E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Topi nderohet me titullin "Dr. Honoris Causa"

Universiteti Shtetëror i Tetovës ka nderuar presidentin e Shqipërisë Bamir Topi me titullin "Dr. Honoris Causa", me motivacionin "Për merita dhe kontribut të jashtëzakonshëm për krijimin e kushteve për paqe, për ruajtjen e vlerave dhe të dinjitetit njerëzor e kombëtar, për ngritjen dhe zhvillimin e arsimit, të shkencës dhe lirive akademike."
Në fjalën e tij me këtë rast, Rektori i Universitetit Shtetëror të Tetovës, Prof. Dr. Agron Reka, i cili vuri në dukje faktin se është në nderin e këtij Universiteti të vlerësojë personalitete të shquara për rezultate të mirënjohura dhe veprimtari të larta njerëzore. Në vijim ai përshkroi strukturën dhe veprimtarinë e Universitetit Shtetëror të Tetovës, si dhe me disa prej arritjeve në kuadrin akademik për thellimin e dijeve, promovimin e vlerave shkencore, teknologjike dhe në mënyrë të veçantë atyre njerëzore në shërbim të qytetarëve dhe në funksion të përmbushjes së misionit për njohuri të vërteta dhe zhvillim.
Pas leximit të një biografie përmbledhëse të veprimtarisë akademike, shkencore, publicistike, universitare, pedagogjike dhe politike të Presidentit Topi, Rektori i Universitetit Shtetëror të Tetovës i dorëzoi Kryetarit të Shtetit shqiptar titullin e lartë akademik "Dr. Honoris Causa", të miratuar njëzëri nga Senati i këtij Universiteti, me motivacionin: "Për merita dhe kontribut të jashtëzakonshëm për krijimin e kushteve për paqe, për ruajtjen e vlerave dhe të dinjitetit njerëzor e kombëtar, për ngritjen dhe zhvillimin e arsimit, të shkencës dhe lirive akademike."
Nga ana e tij, Presidenti Topi shprehu respektin e tij të thellë për jetën akademike, universitare, për profesorët dhe stafet akademike që mbartin mbi vete misionin tepër fisnik të edukimit të brezave të aftë profesionalisht, por edhe me vlera e virtyte të larta humane. Përmbushja e këtij misioni, vuri në dukje Kryetari i Shtetit shqiptar, është garancia më domethënëse për një shoqëri të civilizuar e me standarde demokratike. Presidenti i Republikës theksoi se ndihet i nderuar për vlerësimin e lartë që Universiteti Shtetëror i Tetovës i bëri përmes dhënies së titullit "Dr. Honoris Causa" dhe i uroi trupit të tij akademik suksese në përmbushjen e detyrës për rritjen në vijimësi të cilësisë së dijeve, të zhvillimit të aktiviteteve akademike dhe në kuadrin e rrjeteve ndërkombëtare universitare dhe në gjenerimin e ideve dhe strategjive zhvillimore, tek të cilat mund të orientohet dhe politika për vendimmarrje të rëndësishme.
Ceremonia solemne e laurimit të Presidentit Topi u përmbyll me ekzekutimin e pjesëve klasike nga korri dhe pedagogë të këtij universiteti.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›