Kryeministri Berisha inauguron unazën e Laçit
Kam kënaqësinë t’ju informoj se Ministria e Punëve Publike ka marrë porosi të prerë të ndërtojë hyrjen dhe daljen e qytetit tuaj; Ministria e Kulturës dhe e Sportit ka ndarë fondin dhe shpejt inaugurojmë fillimin e punimeve në stadium, sepse i japim fund një diskriminimi që ju bëhej ju nëpërmjet stadiumit.
Kryeministri Berisha, në vijim të vizitës të vizitës së tij në rrethin e Kurbinit, inauguroi edhe përfundimin e punimeve në unazën e Laçit. Në fjalën e tij drejtuar banorëve të zonës, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Të dashur qytetarë dhe qytetare të Kurbinit!
Ju përshëndes shumë përzemërsisht, ju shpreh ju mirënjohjen më të thellë për mbështetjen e madhe që i keni dhënë dhe i jepni gjithnjë qeverisë time. Shpreh kënaqësinë që sot inauguruam unazën e qytetit tuaj, por jam këtu për t’u angazhuar se do të financojmë çdo projekt që kryetari i bashkisë dhe këshilli bashkiak i juaji do të paraqesë para qeverisë. Kam kënaqësinë t’ju informoj se Ministria e Punëve Publike ka marrë porosi të prerë të ndërtojë hyrjen dhe daljen e qytetit tuaj; Ministria e Kulturës dhe e Sportit ka ndarë fondin dhe shpejt inaugurojmë fillimin e punimeve në stadium, sepse i japim fund një diskriminimi që ju bëhej ju nëpërmjet stadiumit. Tani ju do të keni dhe meritoni të keni, një nga stadiumet më të mira të vendit.
Zoti kryetar! Qeveria është e vendosur të financojë në të gjitha shërbimet në qytetin e Kurbinit. Ju garantoj se do të bëjmë çdo përpjekje për të përmirësuar gjithnjë e më shumë jetën tuaj. Sot unë po vij nga Patoku, inauguruam rrugën që hap, rikthen një nga plazhet më të bukura të vendit për ju dhe mbarë Shqipërinë. Pra fitoren tonë, ne jemi të vendosur ta kthejmë atë në vepra konkrete për qytetarin e Kurbinit dhe qytetarët shqiptarë, ta kthejmë atë në rrugë moderne, ta kthejmë atë në shërbime moderne, ta kthejmë në ujësjellës, në kanalizime, ta kthejmë në sisteme vaditje, ta kthejmë në shkollat më të mira për fëmijët tanë, në shërbim shëndetësor modern; ta kthejmë në investime të mëdha për të krijuar në këto 4 vite 160 mijë vende pune të reja.
Në këto 4 vite, me fitoren e 28 qershorit, unë ju garantoj ju se Shqipëria do të shkëputet një herë e përgjithmonë nga problemet e mëdha që trashëgoi, nga prapambetja e saj që trashëgoi dhe do të marrë tërësisht, pamjen, fytyrën evropiane që meriton. Garantoj gjithë qytetarët e mbarë Kurbinit dhe të gjithë Shqipërisë, se 28 qershori nuk kishte qytetarë të humbur, se projektet tona janë të vlefshme për çdo qytetar shqiptarë. Por 28 qershori kishte një humbës të madh, humbi Edi Rama dhe nastradinizmi i tij. Ai ju parashtroi shqiptarëve doktrinën e mashtrimit. Shqiptarët e hodhën atë, aty ku meritonte, në koshin e humbjes. Prapë nuk nxjerr mësim. “Jo - thotë, - do të vazhdoj mandatin se nuk kam humbur”. Gënjen veten tënde zoti Edi, se prapë do të humbasësh, prapë do të humbasësh e prapë do të humbasësh. Do të kalosh nga 28 qershori në 28 qershor, nga Ballagati në Ballagat. Absolutisht je i pashpresë dhe nuk kam kundërshtar më komod se ty. Do të qëndrosh, qëndro sa të duash! Ne do të vazhdojmë me veprat tona. Edhe një herë ju përshëndes dhe ju garantoj se qeveria do të financojë çdo projekt për këtë qytet dhe për ju qytetarët e mrekullueshëm të Kurbinit.
Faleminderit!”
07/08/2009