E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi nderohet në Tetovë me titullin "Dr.Honoris Causa"

TETOVE- Presidenti i Republikës, Bamir Topi, u nderua sot me titullin "Dr. Honoris Causa" nga Universiteti Shtetëror i Tetovës, me motivacionin: “Për merita dhe kontribut të jashtëzakonshëm për krijimin e kushteve për paqe, për ruajtjen e vlerave dhe të dinjitetit njerëzor e kombëtar, për ngritjen dhe zhvillimin e arsimit, të shkencës dhe lirive akademike."
Sipas një njoftimi për shtyp nga Presidenca, në kuadër të vizitës që po zhvillon në Maqedoni, Presidenti Topi vizitoi sot Tetovën, ku fillimisht u prit nga kryetari i kësaj komune, Sadi Bexheti. Pasi falenderoi Presidentin e Republikës për këtë vizitë të rëndësishme në qytetin e Tetovës, z. Bexheti i shprehu z. Topi mirënjohjen për mbështetjen e Shqipërisë ndaj Maqedonisë në rrugën e saj të anëtarësimit në NATO dhe në BE.
Për Presidentin Topi kjo pritje ishte "shumë e ngrohtë dhe vëllazërore". Ai vuri në dukje se shteti shqiptar është tepër i vëmendshëm ndaj shqiptarëve në Maqedoni e kudo ndodhen dhe ndjek me vëmendje të gjitha zhvillimet e brendshme dhe ato ndërkombëtare që kanë të bëjnë me jetën, mirëqenien dhe ardhmërinë e tyre për zhvillim.
Presidenti vlerësoi rolin moderues dhe konstruktiv të faktorit shqiptar për një rajon të qetë e të stabilizuar, me një ekonomi të zhvilluar dhe vuri në dukje se brezat e rinj aspirojnë të jetojnë në paqe e në harmoni, në shoqëri të zhvilluara, me institucione të qëndrueshme dhe që gjenerojnë progres drejt këtyre synimeve.
Presidenti Topi vizitoi më pas Universitetin Shtetëror të Tetovës. Për nder të laurimit të tij me titullin më të lartë “Dr. Honoris Causa” ishte organizuar një ceremoni solemne me praninë e drejtuesve më të lartë të këtij institucioni akademik, drejtues të partive politike shqiptare, përfaqësues të qeverisë maqedonase dhe të trupit diplomatik, përfaqësues të institucioneve të tjera akademike, kulturore të Maqedonisë dhe nga Shqipëria, etj.

Presidenti i Republikës theksoi se ndihet i nderuar për vlerësimin e lartë që Universiteti Shtetëror i Tetovës i bëri përmes dhënies së titullit "Dr. Honoris Causa" dhe i uroi trupit të tij akademik suksese në përmbushjen e detyrës për rritjen në vijimësi të cilësisë së dijeve.
Gjithashtu, gjatë qëndrimit në qytetin e Tetovës, Presidenti Topi vizitoi dhe Xhaminë e Larme në këtë qytet, si dhe kompleksin “Arabati Baba Teqe”.
Prej ditës së djeshme, Presidenti Bamir Topi po zhvillon një vizitë zyrtare në Maqedoni, ku është takuar me autoritetet më të larta të vendit. Po dje ai mbajti një fjalë përshëndetëse para Kuvendit të Maqedonisë.
(e.n/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›