E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi nderon me titullin “Ambasador i Kombit” personalitete të jetës artistike, kulturore, sociale dhe sportive.

11 nëntor 2008

Presidenti i Republikës, Bamir Topi dha sot një pritje në mjediset e Pallatit të Brigadave për artistë dhe personalitete të spikatura të jetës artistike, kulturore, sociale dhe sportive, protagonistë të skenave prestigjioze ndërkombëtare, pjesëmarrës në spektaklin e regjizores Vera Grabocka “Dua më shumë Shqipërinë”.

Në përshëndetjen e rastit, Kryetari i Shtetit u shpreh: “Ndonëse jemi në një ambient më të vogël, emocionet janë të njëjta. Unë sinqerisht jam shumë i lumtur sonte që po takohemi së bashku. Besoj që është një moment shumë i veçntë për cilindo kur brenda një harku të shkurtër kohor takon figura kaq të rëndësishme, ku secili është shumë i rëndësishëm në performancën e tij, në karrierën e tij. Është një fat për mua sinqerisht, një fat që dëshiroj ta ndaj me të gjithë ju. Ky është një moment shumë i rëndësishëm. Ajo që thashë në sallë natyrisht doli në mënyrë shumë intuitive, por është vërtet ashtu. Ju jeni ambasadorë të vërtetë të Shqipërisë. Herë pas here njeriu bën një analizë, shpeshherë këtë analizë e bën me veten dhe kur mendoj që nga një vend i vogël dalin kaq shumë kualitete, kjo tregon që ky është një popull me një traditë të hershme dhe ajo që nuk gabon asnjëherë në të gjithë historinë njerëzore, është tradita. Ai vend që ka traditë, pavarësisht nga vështirësitë që kalon dhe natyrisht që ne kemi kaluar të gjithë vështirësi, kemi ditur të kalojmë atë periudhë të izolimit, por akoma më i vështirë për t’u përballur, ka qenë momenti pasi ne u hapëm. Por tregon që gjatë periudhës së tranzicionit ata që e kaluan provën me shumë sukses ishin artistët, ishin krijuesit, ishin sportistët, instrumentistët, kineastët, ndonëse e kam të vështirë të rreshtoj të gjithë fillin e profesioneve. Dhe ata që janë marrë me politikë dhe, natyrisht unë jam një ndër ata që janë marrë me politikë, e them me një sinqeritet që del nga zemra, politika duhet të mësojë shumë nga performanca e gjithësecilit prej jush, sepse shpeshherë bien në retorika, shpeshherë merren me gjëra sekondare, shpeshherë nuk marrin atë që është cilësore, atë që është kualitative. Pra, ai kompeticion që ekziston në botën e artit, kjo është bota e vërtetë intelektuale, pikërisht këtu duhet të mësojë politika që të zgjedhë kualitete, sepse po të shkojë me një sinergjizëm arti, bota shpirtërore dhe politika, atëherë ne do të jemi padiskutim të paparë në kuptimin e vërtetë të fjalës. Ju jeni vetëm një pjesë e atyre kualiteteve. Ne kemi pasur rastin kudo ku kemi shëtitur në kryeqytete të Evropës, në qytete të vegjël të Evropës do të shohësh që ka shqiptarë, që dallohen në karrierën e tyre në radhë të parë me ndershmërinë e tyre, me karakterin e tyre, por edhe me profesionalizmin e tyre. Kështu që për të mos ndarë atë që unë thashë në sallë, që ju jeni ambasadorë të vërtetë të kombit, unë kam formalizuar pikërisht me një simbol, me një simbolikë, që secili prej jush të marrë një titull “Ambasadori i Kombit” që ta keni si një memorie të kësaj nate të paharrueshme”.

Në vijim, në shenjë nderimi dhe vlerësimi për kontributin e tyre të çmuar në fusha të ndryshme të artit dhe të jetës, për lartësimin e emrit të Shqipërisë dhe përçimit të vlerave më të vyera të kombit shqiptar anë e mbanë botës Presidenti Topi i dorëzoi titullin “Ambasador i Kombit” z. Xhejms Belushi, z. Josif Gjipali, z. Bujar Luca, znj. Erla Kollaku, z. Frederik Ndoci, znj. Ervis Gega-Dodi, z. Kujtim Çashku, z. Ergin Kuke, z. Eno Peçi, z. Hetem Ramadani, z. Saimir Strati, z. Lorik Cana, znj. Silvan Muselier, z. Alban Skënderaj, znj. Miriam Cani.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›