E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha inauguron punimet në segmentin e dytë të rrugës Laç - Patok

Kryeministri Berisha inaguroi fillimin e punimeve në segmentin e dytë të rrugë Laç - Patok, në rrethin e Kurbinit. Brenda 14 muajve, pritet që kjo rrugë e gjatë 6.2 kilometra dhe me një vlerë investimi prej 183 milionë lekë, ku përfshihen edhe kanalizimet, rrjeti elektrik dhe trotuaret, do t’u dorëzohet banorëve të zonëve, sipas të gjitha standarteve evropiane. Duke përshëndetur banorët e zonës, kryeministri Berisha u shpreh:

“Kjo rrugë lidh Laçin, Kurbinin, Krujën dhe mbarë Shqipërinë me një nga plazhet më të bukura të vendit, plazhin e Patokut. Kjo rrugë, gjithashtu i jep mundësi dalje në treg në kushte më të mira kësaj zone, e cila është një nga zonat më të fuqishme prodhuese të vendit. Siç e shihni është një komunë me një potencial të madh, me tokë të mrekullueshme, me ujëra të shumta të nëndheshme dhe të mbidheshme, pra është një ndihmë e madhe për tregun në këtë zonë. Inagurimi i saj është vazhdimi i fitores, fitore e cila u bazua tërësisht mbi vizionin e zhvillimit evropian të Kurbinit dhe të mbarë Shqipërisë, u bazua në mbajtjen e fjalës së dhënë, në mbajtjen e premtimeve. Bëmë segmentin e parë dhe tani segmenti i dytë shkon deri në det, 6.2 kilometra, 183 milionë lekë investim i standarteve më të mira evropiane. Jam i bindur se vitin e ardhshëm, numri i pushuesve dhe i turistëve që do të frekuentojnë Patokun, do të jetë shumë i madh, shumë herë më i madh se këtë vit. Kjo rrugë është një nga ato rrugë që lidh kombin me detin, që kthen kombin drejt detit dhe është në planin dhe vizionin e kësaj qeverie, që brenda vitit 2010, të ketë përfunduar asfaltimin e të gjitha rrugëve që zbresin në det nga Velipoja deri në Ksamil. Dhe siç e shihni, para dy javësh inaguruam rrugën e Tales për në bregdet, para një jave inaguruam rrugë në Dhërmi dhe po në zonën e bregut janë të tenderuara edhe 5 të tjera, të cilat edhe ato zbresin drejt detit. Kështu që, objektivi ynë për të përfunduar për të asfaluar të gjitha rrugët që të çojnë drejt detit, brenda viti 2010 do të realizohet plotësisht.

Zoti kryetar, unë të uroj ty për këtë dhe të premtoj se qeveria do të financojë çdo projekt në mënyrë që siç kemi premtuar, fitoren në zgjedhje, qytetarët e komunës Fushë-Kuqe, Gurëz dhe gjithë kësaj zone, ta prekin me mirësi, ta prekin me rrugë të re, me ujësjellësa, kanalizime dhe vaditje. Ne, siç kemi deklaruar, këto 4 vite do të përqendrohemi shumë për të ndihmuar fermerët shqiptarë me vaditjen, natyrisht një vaditje tjetër, jo tashmë me shatë dhe me presë. Le t’ua lëmë kohërave se boll i kemi përdorur ato dhe të kthehemi të vadisim me pika, me sistem shiu dhe sistemet më modern”.

Faleminderit!


07/08/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›