E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi përshëndet nga Bostoni ratifikimin e Protokollit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO nga Senati amerikan.

27 shtator 2008

Presidenti i Republikës, Bamir Topi i ka dërguar një mesazh mirënjohjeje Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhorxh W. Bush me rastin e ratifikimit të Protokollit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO nga Senati amerikan.

“I nderuar President Bush,

Jam shumë i lumtur që lajmin më të madh në historinë e marrëdhënieve midis dy vendeve tona, ratifikimin nga Senati i Shteteve të Bashkuara të Amerikës të Protokollit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, e mora gjatë qëndrimit tim zyrtar në vendit tuaj.

Dëshiroj t’Ju shpreh mirënjohjen dhe falenderimin tim dhe të gjithë popullit shqiptar për kontributin e pazëvendësueshëm dhe mbështetjen Tuaj të vazhdueshme për anëtarsimin e Shqipërisë në NATO, promovimin e marrëdhënieve të shkëlqyera që ekzistojnë midis dy vendeve tona dhe implementimin e demokracisë e sigurisë në Shqipëri dhe në rajon.

Shpreh bindjen time të plotë se kjo ngjarje e rëndësishme është vlerësim i qëndrimit dhe i dëshirës së popullit tim për më shumë liri, demokraci, siguri dhe zhvillim në vendin tim dhe në rajon, është mbështetje për reformat e thella që ne po kryejmë në Shqipëri, është nxitje për ndërtimin e shtetit të së drejtës dhe luftën kundër korrupsionit.

Duke Ju falenderuar edhe një herë Juve Zoti President, Senatin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe popullin amerikan dëshiroj t’Ju siguroj se vendi im, është plotësisht i ndërgjegjshëm dhe i përgjegjshëm për sfidat globale dhe rajonale, në të cilat anëtarësimi i tij në NATO e angazhon dhe është i gatshëm t’i përballojë ato përkrah Shteteve të Bashkuara të Amerikës si një aleat i sigurt, i besueshëm dhe afatgjatë.”

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›