E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Topi ngushëllon familjarët e Gjergj Zhejit për humbjen e njeriut të tyre të dashur.

10 qershor 2010

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi i dërgoi sot një mesazh ngushëllimi familjarëve të Gjergj Zhejit në të cilin thuhet:

“Të dashur familjarë të të ndjerit Gjergj Zheji,

Me keqardhje të thellë mësova për ndarjen nga jeta të Gjergj Zhejit, njeriut që gjithë jetën dhe veprën e tij ia përkushtoi përmbushjes së misionit fisnik e patriotik të përkthimit dhe promovimit të gjuhës dhe kulturës së kombit shqiptar.

Kjo figurë e shquar dhe me vlera unikale në përkthimin, hulumtimin dhe studimin rrënjësor të kryeveprave të letërsisë dhe gjuhësisë botërore përçoi tek lexuesit dhe studiuesit e kësaj fushe, me një ndjenjë të lartë profesionalizmi dhe besnikërie, vlerat më të spikatura të gjuhës shqipe dhe letërsisë globale.

Me humbjen e Gjergj Zhejit, letërsia dhe gjuha shqipe e lëvruar humbën një ndër kolosët e saj, kolegët një ndër pikat kryesore të referimit akademik dhe njerëzor dhe familja njeriun më të shtrenjtë.

Ju lutem, më lejoni të ndaj me ju dhimbjen e thellë dhe në këto momente të vështira ju shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta!”

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›