“Topi nuk është konsultuar për kandidaturën – propozimi, antikushtetues dhe i dyshimtë”

Dekreti i Presidentit për kreun e KLSH, mazhoranca e quan provokim
Pas dekretimit të nga ana e presidentit Bamir Topi të ish-deputetit të Partisë Demokratike, Sali Shehu në postin e kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit ka ardhur reagimi kundërshtues i mazhorancës.
Vendim i nxituar, mungesë konsultimi dhe mosplotësim kushtesh janë vetëm tre vlerësimet e para që deputeti demokrat dhe anëtari i komisionit të Ligjeve, Dashnor Sula ka dhënë për dekretimin e Sali Shehut nga ana e Presidentit të Republikës, Bamir Topi, si kandidat për kreun e kontrollit të lartë të shtetit. Sula paralajmëron kështu një bllokim të mundshëm të rrugës së Sali Shehut drejt KLSH-së nga mazhoranca parlamentare, e cila ndryshe nga sa pritej nuk është konsultuar paraprakisht aspak nga kreu i shtetit për kandidaturën e një institucioni të rëndësishëm kushtetues.
“Kandidatura e Sali Shehut për kreun e KLSH-së është e dyshimtë edhe për një fakt tjetër se ai njihet si një i afërm i presidentit Topi dhe deklarata merr më shumë nota shqetësuese për propozimin e kreut të shtetit kur kritika vjen nga një figurë që dikur njihej si mbështetës i presidentit”, u shpreh deputeti demokrat, Sula.
Ai komentoi edhe nismën e dy ditëve më parë të opozitës, për të mbledhur një tryezë për reformën në drejtuesit duke e cilësuar atë si një show televiziv ndërsa kujtoi se është e njëjta forcë politike e cila nuk voton prej 3 vjetësh ligjin e gjykatës administrative aq të domosdoshme për biznesin.
Nga ana tjetër, përfaqësuesi i opozitës Paskal Milo, tha se kandidatura e Sali Shehut, do të rrëzohet nga votat e mazhorancës. Për kreun e KLSH, Milo theksoi se do të ishte i nevojshëm gjetja e një kandidature konsensuale. Ai theksoi se nëse votimi në parlament për kandidaturën e Shehut do të bëhej i fshehtë, ai do të merrte votat e nevojshme për t’u bërë kryetar i KLSH-së, por me votim të hapur, kjo kandidaturë, sipas Milos do të rrëzohet për shkak të qëndrimit politik.
...