Presidenti Topi merr pjesë në Forumin e Krans Montanës në Paris.

12 nëntor 2009
Paris
Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi mori pjesë sot në Forumin e Krans Montanës që po mbahet në Paris (Francë) me temë “Bota pas G-20-s, qeverisja globale dhe lufta kundër krimit transnacional”.
Në seancën e sotme plenare të drejtuar nga Kryetari dhe themeluesi i Forumit të Krans Montanës, Zhan Pol Karteron, Presidenti i Republikës mbajti fjalën e rastit si i ftuar special në këtë Forum të rëndësishëm ekonomik.
Së pari, Presidenti Topi vuri në dukje në fjalën e tij se çështja që trajton ky Forum është e rëndësishme dhe “kërkon një vëmendje sa politikanësh, aq edhe ekspertësh, bashkëpunimi i të cilëve mund të japë rrugëzgjidhje të efektshme dhe në kohën e duhur”. Duke iu referuar sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 në SHBA, Presidenti Topi nënvizoi faktin se ato e kanë bërë të qartë që terrorizmi është një sfidë e përbashkët dhe që lufta kundër tij kërkon veprim të përqendruar e global. Në vijim, Kreytari i Shtetit ritheksoi qëndrimin se “Shqipëria dënon kategorikisht të gjitha veprimet e terrorizmit, si kriminale dhe të pajustifikueshme, pavarësisht nga motivimi i tyre, format dhe manifestimi. Si vend anëtar i NATO-s dhe aspirues për anëtarësim në Bashkimin Europian, ajo u është bashkuar të gjitha përpjekjeve e luftës të vendeve demokratike duke u bërë pjesë edhe e strategjive dhe veprimeve parandaluese ndaj atyre që sponsorizojnë, organizojnë ose kryejnë akte terroriste”.
Gjithashtu, në fjalën e tij, Presidenti Topi u ndal dhe në çështjen tjetër të rëndësishme, atë të luftës kundër krimit ndërkombëtar. Presidenti vuri në dukje se ndryshimi i sistemeve politike dhe krijimi i shteteve të reja në Ballkan dhe në Evropën Juglindore, i pasuar me konflikte të zgjatura, lehtësoi fenomene të tilla si kontrabandën, trafiqet e paligjshme, grabitjet dhe vjedhjen në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, nacionalizmin ekstrem të shoqëruar me dhunë, të cilat rrezikuan dhe vonuan proceset demokratike në këto vende. “Sot, krimi i organizuar dhe të gjitha shfaqjet e tij janë në luftë të hapur me proceset e forcimit të institucioneve ligjore të demokracisë dhe shtetit të së drejtës në këto vende. Kjo është një luftë shumë e vështirë, e komplikuar dhe e vazhdueshme, sepse përballet me teknika gjithnjë e më të sofistikuara dhe metoda bashkëkohore”, u shpreh Presidenti. “Shqipëria është në pritje të statusit të vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe e angazhuar në përmbushjen e standarteve demokratike, pjesë e rëndësishme e të cilave është edhe lufta kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe krimit ekonomik, - theksoi ai.
Në vijim Presidenti përmendi një sërë masash të rëndësishme që vendi ynë ka ndërmarrë në këtë drejtim si thellimi i bashkëpunimit me strukturat e agjensive informative e të sigurisë, me ato të policisë dhe të prokurorisë së vendeve të rajonit si në nivel operacional ashtu dhe në shkëmbim të të dhënave në kohën e duhur; menaxhimi i integruar i kufijve me qëllim forcimin e kontrollit për të goditur krimin ndërkufitar; monitorimi i vazhdueshëm i të gjitha transaksioneve financiare të dyshimta të lidhura me financimin e trafikut të drogës dhe shkëmbim në kohë i këtyre informacioneve; evidentimi dhe goditja me tolerancë zero i formave të korrupsionit që favorizojnë trafikun ndërkombëtar të narkotikëve; zbutje e faktorëve socialë, ekonomikë, politikë dhe ligjorë në planin e brendshëm që kushtëzojnë rritjen e trafikut të drogës.
Në përfundim të fjalës së tij, Presidenti i Republikës theksoi: “Shqipëria, populli i së cilës punon çdo ditë me shumë shpejtësi, për të arritur standardet e botës së qytetëruar, po luan një rol të rëndësishëm, konstruktiv dhe moderator në rajonin ballkanik. Një rajon tradicionalisht i trazuar nga problemet e konflikteve ndëretnike dhe ky ka qenë një terren i përshtatshëm për krimin transnacional, por në mënyrë të veçantë, vitet e fundit, ajo që bie në sy, sidomos pas krijimit të shtetit të ri të Kosovës, vihet re një rritje dhe intesifikim të raporteve dhe e dialogut politik midis vendeve ballkanike. Është kthyer në një ritual takimi vjetor i presidentëve të vendeve të Ballkanit ku përtej marrëdhënieve bilaterale, organizohen tryeza të rrumbullakta ku diskutohet për mjaft elementë, mes të cilëve mbizotërojnë nevoja për forcimin real të dialogut politik, nevoja për rritjen e bashkëpunimit ekonomik, nevoja e sintonizimit të të gjitha mjeteve ligjore dhe operacionale për të luftuar krimin transnacional.
Nga kjo pikëpamje, mund të them që Shqipëria ka rezultate të dukshme jo vetëm në luftën kundër korrupsionit, por edhe në parandalimin e fenomeneve që kanë të bëjnë me trafiqet e paligjshme. Ajo që ka ndodhur gjatë viteve të kaluar, ka rreth tre vjet që nuk ndodh më. Kemi një ndalim të trafikut të paligjshëm që kalonte nëpërmjet Shqipëri drejt Italisë. Sigurisht kjo ka ardhur nëpërmjet një rregullimi ligjor, por edhe nëpërmjet vullnetit të të gjitha forcave politike për të ndaluar këtë fenomen, i cili ishte i dëmshëm jo vetëm për vendet ku trafikoheshin qeniet njerëzore, por ishte i dëmshëm edhe për Shqipërinë dhe imazhin e saj.
Sot kjo mënyrë rregullimi, që ka të bëjë jo thjesht me vullnetin, por ka të bëjë edhe me ligjin, kjo mënyrë bashkëpunimi i ka dhënë Shqipërisë një imazh të ri dhe tashmë Shqipëria është pjesë e një sistemi rajonal dhe global në luftën kundër terrorizmit, kundër trafiqeve të paligjshme, kundër korrupsionit dhe kjo është një dëshmi, e cila nuk shikohet shikohet thjeshtë nga ata që jetojnë në Shqipëri, por konstatohet edhe nga miqtë tanë ndërkombëtarë, të cilët jo vetëm e monitorojnë rrugën e Shqipërisë drejt këtyre standardeve, por edhe e ndihmojnë, dhe kjo është arsyeja që Shqipëria sot është jo vetëm vend i NATO-s dhe është në rrugën e saj të sigurtë drejt anëtarësimit për në familjen evropiane”.