E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi niset për vizitë zyrtare dyditore në Katar

TIRANË- Presidenti i Republikës, Bamir Topi u nis sot për vizitë dyditore zyrtare në Shtetin e Katarit, me ftesë të Emirit të Katarit, Sheik Hamad Bin Khalifa Al Thani.

Zyra e Presidencës bën me dije se gjatë qëndrimit në Shtetin e Katarit, Kreu i Shtetit shqiptar, do të pritet me ceremoni zyrtare në Pallatin Mbretëror dhe do të zhvillojë një takim të veçantë me Emirin e Shtetit të Katarit, Sheik Hamad Bin Khalifa Al Thani, si dhe me autoritete të tjera të larta.

Gjatë këtyre takimeve do të diskutohen çështje të rëndësishme dhe me interes të ndërsjellë për të dy vendet tona, mbi konsolidimin e mëtejshëm të marrëdhënieve politike dhe rritjen e bashkëpunimit ekonomik, kryesisht në fushën e turizmit, shëndetësisë, sektorit të naftës e gazit, etj, si dhe mbi mundësitë e shtimit të investimeve të Shtetit të Katarit në Shqipëri.

Në këtë vizitë presidenti shoqërohet nga Zonja e Parë, Teuta Topi, dhe në krye të një delegacioni zyrtar në përbërje të të cilit janë edhe përfaqësues të rëndësishëm të sipërmarrjes shqiptare.
(el.me/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›