E Diel, 1 Nëntor 2026

PS: Berisha të mos e keqpërdorë TVSH-në

Partia Socialiste i bëri thirrje dje Kryeministrit që të heqë dorë nga presionet antiligjore, amorale dhe joetike ndaj medias. Deputeti socialist, Fatmir Toçi, tha se duhet të merren masa për rishikimin sa më parë të statusit të RTSH-së, për ta vënë atë vërtet në shërbim të publikut dhe jo të një grushti qeveritarësh dhe klaneve të tyre. Toçi kërkoi që të rishikohet ligji për radiot dhe televizionet publike dhe private në përputhje me standardet ndërkombëtare, ndërsa ritheksoi kërkesën e PS-së për vënien para përgjegjësisë të drejtuesve të RTSH-së që kanë shkelur ligjin dhe normat e rregullores së RTSH.

"RTSH nuk është e vetmja media e vënë në shërbim të makinës shtetërore, por ajo është e vetmja media në Shqipëri që financohet edhe nga kontributet e taksapaguesve shqiptarë dhe, siç po rezulton, po u shërben gjithnjë e më pak atyre", deklaroi deputeti socialist. Sipas tij, shqetësimit intelektual të ditëve të fundit për problemet reale që ka media në vendin tonë, si dhe reagimit profesional të disa prej gazetarëve dhe drejtuesve të njohur të mediave u janë shtuar edhe vëzhgimet e vlerësimet e disa organizmave e institucioneve ndërkombëtare, si Raporti i OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e 28 qershorit, Progres-Raporti i Komisionit Europian, si dhe Raporti vjetor i Reporterëve pa Kufij, i cili vëren me shqetësim një rënie të ndjeshme të medias në Shqipëri në renditjen botërore, kur bëhet fjalë për median në raport me pavarësinë profesionale dhe lirinë e shtypit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›