Kryeministri Berisha përshëndet anëtarësimin e Shqipërisë në NATO

Deklaratë për shtyp e Kryeministri Berisha dhënë me rastin e dorëzimit, në Departamentin e Shtetit, të instrumentit të aderimit të Shqipërisë në Traktatin e Atlantikut të Veriut;
“Sot, në orën 18:00, dokumentet e Shqipërisë dhe dokumentet e Kroacisë për anëtarësim në NATO u dorëzuan në Departamentin e Shtetit, dhe në këtë mënyrë vendi ynë bëhet përfundimisht vend anëtar i Aleancës së Atlantikut të Veriut.
Në këtë ditë historike për Shqipërinë dhe shqiptarët, jam këtu për të shprehur mirënjohjen time më të thellë, të qeverisë dhe të mbarë shqiptarëve, ndaj të gjitha vendeve anëtare të Aleancës së Atlantikut të Veriut dhe në veçanti Shteteve të Bashkuara të Amerikës, vendit lider të kësaj Aleance, për besimin më të madh që shqiptarët kanë njohur në tërë historinë e tyre, për besimin që dëshmuan ndaj tyre dhe vendit të tyre, besim ky që ishte përcaktues për finalizimin me sukses të këtij procesi.
Unë, gjithashtu, gjej rastin të përshëndes dhe të shpreh mirënjohje të thellë ndaj të gjitha vendeve të Aleancës së Atlantikut të Veriut dhe vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, të cilat i dhanë Shqipërisë, e cila vetëm 15 vite më parë ishte një nga 3-4 vendet më të varfra të planetit, ndihmën dhe mbështetjen më të madhe e më të gjithanshme, ndihmë dhe mbështetje që u shndërruan në faktor kryesor të ndryshimeve të mëdha që pësoi ky vend dhe që bënë të mundur që ai të përzgjidhet dhe të pranohet për vend anëtar të NATO-s.
Një mirënjohje e veçantë në këtë proces i përket ish Presidentit të Shteteve të Bashkuara Xhorxh W. Bush, qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Presidentit Obama dhe administratës së tij, pa mbështetjen e të cilëve ky proces do të ishte i pamundur. Por, gjithashtu, unë dua të shpreh falënderimin dhe vlerësimin tim më të madh për të gjithë shqiptarët në tërësi dhe në veçanti për ata burra, gra, punonjës, ekspertë, politikanë, që kontribuuan në reformat e mëdha që bën të mundur këtë proces. Ishin reformat dhe vetëm ato, në veçanti reformat e këtyre katër viteve të fundit, që e shndërruan Shqipërinë në një vend anëtar të Aleancës së Atlantikut të Veriut.
Zonja dhe zotërinj,
Unë dua të shpreh dhe një herë falënderimet dhe mirënjohjen, dua të garantoj mbarë qytetarët shqiptar, dua të garantoj të gjitha vendet anëtare të Aleancës së Atlantikut të Veriut, Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s dhe ekipin e tij, se Shqipëria në këtë moment, më të rëndësishmin në historinë e saj pas shpalljes së pavarësisë, e merr gjithashtu dhe si momentin e përgjegjësive më të mëdha për të konsoliduar në këtë vend vlerat e lirisë që vendet anëtare të Aleancës ndajnë, për të bërë të gjitha përgatitjet që paqeruajtësit dhe ushtarakët tanë të përmbushin me dinjitet të gjitha detyrat, detyrimet dhe misionet që rrjedhin nga anëtarësimi i plotë i Shqipërisë në NATO.
Faleminderit!”
01/04/2009