhe theksoi se të gjitha institucionet ndërkombëtare dhe donatorët mbështesin Shqipërinë në fushën e zhvillimit dhe integrimit. Në këtë kohë të krizës globale ekonomike, tha ai, është normale që çdo asistencë dhe ndihmë e donatorëve të mirëmendohet, ndaj është shumë i nevojshëm koordinimi sa më i mirë i aktiviteteve të donatorëve.
Drejtori i Përgjithshëm i Zgjerimit në KE, z. Michael Leigh, duke falënderuar palën shqiptare për kontributin në organizimin e kësaj konference, shprehu përgëzimet e tij për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe e vlerësoi këtë si një hap themelor në progresin e vendit. Gjithashtu, ai vlerësoi dhe ecurinë procesit të integrimit të Shqipërisë në BE.
Zoti Leigh theksoi rëndësinë e organizimit të kësaj konference me donatorët në këtë periudhë të krizës botërore ekonomike, duke u shprehur se për të pasur sukses, duhen përballuar sfidat që dalin nga kjo krizë. Në Bashkimin Europian, tha ai, ka tashmë një paketë për t’iu përgjigjur kësaj krize që merr në konsideratë vendet aktuale anëtare, si dhe gatishmërinë për t’u ardhur në ndihmë vendeve partnere të rajonit, që ato t’ia dalin mbanë në këtë sfidë. Kjo paketë do të mobilizojë 150 milionë euro, në kuadrin e IPA-s, instrumentit të paraaderimit, më vonë do të jenë edhe 600 milionë euro të tjera nga institucionet financiare ndërkombëtare.
Nga ana e tij, Kryeministri Berisha tha se Konferenca me donatorët është një rast shumë i veçantë për t’u shprehur atyre mirënjohjen më të thellë, falënderimet më të përzemërta për bujarinë që ata kanë dëshmuar dhe ndihmën e jashtëzakonshme që i kanë dhënë Shqipërisë në rrugën e ndërtimit të demokracisë dhe ekonomisë së tregut.
Kryeministri vlerësoi se bashkëpunimi rajonal ka një rëndësi të jashtëzakonshme. “Ne synojmë të bashkohemi dhe të integrohemi plotësisht në Bashkimin Europian dhe proceset integruese kanë qenë dhe mbeten motivi udhëheqës i politikave tona, i përpjekjeve tona për një të ardhme më të mirë të kombeve dhe vendeve tona”, tha Kryeministri.
Duke vënë në dukje faktin se konferenca mblidhet në një moment stuhie botërore në rrafshin financiar dhe ekonomik, kryeministri theksoi se ky takim merr një rëndësi të veçantë, për Shqipërinë dhe mbarë rajonin, pasi jo vetëm ofron ndihmën bujare të donatorëve, por fton vendet e rajonit të bëjnë çdo përpjekje për një përballje rajonale të parandalimit apo minimizimit të pasojave të kësaj krize.
Më tej, Kryeministri bëri një paraqitje të reformave të ndërmarra nga qeveria, veçanërisht në krijimin e një klime të favorshme për biznesin dhe tërheqjen e donacioneve të huaja, duke u shprehur se kryesore ka qenë dh mbetet, lufta kundër korrupsionit, privatizimet e korporatave të mëdha, reforma në sistemin e taksave dhe tatimeve, vendosja e prokurimeve elektronike, etj. “Rezultatet e Shqipërisë unë i konsideroj inkurajuese. Ju bëj me dije se, bazuar në luftën kundër korrupsionit, në këto katër vite, buxheti i qeverisë sime ka pasur së paku 4.5 miliardë dollarë më shumë sesa në vitet pararendëse”, nënvizoi Kryeministri.
Kryeministri theksoi se një ndër prioritetet e qeverisë, në drejtim të investimeve dhe orientimit të donacioneve, është arsimi dhe zhvillimi i qëndrueshëm rural. “”Arsimi është dhe do të mbetet prioriteti i parë. Ne kemi dyfishuar buxhetin për arsimin dhe duhet të ecim më tej në këtë rrugë. Por, do të mirëprisja çdo ndihmë nga vendet tuaja, në mënyrë që arsimi i vendit tim të arrinte nivele dhe standarde që do të ndihmonin Shqipërinë dhe do të shpejtonin zhvillimin e saj”, vijoi Kryeministri.
Gjithashtu, Kryeministri tha se fokusi tjetër i prioriteteve është zhvillimi i qëndrueshëm rural. “Ne po përpiqemi dhe po investojmë shumë në këtë drejtim, por vlerësojmë shumë edhe ndihmën e vendeve tuaja, në mënyrë që zonat tona rurale të kapërcejnë atë prapambetje të madhe që kanë trashëguar dhe të mund të gëzojnë edhe ato infrastrukturën dhe shërbimet që meritojnë”, tha Kryeministri.
Kryeministri Berisha siguroi se qeveria shqiptare do të bëjë çdo përpjekje që ndihma, bujaria dhe solidariteti i donatorëve të përdoret në mënyrën më eficente për qytetarët shqiptarë. Gjithashtu, kryeministri tërhoqi vëmendjen se vendimtare për shfrytëzimin e donacioneve dhe përdorimin e përgjegjshëm të tyre, mbetet koordinimi më i mirë dhe adresimi i tyre në projekte prioritare.
Qëllimi i konferencës dyditore mbi “koordinimin e donatorëve në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi”, është evidentimi i progresit të bërë në përmirësimin e koordinimit të donatorëve, shkëmbimin e përvojave më të mira, adresimin e mangësive që mbeten dhe dhënien e rekomandimeve praktike lidhur me përmirësimin e mëtejshëm të koordinimit të donatorëve. Në konferencë do të diskutohen masat konkrete në sektorët e arsimit, mjedisit dhe transportit, të cilat luajnë një rol një rol shumë kyç në zhvillimin ekonomik e social dhe në integrimin evropian dhe rajonal të Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë.
Ndihma financiare e Donatorëve ndaj Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë gjatë viteve 2005-2008 ka qenë rreth 20 miliardë euro.
Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Është një kënaqësi e veçantë për mua t’i adresohem sot kësaj audience dhe të përshëndes këtë konferencë rajonale, që përbën një ngjarje shumë të rëndësishme për Shqipërinë dhe për rajonin. Konferenca me donatorët është një rast shumë i veçantë për t’u shprehur atyre mirënjohjen më të thellë, falënderimet më të përzemërta për bujarinë që ata kanë dëshmuar, për ndihmën e jashtëzakonshme që ata i kanë dhënë Shqipërisë, por në tërësi edhe vendeve të rajonit, në rrugën e tyre të ndërtimit të demokracisë dhe ekonomisë së tregut.
Në datën 4 prill, Shqipëria shpallet përfundimisht vend anëtare e NATO-s. Dje, u depozituan dokumentet pranë Departamentit Amerikan të Shtetit. Po dje, hyri në fuqi Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Europian. Këto ngjarje të mëdha të një rëndësie epokale për Shqipërinë do të ishin shndërruar në një horizont të pa kapshëm, pa bujarinë, pa solidaritetin e jashtëzakonshëm, pa ndihmën aq të madhe dhe të çmuar të vendeve, qeverive dhe taksapaguesve tuaj, institucioneve që ju kryesoni.
Në të gjitha vendet e rajonit, Shqipëria në distancë ka pasur 17 vjet më parë një fillim pothuaj në vakum. Drejtori i Përgjithshëm i Koordinimit dhe Zgjerimit në KE, i cili sot na ka nderuar me pjesëmarrjen e tij këtu, është njëri prej atyre dëshmitarëve se cila ishte Shqipëria e vitit 1992, kur ai erdhi këtu. Unë po rikujtoj për të tjerët se Shqipëria ishte vendi i të ardhurave për frymë 204 dollarë, Shqipëria ishte vendi në të cilën bunkerët ishin 3 herë më shumë se sa apartamentet për qytetarët, Shqipëria ishte vendi i një kolapsi total në industrinë e tij.
Sot, Shqipëria është një vend tjetër. Ajo për pak ditë anëtarësohet në NATO. Për Shqipërinë dje hyri në fuqi MSA. Për të gjitha këto ka pasur një rëndësi përcaktuese ndihma e jashtëzakonshme e juaja, e cila në tërësinë e saj, me një përllogaritje të përafërt, tejkalon 5 miliardë euro.
Në ato vite të para diskutohej për një plan marshall, duke rikujtuar planin marshall që Shtetet e Bashkuara u ofruan vendeve të Europës të rrënuara nga lufta. Jam i sigurt se për Shqipërinë ky ishte një plan marshall i vërtetë.
Ndaj dua edhe njëherë t’ju shpreh, me gjithë zemër, mirënjohjen më të thellë dhe t’i uroj suksese kësaj konference.
Është shumë e rëndësishme që ne mblidhemi sot këtu si rajon dhe e konsideroj të një rëndësie të dorës së parë bashkëpunimin rajonal. Ne synojmë të bashkohemi dhe të integrohemi plotësisht në Bashkimin Europian dhe proceset integruese kanë qenë dhe mbeten motivi udhëheqës i politikave tona, i përpjekjeve tona për një të ardhme më të mirë të kombeve dhe vendeve tona. Janë këto procese të cilat po na ndihmojnë ne të shkëputemi me shpejtësi nga një e shkuar e cila ishte realisht mjaft e hidhur, janë këto procese që po bashkojnë përpjekjet tona për një zhvillim shumë më të shpejtë.
Konferenca mblidhet në një moment stuhie botërore në rrafshin financiar dhe ekonomik. Edhe në këtë aspekt, kjo konferencë merr një rëndësi të veçantë, për Shqipërinë dhe mbarë rajonin. Ajo, jo vetëm ofron ndihmën bujare të donatorëve, por fton vendet tona të bëjnë çdo përpjekje për një përballje rajonale të parandalimit apo minimizimit të pasojave të kësaj krize,e cila në një mënyrë apo një tjetër, do të prekë dhe ka prekur dhe rajonin tonë.
Zonja dhe zotërinj!
Taksapaguesit e vendeve tuaja, me bujari të madhe, kanë dhënë dhe japin ndihmën për vendet tona, konkretisht edhe për Shqipërinë. Në këtë raport, do të doja të theksoja se, vendimtare për shfrytëzimin rajonal të kësaj ndihme, por edhe për përgjegjësinë e madhe të përdorimit të saj, është koordinimi më i mirë, adresimi i saj në projekte. Faktikisht kjo po ndodh. Mund të numëroj këtu me dhjetëra e dhjetëra projekte, të cilat me impaktin e tyre, po ndryshojnë progresivisht Shqipërinë. Përdorimi donacioneve, orientimi i drejtë i tyre sipas përparësive, ka një kusht themelor; luftën efikase kundër korrupsionit.
Është e pafalshme, e pa pranueshme, që paratë taksapaguesve të vendeve mike të përfundojnë në vorbujt e korrupsionit të vendeve tona. Shqipëria dhe rajoni në tërësi, ka bërë një progres të madh në luftën kundër korrupsionit. Por gjykoj se, duke e shpallur atë si një “kancer”, kjo luftë duhet të vazhdojë me zero tolerancë. Në këtë kontekst, unë t’ju ftoja që para së gjithash, ndihmën ta adresoni në projekte që vendosin standardet më të mira të vendeve tuaja në vendet tona, projekte të cilat duhet të kenë si qëllim të parë luftën me zero tolerancë ndaj korrupsionit, reformat që parandalojnë korrupsionin.
U ndala në këtë pikë, sepse shembujt dhe rezultatet e Shqipërisë unë i konsideroj inkurajuese. Ju bëj me dije se, bazuar në këtë luftë, në këto katër vite, buxheti i qeverisë sime ka pasur së paku 4.5 miliardë dollarë më shumë sesa në vitet pararendëse. Këto kanë ardhur së pari nga shkurtimi i shpenzimeve operative të administratës, nga 3.2 në 2 për qind të GDP-së. Duhet një kujdes i madh, sepse administrata përbën një rrezik të madh për shpërdorimin e parave publike, edhe në mënyrë të pakuptueshme, edhe duke fjetur, ndaj fryrja e saj, mosrespektimi i kritereve të saj, duhet mbajtur gjithmonë në fokus dhe në vëmendje.
Qeveria ime ia doli këto katër vite të ketë rreth 4.5 miliardë dollarë më shumë disponibël, sepse ajo ndaloi tërësisht prokurimet direkt. Sot, në sajë të një projekti të USAID-it, është, në dijeninë time, i vendi i vetëm me prokurime tërësisht elektronike. Në këtë proces janë kursyer nga 15 deri në 20 për qind, sipas vitit të kostos së përgjithshme të prokurimeve publike. Por ka pasur efekte jashtëzakonisht shumë pozitive. Gjykoj se është përpjekja jonë në luftën kundër korrupsionit në sistemin e taksave dhe tatimeve, evazioni, informaliteti, kontrabanda, që të gjitha pra kanë si matematriks korrupsionin.
Krahas reformave të thella që morëm, në sistemin e taksave dhe tatimeve, ne ulëm edhe taksat. Ne ndërmorëm një ulje dramatike të taksave. Këto faktojnë faktin që çdo vit të ardhurat të rriten me 22 për qind, çdo vit qeveria ime të dërgojë në parlament një buxhet të dytë.
Unë ju siguroj se këto rezultate vërtetë janë inkurajuese, por sërish korrupsioni mbetet një problem serioz për vendin, sërish korrupsioni mbetet një problem i hapur në vendin tim. Dhe për këtë arsye, ne jemi të vendosur të përballemi me të, kemi pasur një ecuri të mirë vitin e kaluar dhe po përpiqemi shumë të ecim më tej. Ne privatizuam të gjitha korporatat e mëdha të vendit. Unë ju garantoj se qëllimi i parë i yni në këto privatizime ka qenë lufta kundër korrupsionit në këto korporata. Këtu sot, kemi edhe përfaqësuesit e Bankës Botërore, të cilëve në mënyrë të përsëritur u deklaroja se këto korporata janë trupa të korruptuar dhe të pashpresë në rast se nuk i privatizojmë. Kjo ishte një mënyrë shumë efikase në këtë drejtim. Natyrisht, lufta kundër korrupsionit kërkon me çdo kusht penalizmin e përgjegjësve dhe kjo ka ndodhur dhe do të ndodhë në mënyrë të përsëritur në Shqipëri.
U ndala pak në këtë çështje sepse përdorimi i ndihmave tuaja bujare duhet të përbëjë një përgjegjësi shumë të madhe për çdo zyrtar dhe qeveritar në vendet tona.
Në këtë konferencë rajonale, do të bëja apel që për vitet që vijnë të përqendrohemi në projektet rajonale. Vendet tona trashëgojnë një infrastrukturë lidhëse ndër më të vjetrat dhe më të pa përshtatshmet në Europë. Ne po bëjmë përpjekje të mëdha për ta ripërtërirë atë, por sërish ndihmat tuaja në drejtim të infrastrukturës dhe projekteve rajonale, jam i sigurt se do të kenë impaktin më të gjerë dhe më pozitiv.
Në prioritetet e vendit tim, arsimi është dhe do të mbetet prioriteti i parë. Ne jemi komb i ri, komb me një numër shumë të madh shkollarësh në proporcion me kombin. Ne kemi dyfishuar buxhetin për arsimin dhe duhet të ecim më tej në këtë rrugë. Unë do të mirëprisja çdo ndihmë nga vendet tuaja, në mënyrë që arsimi i vendit tim dt arrinte nivele dhe standarde që do të ndihmonin Shqipërinë, do të shpejtonin zhvillimin e saj.
Zhvillimi i qëndrueshëm rural është një prioritet madhor i qeverisë sime. Shqipëria ka pasur një trashëgimi rurale ndër më të vështirat. Ne po përpiqemi dhe po investojmë shumë në këtë drejtim, por vlerësojmë shumë edhe ndihmën e vendeve tuaja, në mënyrë që zonat tona rurale të kapërcejnë atë prapambetje të madhe që kanë trashëguar dhe të mund të gëzojnë edhe ato infrastrukturën dhe shërbimet që meritojnë.
Reformat në tërësi janë dhe mbeten një përparësi dhe ashtu siç provon historia dhe aktualiteti, perpeto mobile janë vetëm ato. Nëse do të kishin udhëhequr reformat, kjo krizë financiare nuk do të vinte. Ndaj leksioni më i madh i kësaj krize për çdo qeveri të çdo vendi, ndër më të zhvilluarit e deri në ato më pak të zhvilluara, është se reformat janë dhe mbeten perpeto mobile e veprimtarisë së tyre.
Dua ta mbyll fjalën time duke ju falënderuar edhe njëherë që keni zgjedhur Tiranën si kryeqytet të donatorëve, me organizimin e kësaj konference. Dua t’ju siguroj se do të bëj çdo përpjekje që ndihma, bujaria dhe solidariteti të përdoret nis mënyrën më eficente për qytetarët shqiptarë. Faleminderit!”
02/04/2009