E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi përmbyll vizitën zyrtare në Republikën e Kroacisë.

22 maj 2009
Kroaci

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi së bashku me Zonjën e Parë, Teuta Topi, përmbylli sot vizitën zyrtare në Republikën e Kroacisë.

Kreu i shtetit shqiptar, në krye të një delegacioni të përbërë nga drejtues të lartë të institucioneve të rëndësishme të drejtësisë si Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Vladimir Kristo, Kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj, nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu si dhe një grup i madh përfaqësuesish të biznesit shqiptar, zhvilloi një sërë takimesh me autoritetet më larta të shtetit kroat.

Pasi u prit me nderime dhe me ceremoni zyrtare nga Presidenti Stipe Mesiç, i cili e dekoroi edhe me “Urdhrin e Madh të Mbretit Tomislav me Brez dhe Yllin e Madh të Agimit”, që është dhe urdhri më i lartë shtetëror i Republikës së Kroacisë, Kreu i shtetit shqiptar zhvilloi bisedime të frutshme me homologun e tij kroat, me Kryetarin e Parlamentit, Luka Bebiç si dhe me Kryeministrin Ivo Sanader. Temat qendrore e këtyre bisedimeve ishin zhvillimi i mëtejshëm i marrëdhënieve shumë të mira dypalëshe, i dialogut politik dhe bashkëpunimit parlamentar, forcimi i shtetit të së drejtës dhe i institucioneve të pavarura të drejtësisë, nxitja e bashkëpunimit ekonomik dhe rritja e shkëmbimeve tregtare, lëvizja e lirë e njerëzve dhe e mallrave duke hequr regjimin e vizave nga pala kroate, bashkëpunimi rajonal dhe në kuadër të Aleancës së Atlantikut të Veriut si dhe integrimi i vendit tonë në gjirin e familjes së madhe evropiane.

Një etapë e rëndësishme e kësaj vizite ishte edhe pjesëmarrja e Presidentit Topi së bashku me mikpritësin e tij kroat, Presidentin Mesiç në hapjen e Forumit dypalësh ekonomik Ekonomik të Dhomave respektive të Tregtisë ku u nënvizua nevoja e rritjes dhe zgjerimit të bashkëpunimit ekonomik, zbatimi i projekteve të përbashkëta infrastrurore, energjitike, në fushën e turizmit, etj.

Në ditën e dytë të vizitës, Presidenti Topi dhe Zonja e Parë, Teuta Topi zhvilluan një takim të ngrohtë dhe emocionues me bashkësinë shqiptare në vendin mik dhe aleat të Kroacisë, duke ndarë e diskutuar me ta për probleme dhe çështje të shumta që kanë të bëjnë me identitetin e bashkatdhetarëve tanë, mbi integrimin e tyre, ruajtjen e gjuhës dhe traditave më të mira si dhe me rolin e faktorit shqiptar në Ballkan në funksion të paqes dhe qëndrueshmërisë afatgjatë të rajonit tonë.

Gjatë ditës së fundit të qëndrimit në Kroaci, Presidenti Topi dhe Zonja e Parë, Teuta Topi të shoqëruar edhe nga delegacioni zyrtar vizituan një sërë qendrash kulturore, artistike dhe arkeologjike me interes si në kryeqytetin kroat të Zagrebit, ashtu edhe në Pula e në rajonin bregdetar të Istrias duke e përmbyllur në këtë mënyrë vizitën triditore të suksesshme në Kroaci.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›