E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi nderoi kujtimin e Azem Hajdarit, njërës prej figurave më të spikatura të demokracisë shqiptare.

12 shtator 2009

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi zhvilloi sot paradite një vizitë në familjen e Azem Hajdarit, me rastin e 11-vjetorit të ndarjes nga jeta në mënyrë tragjike të njërës prej figurave më të ndritura të historisë së pluralizmit dhe demokracisë në Shqipëri.

Gjatë vizitës dhe bashkëbisedimit me familjarët, Kreu i shtetit shqiptar, përmendi dhe ndau me ta disa prej kujtimeve më të veçanta dhe më të paharrueshme të njohjes, miqësisë dhe punës me të ndjerin Azem Hajdarin, duke nënvizuar forcën e tij të karakterit, guximin, vetëmohimin dhe besimin tek populli shqiptar dhe triumfi e konsolidimi i demokracisë në Shqipërisë. Azem Hajdari u shqua për këto veti qysh në fillimin e Lëvizjes Studentore të vitit 1990-të, për të vazhduar më pas me veprimtarinë e tij politike, duke mbetur në kujtesën historike si një udhëheqës me vlera të rralla demokratike e patriotike, për të cilat atij i është dhënë një vit më parë, pas vdekjes edhe Urdhri i lartë “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi.

Bashkëshortja, fëmijët dhe të afërmit e të ndjerit Azem Hajdari, falenderuan Presidentin Topi për nderimin që i bën gjithmonë kujtimit të “Pishtarit të Demokracisë” duke shprehur njëkohësisht edhe një herë mirënjohjen për vizitën.

Kryetari i Shtetit e theksoi vlerësimin për këtë figurë të shquar të historisë së demokracisë shqiptare edhe gjatë një prononcimi për mediat, në të cilin u shpreh: “Natyrisht që vitet kalojnë shumë shpejt, por Azemi mbetet në memorien e gjithësecilit, sidomos të miqve dhe të shokëve të tij. Një njeri shumë i veçantë, me një karakter të fortë, gati-gati të papërsëritshëm. Kjo është arsyeja që ne e kujtojmë Azemin jo vetëm në përvjetorin e rënies së tij, por në çdo moment tjetër kur flitet për heronj. Ne heronjtë i përfytyrojmë si personazhet e librave, por ky është një hero, që ne e kemi parë në çdo hap, e kemi parë shumë afër në aksionin politik dhe në aksionin shoqëror. E thashë edhe në takim me familjarët e Azemit që është një nga ato personazhe, i cili përkujtohet pa asnjë lloj note hipokrizie. Përkujtohet me shumë vlerësim, me shumë dëshirë dhe besoj që kështu do ta kujtojnë Azemin të gjithë miqtë, bashkëpunëtorët si dhe ata që e kanë njohur nga larg, besoj që edhe ju”.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›