Presidenti Topi, mesazh homologut austriak
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i dërgoi dje një mesazh Presidentit të Republikës së Austrisë, Hainc Fisher, me rastin e Festës Kombëtare, në të cilin dërgon përshëndetjet e sinqerta dhe urimet më të mira. "Duke shprehur vlerësimin për mbështetjen që Austria i ka dhënë Shqipërisë në përpjekjet e saj për t‘u integruar në strukturat euroatlantike, ju konfirmoj me këtë rast, Shkëlqesi, angazhimin tim për të nxitur më tej zhvillimin e marrëdhënieve shumë të mira midis dy popujve tanë si dhe vazhdimësinë e bashkëpunimit të thellë midis dy vendeve tona", theksohet në mesazhin e Presidentit Topi.