Intervistë e Presidentit Topi dhënë për emisionin “Ora e debatit” të gazetarit Alfred Peza, në Televizionin Ora News.

13 nëntor 2009
Gazetari: Mirëmbrëma të nderuar teleshikues të televizionit “Ora News”! Ju përshëndes drejtpërsëdrejti nga zyra e numrit një të shtetit shqiptar, zotit Bamir Topi, i cili ka patur mirësinë të na mirëpresë dhe të sakrifikojë në një farë mënyre në këtë kohë sfidash të mëdha politike dhe shoqërore për vendin, por edhe angazhimet e tij të mëdha. Falemnderit zoti President që pranuat ftesën të jeni sërish pjesë e Ora e debatit! Falemnderit që keni pasur mirësinë dhe unë ndjehem i nderuar për shkak se sapo keni mbëritur nga një vizitë jashtë Shqipërisë, nga Franca, nga Parisi ku keni qenë në Forumin e Krans Montanës. Besoj që edhe teleshikuesit në këtë fillim emisioni janë të interesuar të kuptojnë diçka më shumë se çfarë ndodhi atje dhe sa e dobishme ishte kjo.
Presidenti Topi: Falemnderit! Këtë radhë Krans Montana u zhvendos në Paris. Me ftesë të zotit Karteron unë mora pjesë në një takim mjaft të rëndësishëm, tematika e të cilit ishte për krimin transnacional. Sigurisht personalitetet e Shqipërisë kohë pas kohe kanë qenë mjaft aktivë në këtë Forum. Unë natyrisht prezantova Shqipërinë me arritjet e saj dhe të institucioneve të saj përsa i përket luftës kundër krimit të organizuar, të gjithë atij legjislacioni që është ndërtuar ndër vite me pjesëmarrjen e të gjitha forcave politike, rreshtimi i Shqipërisë në sistemin antiterrorist qoftë rajonal, qoftë global dhe padyshim të asaj sfide që ne bëjmë çdo ditë gjithnjë nga kërkesat themelore të vendeve të Bashkimit Evropian ku ne dëshirojmë të anëtarësohemi shumë shpejt.
Gazetari: Në fillim të javës një nga angazhimet tuaja të rëndësishme ishte, siç u konsiderua nga media, takimi me ambasadorin amerikan Uithers. Në fakt nuk pati ndonjë njoftim, sepse nuk është domosdoshmërisht e thënë të ketë gjithmonë njoftime, por pati hamendësime të ndryshme, disa komentuan se takimi kishte të bënte me zhvillimet politike, kriza politike në një farë mënyrë përsa i përket Parlamentit për mospjesëmarrjen e opozitës, por kishte të tjerë që e lidhën këtë vizitë me takimet për luftën kundër krimit në përgjithësi dhe për reformat në drejtësi. Ka ndonjë përgjigje apo do mbetet...?
Presidenti Topi: Ne kemi qenë gjithmonë të hapur për komunikimin me median. Fakti që nuk ka pasur njoftim tregon që takimet tona tashmë janë takime rutinë që nuk mbështillet me një vello protokollare, por tregon vërtetë që këto takime janë të frytshme në funksion të punës së përditshme. Kemi diskutuar për çështje të ditës. Fakti që këto takime bëhen herë pas here tregon që gjërat nuk lihen që të akumulohen. Ne i konsiderojmë partnerët tanë mjaft të rëndësishëm, sepse me ata kemi ndërtuar të gjithë sistemin e marrëdhënieve demokratike dhe kur flasim për partnerë, themi për aleatë, janë aleatë në NATO dhe patjetër do të jenë aleatë të përhershëm si aleatë strategjikë edhe në rrugën tonë drejt Bashkimit Evropian. Kemi diskutuar për politikën e ditës. Kemi diskutuar për çështje akute sikurse ishe ajo që kishte të bënte me rastin e dhunimit të gazetarit Baze. Natyrisht që jo duke u fokusuar shumë tek individi, por duke trajtuar çështje që kanë të bëjnë me raportin e medias me shoqërinë, raportin e medias me politikën dhe anasjelltas .
Gazetari: Cili është në fakt shqetësim kryesor në këtë raport midis medias dhe politikës dhe aktualisht në Shqipëri nisur dhe nga ky rast?
Presidenti Topi: Besoj se do të duhej mjaft kohë për ta analizuar, por për t’iu përshtatur një pyetjeje spontane mund të jap dhe një përgjigje medias mjaft të rëndësishme padyshim dhe në kushtet e Shqipërisë median e kemi bashkudhëtare e ngushtë e partive politike, e institucioneve dhe është bërë një element i domosdoshëm për jetën tonë të përditshme. Raportet me mediat padyshim kërkojnë mjaft kujdes. Që kurse jemi futur në një sistem pluralist kemi diskutuar për domosdoshmërinë e medias për të qenë pjesë dhe promotore shumë i rëndësishëm në zhvillimet demokratike jo thjesht në funksionin që ka media për të qenë mediatore e transmetimit dhe e transparencës midis institucioneve dhe publikut, por për të qenë pjesë e analizave, të cilat në mjaft raste politika i fsheh, i kamuflon, i jep sipas orekseve të saj, ndërsa media, unë gjithmonë presupozoj median objektive, median, e cila lufton për profesionalizëm, lufton për ekuivalencë të plotë midis palëve dhe natyrisht nuk e kam këtu fjalën për mediat e kanalizuar si suport i linjave të caktuara politike apo i linjave të caktuara personave të biznesit. Flasim këtu për parime shumë të rëndësishme të demokracisë në komunikimin midis insitucioneve-medias-publikut dhe unë besoj në të gjithë këtë kontest, media në Shqipëri besoj që ka bërë hapa mjaft të rëndësishëm, jo thjesht përsa i përket përmirësimit të ndjeshëm të teknologjisë, por edhe mënyrës së pozicionimit. Do të veçoja këtu jo vetëm televizionet që kanë lajmin e parë, që është shumë i rëndësishëm, por dhe të gjitha ato forume që realizohen, debate mjaft të rëndësishme ku realisht janë vende ku marrin pjesë intelektualë, të cilët jo domosdoshmërisht duhet të vijnë ose duhet të jenë pjesë e politikës. Këto janë pika referimi shumë të rëndësishmë për t’i parë gjërat nga një tjetër këndvështrim, për ta pasuruar debatin publik dhe mund t’ju them që në mjaft raste këto debate kanë nxjerrë gjëra shumë të rëndësishme.
Gazetari: A është e rrezikuar dhe çfarë e rrezikon më shumë median?
Presidenti Topi: Unë do të besoja që nuk mund të ketë një përgjigje lakonike për këtë. Do të ishte gabim të thonim nëse media do të rrezikohej nga politika apo nga biznesi. Media ka shumë rëndësi të jetë autoritare, të jetë profesionale, të tregojë me kuptimin e vërtetë të fjalës personalitet dhe duhet të dijë të pozicionohet në tregun mediatik. Sigurisht media e ka të domosdoshme që të jetë në komunikim të vazhdueshëm, të gjejë akses mes institucioneve, tek politika, sepse ta themi hapur jo të gjithë gazetarët arrijnë të penetrojnë. Pra dhe arti i penetrimit në institucione është më vete. E kanë detyrim që të japin transparencë. Nuk mund të themi që janë të shkëputur totalisht nga marrëdhëniet prej subjektivisti, po i bëj një trajtim të përgjithshëm kur gazetarët, dhe nuk dua të hap një parantezë këtu. Kam një vlerësim për të gjithë gazetarët, gazetarët e terrenit, analistët dhe ata që drejtojnë median janë të gjithë në një sistem “netëork”-u, që janë të domosdoshëm, janë në kompeticion me njëri-tjetrin, por brenda kësaj duhet të dinë të bëjnë dhe diferencën në mënyrë që televizionet sikurse dhe partitë politike, sikurse institucionet të kenë të përbashkëtat e tyre, por të kenë patjetër dhe diferencat e tyre, por mbi të gjitha duhet të mbizotërojë objektiviteti, duhet të mbizotërojë lajmi i vërtetë, trajtimi me shumë vërtetësi jo me paragjykime pasi brenda këtij kuadri kur flasim për median kemi aspekte të ndryshme. Pra kur themi që media duhet të shikojë tek vetvetja kam parasysh shumë gjëra, ka të bëjë me integritetin e gazetarit dhe të atyre që trajtojnë tema shumë të rëndësishme me akses publik, sepse është shumë e rëndësishme që publiku të marrë informacion, por më e rëndësishmë është që këtë informacion ta marrë në mënyrë reale dhe jo të deformuar.
Gazetari: Zoti President, në këtë pjesë të parë të intervistës ku unë jam munduar të përzgjedh disa pyetje të natyrave të ndryshme, por që kam dashur t’i bëj nga intervista e fundit që kemi bërë bashkë të shkëpusja më ka bërë, le të themi pak çudi mënyra sesi ju këtë javë ndryshe nga sjellja juaj ku nuk vini nëpër studio, në televizion apo ku në përgjithësi prisni dhe mirëprisni njerëz në Presidencë, shkuat në shtëpinë e Ismail Kadaresë. Pse kjo, le të themi, thyerje rregullash apo protokolli?
Presidenti Topi: Aspak nuk ishte një thyerje rregulli. Është një normë qytetare. Nuk isha unë që prisja urimet, ishte zoti Kadare që priste një urim dhe padyshim që vendi më i mirë për të dhënë urimin është ambjenti i shtëpisë. Kjo është arsyeja që Presidenti dhe cilido tjetër nuk duhet të futet në pjesën kornizë të zyrës, duhet patjetër ta alternojë punën e zyrës me komunikimet nëpër ambjentet publike edhe pse jo, në marrëdhënie të tilla që nuk janë thjesht për hir të pozicionit. Me zotin Kadare unë kam miqësi personale relativisht të vjetër jo e lidhur domosdoshmërisht me pozicionin që kam sot.
Gazetari: Zoti President, pak ditë më parë revista prestigjioze amerikane “Times” ju renditi i dhjeti në liderët botërorë si më “hotest” domethënë e përkthyer është pak më shumë se seksi.
Presidenti Topi: Ju e dini që unë nuk lë pyetje pa përgjigje, por ju sugjeroj që këtë pyetje ta fshini.
Gazetari: Do ju bëj një pyetje tjetër, uroj që të mos e fshijmë! Kam dashur të pyes, sepse ka pasur komente të ndryshme reth dekorimit që ju i bëtë vëllait tuaj z. Flamur Topi, një kolegu ynë prej shumë vitesh. Ka bërë emisione shumë të mira në Televizionin Shqiptar, një mjek i nderuar. Por komentet ishin që, s’duhet ta bënte vëllai.
Presidenti Topi: Nuk besoj! Së paku nga burimet e mia të informacionit janë të karakterit formal dhe informal, ka qenë një gjë që jo detyrimisht lidhet me pozicionin tim. Do të ishte e papranueshme që qenia ime në këtë pozicion të pengonte një dekorim, që nuk erdhi me inisiativën time ishte një propozim i institucionit dhe për kuriozitetin tuaj, Flamuri e ka filluar atë emision 40 vite më parë. Kur televizioni nuk ekzistonte ka filluar ne një studio radioje, tek Rruga e Kavajës, aty ku u ndërtua dhe studio e parë televizive dhe për të tjerat i takon publikut të flasë dhe nuk do të ishte efektive që unë të flas sot për vëllain tim.
Gazetari: Zëra të ndryshëm në mazhorancë pas zgjedhjeve të 28 qershorit u kritikuan se përse ju nuk u prononcuat për zgjedhjet. Në fakt kishte diçka që ju realisht në pozicionin e të parit të shtetit dhe njeriut që qëndron mbi palët duhet të jepte një mesazh për këto zgjedhje?
Presidenti Topi: Ju thoni që nuk e kam dhënë këtë mesazh.
Gazetari: Ky është pretendimi i mazhorancës.
Presidenti Topi: Sot kemi rastin të flasim në retrospektivë duke iu referuar edhe momentit kur unë e dhashë këtë mesazh. Pra të gjithë aktorët politikë duhet të shikojnë tek Presidenti jo më një pozicion, që janë mësuar ta shohin. Kur prononcimet janë të çastit, janë me extempora, mund të ketë disa prononcime brenda ditës. Ky është prononcimi i Institucionit të Presidentit. Pra duhet të mbyllet si proces. Njerëzit duhet të kenë durim që procesi finalizohet atëherë kur janë shprehur të gjitha institucionet dhe besoj që momenti më i përshtatshëm për të dhënë një mesazh ka qenë fillimi i punimeve i legjislaturës së re. Besoj që ai ka qenë një mesazh që ju jeni në dijeni dhe ka qenë me tërë dimensionet e veta.
Gazetari: Po, por ju e ndatë atë në shumë kopje, me DVD dhe të gjithë elementet e tjerë modernë të ndarjes së mesazheve, por kritikat edhe këtë radhë ishin se përse ju qëndruat në llozhë dhe nuk shkuat përballë deputetëve dhe ta mbanit aty dhe këtë mesazh?
Presidenti Topi: Së pari ju falëndëroj që falë teknologjisë suaj ne arritëm që ta transmetojmë! Kur jepet mesazhi natyrisht jepet për Kuvedin, por dhe për publikun e gjerë. Marr në konsideratë dhe rrethanat kritike të mungesës opozitës në Parlament patjetër që një nga mënyrat që konsiderohen legjitime, funksionale, të efektshme, në sensin që unë sapo shpreha janë dhe ato që unë përdora, që janë absolutisht mjaft të efektshme për publikun. E rëndësishme është që të transmetohet mesazhi. Patjetër unë isha i pranishëm në llozhë, sepse sikur e dini është një vend që i takon Presidentit, të jetë në llozhë, të ndjekë punimet.
Gazetari: Duke respektuar institucionin?
Presidenti Topi: Duke respektuar edhe pozicionin e Presidentit.
Gazetari: Po, por zërat kritikë thoshin sigurisht që ai është vendi juaj, por në hapjen e Parlamentit të ri, vendi ndoshta do të ishte në foltoren e Parlamentit?
Presidenti Topi: Unë sikurse ju e dini, gjithmonë do të ketë zëra kritikë. Pra vlen më shumë substanca sesa forma, e rëndësishmë është që mesazhi kishte të bënte me parlamentin si tempullin e demokracisë, vendi ku zhvillohet dialogu politik, vendi ku zhivllohet debati politik, vendi ku debatohen ligje, vendi ku monitorohen institucionet kushtetuese. Pra të gjitha këto mesazhe është e rëndësishme që ju të gjithë, ju si media, por dhe si publik i keni marrë në kohën e duhur dhe në vendin e duhur.
Gazetari: Dhe një pyetje të fundit të kësaj parahyrje të intervistës, para se të hyjmë në çështjet më tepër të rëndësishme të politikës së ditës, më 9 nëntor ishte 20-vjetori i rrëzimit të Murit të Berlinit. Një javë më parë në studion e Ora e Debatit u zhvillua një emision lidhur me këtë ku erdhën shumë kujtime dhe sigurisht që u bënë dhe paralelet me zhvillimet pas rënies së Murit të Berlinit në të gjithë Evropën Lindore Komuniste, por edhe pasojat apo ndikimet që patën ato më pas edhe në Shqipëri. Zoti President në atë periudhë, e mbani mend, ku keni qenë, si e keni ndjekur edhe a ka qenë ai përjetimi se edhe në Shqipëri do të ndodhin këto ndryshime që ju thatë, jo duke e parë nga sot, me mendimin e sotëm, por me mendimin e asaj kohe.
Presidenti Topi: Kam qenë në Tiranë. Në atë kohë punoja në një institut dhe padyshim që kjo temë ishte tema e preferuar e ditës. Këto biseda si zakonisht zhvillohen në ambjentet familjare, kishin filluar gradualisht të dilnin edhe në ambjentet shoqërore. Ishte vrarë frika, ndonëse kishte një lloje inercie që nuk mund të them që gjërat dilnin haptaz në publik. Padyshim tek të gjithë, tek bota intelektuale në radhë të parë, parashikimi ishte i qartë që shumë shpejt lëvizja demogratike do vinte edhe në Shqipëri. Dhe ne e dinim që mbas rrëzimit të Murit të Berlinit ashtu sikurse u improvizua rënia e Murit të Berlinit si gurët e dominosë, efekti domino erdhi e u zhvillua edhe në vende të tjera të kampit lindor dhe më së fundi erdhi dhe në Shqipëri, ato ngjarje që i kemi përjetuar të gjithë së bashku.
Gazetari: Nga kjo distancë e njëzet viteve nëse do të bënim një përmbledhje me të qenit entuziastë të asaj kohe të lëvizjeve demokratike, të Lëvizjes së Dhjetorit dhe më pas më 22 mars 1992 kur ndodhi dhe ndryshimi i madh. A ia ka arritur Shqipëria të përmbushë më së shumti aspiratat e atyre qindra mijëra njerëzve që mbushën sheshet me thirrje “liri –demokraci”, dhe “e duam Shqipërinë si gjithë Evropa”?
Presidenti Topi: Kjo dhe shumë gjëra u realizuan. Mjaft të tjera mund të ishin realizuar më shpejt. Disa gjëra mund të ishin realizuar më mirë, por mbas njëzet viteve, këto procese mjaft të mëdha të integrimit nuk mund të gjykohen në një muaj, në një vit, mund të themi që Shqipëria sot ka arritur atë gjë që ka qenë e paimagjinueshme tek unë. Shqipëria sot është një nga vendet e NATO-s dhe kuptohet që e kemi ndjekur të tërë procesin. Ka qenë një proces i gjatë që kishte të bënte me pozicionimin, me reformat, kishte të bënte me një vizion të ri të Shqipërisë dhe e them gjithmonë që integrimi në NATO ka qenë pjesë e një rruge të rëndësishme që i ka shërbyer edhe integrimit në Bashkimin Evropian. Janë procese që po finalizohen. Ka problematikën e vet natyrisht, ka të bëjë me mjaft standarde që ne në mënyrë të detyrueshme duhet t’i realizojmë, por është një rrugë e cila është përshkua dhe mbetet shumë pak për të bërë.
Gazetari: Zoti President, kjo është pak a shumë një panoramë realiste, por kohët e fundit ka pasur disa zhvillime. Kemi hyrë kështu në atë pjesën e zhvillimit të ditës në intervistën tonë, ku le të themi në datën 15 nëntor po zhvillohen zgjedhjet e pjesshme lokale në Shqipëri në pesë minibashki dhe komuna dhe opozita nuk merr pjesë. Si e vlerësoni ju këtë?
Presidenti Topi: Natyrisht mosmarrja pjesë gjithmonë sjell keqardhje, por unë si President i Republikës në mënyrë absolute, asnjëherë, për askënd, nuk kam preferuar që të futem në vullnetin politik të partive. Gjithmonë nga ky pozicion kam inkurajuar dialog, kam inkurajuar pjesëmarrjen, kuptohet me dozat e duhura të prononcimit gjithmonë pa interferuar siç e thashë në çështje të vullnetit politik, të praktikave politike, por gjithmonë kam qenë i prononcuar fort, qartë për domosdoshmërinë e pjesëmarrjes. Kjo ka qenë, është dhe do të jetë dhe në filozofinë time.
Gazetari: Oporita në fakt nuk ka marrë pjesë në këto zgjedhje të pjesshme lokale, por nuk është ky shqetësimi kryesor në lidhje me bojkotin sepse ka një bojkot më të madh sesa bojkoti i këtyre zgjedhjeve, i cili është bojkoti i Parlamentit. Aty opozita e partisë socialiste nuk ka marrë pjesë që në fillim dhe duke parë gjithë qëndrimet në vazhdimësi, por edhe në mitingun e fundit në qytetin e Vlorës pak orë më parë, lidershipi i kësaj partie por edhe liderët e së majtës, por dhe të disa partive të djathta janë shprehur se do ta vazhdojnë këtë bojkot. Po këtë si e vlerësoni?
Presidenti Topi: Natyrisht në kontekstin e përgjigjes që ju dhashë pak më parë, unë kam pasur disa prononcime dhe më i rëndësishmi ka qenë ai që lidhet me fillimin e punimeve të legjislaturës. Kam dhënë herë pas here prononcime, por tek e fundit ndryshe nga ajo çka unë shpreh ka dhe misionet politike të partive politike. Unë edhe në këtë moment që ne po flasim do të rishpreh të njëjtin shqetësim. Shqetësimin për rifillimin e dialogut, shqetësimin për pjesëmarrje sikurse është thënë nga të gjithë aktorët, ata që janë përtej interesave politike, të aktorëve politikë në fushë, askush nuk mbështet mospjesëmarrjen, atë do të thoja edhe në këto momente, por gjithsesi janë çështje të vullnetit politik të partive. Ajo që mund të them sot është që domosdoshmëria për të rifilluar një dialog, i cili është shumë i rëndësishëm për kalimin e këtij momenti dhe për vazhdimin e mjaft reformave që janë të domosdoshme për Shqipërinë.
Gazetari: Këtë moment politik si e vlerësoni. A e konsideroni edhe ju me termin që në Shqipëri ka krizë politike.
Presidenti Topi: Nuk mund të japë një përgjigje eksplicite. Kjo patjetër kërkon analizë dhe në kontensin e analizës mund të dalë që mungesa e dialogut të mospjesëmarrja, çështje të parealizuara në këtë lloj konfrontimi politik patjetër që të japin idenë e sintomave të një krize politike. Por ajo që unë shikoj si President i Republikës është që përgjithësisht ne kemi insitucione të stabilizuara. E rëndësishme është që partitë politike të marrin pjesë në këtë lloj dialogu dhe pastaj sikurse e kanë gjetur gjuhën edhe në raste të tjera mund ta gjejnë gjuhën edhe tani për të zgjidhur pikërisht ato probleme të cilat ata mendojnë se ekzistojnë midis tyre. Dhe patjetër që në këtë sens mund të diskutohen të gjtihë ato gjëra që në një moment mund të diskutohen nga selitë e partive. Unë që flas kështu, kam qenë edhe pjesë intelekutore e disa krizave që kanë ekzistuar edhe në të kaluarën në pozicionin tim politik. Mediacioni gjithmonë është i rëndësishëm, është pjesë e vullnetit politik të partive, nuk ka të bëjë kjo në karakterin individual privat, janë pjesë e vullnetit të partive politike, sigurisht nuk janë të lehta për t’u realizuar, kërkojnë njerëz që dinë ta bëjnë këtë mediacion dhe patjetër si pjesë e produktit të tyre dhe produkti nuk mund të jenë gjithmonë në favor të njërës palë. Gjithmonë produktet ndahen në mënyrë ekuivalente midis palëve. Kjo do të ishte në të mirën e vazhdimit të një procesi bashkëpunimi dhe patjetër kanë të gjitha riperkursionet e veta pozitive në sensin e stabilizimit të mëtejshëm të institucioneve.
Gazetari: A kanë filluar përpjekjet për këtë dialog meqënëse ju thatë që ka simptoma të një krize politike dhe a keni marrë ju iniciativë të tillë? Çfarë keni bërë deri tani?.
Presidenti Topi: Unë mendoj që kam bërë atë pjesë që i takon Presidentit të bëj. Janë apele, janë takime me partnerët, me faktorët politikë dhe u takon në mënyrë ekskluzive partive politike, të cilët kanë në lidershipin e tyre njerëz me eksperiencë që të marrin vendim për të vazhduar dialogun. Nuk është një dialog që fillon me një terren të thatë, në një terren të paeksploruar më parë mund të them. Pra kjo ka qenë historia e pluralizmit shqiptar në vite. Diku janë krijuar ngrica, pastaj janë ngrohur këto marrëdhënie kanë shkuar deri diku, pastaj janë ftohur sërish dhe unë besoj se është pjesë e një spirale, e cila patjetër do të sjellë një dialog të ri në politikën shqiptare dhe është e pamundur që skena politike shqiptare përtej krizave të mos ketë dhe barriera krize.
Gazetari: A jeni bërë ju iniciator për fillimin e këtij dialogu?
Presidenti Topi: Unë nuk kam bërë ndonjë tentativë të drejtpërdrejtë për mediacion mes palëve, sepse natyrisht që duhet ta shprehin vullnetin partitë politike në radhë të parë që të kërkojnë mediatorin dhe atëherë mund të futet në lojë institucioni, sepse ata mund të gjejnë mediator përtej Presidentit.
Gazetari: Mediatorët në Shqipëri janë gjetur edhe përtej Presidentit, madje dhe përtej kufijve, problemi është që në raste të tilla ekziston edhe një mundësi tjetër ku vetë mediatori nga pozicioni i tij në piramidën e shtetit, por edhe pozicioni kushtetues, por edhe nga formimi dhe siguria politike dhe formati i tij mund të bëhet iniciator, në rastin konkret, cilat janë për ju si President i Republikës?
Presidenti Topi: Ju mendoni që unë nuk e arsyetoj këtë rast? Natyrisht që e arsyetoj. Çështja është që njeriu duhet të jetë koshient për veprimet që bën dhe duhet të gjejë terren e duhur kur është nevoja për të realizuar një mediacion konkret. Por çështja në radhë të parë nuk është tek vullneti i Presidentit, i cili herë pas here edhe sonte në këtë studio të improvizuar patjetër që del apeli që duhet të rifillojë dialogu politik. Por çësthja në radhë të parë e predispozicionit dhe shprehjes së vullnetit nga partitë politike. Ka raste kur partitë politike mund të gjejnë mediator brenda radhëve të tyre dhe në eksperiencën politike, sidomos atë parlamentare, këto raste kanë qenë të qarta, që kanë dalë dhe brenda grupeve parlamentare. Kështu që mendoj që nuk është shumë i rëndësishëm vektori për ta realizuar mediacionin. I rëndësishëm është vullneti respektiv i forcave politike. Unë e shikoj nga kjo tavolinë ju e shikoni nga ajo studio, pra të gjithë mundohemi të shikojmë me sy realë sesi ndodh. Duket që deri në këto momente ky vullnet politik duket ai që shprehet njëherë, që nuk ekziston ose është në doza pamjaftueshmërie, por gjithmonë shpresojmë që forcat politike dhe i inkurajoj me këtë rast të gjejnë një lloj predispozicionin, sikurse është thënë dhe sot nga ambasadorët, duhet të gjejnë patjetër predispozicionin për rifillimin apo vazhdimin e dialogut politik, që është shumë i rëndësishëm në demokraci
Gazetari: Por përgjigja menjëherë pas deklaratës të Ambasadorit Uithers, unë e kam dhe kjo deklaratë dhe nuk besoj që është momenti për t’u lexuar e gjitha, por mesazhi ishte i qartë që bojkoti është në të keq të vendit e përkthyer pak më fort seç u shpreh edhe Ambasadori dhe duhet vetë klasa politike shqiptare, ku bëni pjesë edhe ju , që ta gjeni forcën për të rifilluar këtë dialog që u shprehët edhe ju.
Presidenti Topi: Pra pikërisht atë që unë thashë dhe pak më parë. Pra vërtetë aktorët politikë mund të jenë në Parlament, në selitë e partive, unë do preferoja që ta quaja një pozicion kushtetues, jo politik natyrisht me pjesëmarrje të detyrueshme në mjaft aksione të karakterit politik konstitucional, por kjo ka të bëjë në mënyrë ekskluzive me vullnetin e partive politike, të cilat e zhvillojnë veprimtarinë e tyre në selitë respektive të partive politike. Çështja e institucioneve kushtetuese duhet të ritheksohet në mënyrë të qartë, është mbi partitë, kur është e nevojshme është mes partive për të inkurajuar një dialog, por në mënyrë absolute për të mos qenë pjesë e asnjë pale apo për të mos interferuar në çështje dhe për të treguar një pozicion unilateral. Ky pozicion i Presidentit që sigurisht është, i cili është ndonjëherë e vështirë të kuptohet nga të gjithë, por unë mendoj që duke patur respekt për atë dokument themeltar, Institucionit të Presidentit të Republikës, duke pasur dhe një eksperiencë politike dhe institucionale unë besoj se ky është pozicioni më korrekt që nuk mund të vlerësohet negativisht për mungesën e angazhimit, por ka shumë rëndësi mënyra se si angazhohesh. Të angazhohesh nuk do të thotë që të interferosh do të thotë të japësh apelet e duhura, sikurse jep Presidenti japin partnerët ndërkombëtarë, japin analistë të pavarur të medias, mund të japin dhe analistë të varur nga partitë politike për të qenë si gjithmonë të predispozuar për një klimë dialogu. Klima e dialogut mund të mos jetë bilaterale, ajo mund të jetë multilaterale.
Gazetari: E kuptuam mesazhin. Të dy palët duket sikur nuk lëshojnë pe të paktën nisur nga deklaratat dhe qëndrimet deri tani. Nisur dhe nga përvoja juaj politike për rreth një dekadë në politikën e nivelit të lartë në Shqipëri a ka një vullnet dhe si mund të jetë ajo në këto kushte, për zgjidhjen e tij?
Presidenti Topi: Krizat e këtij karakteri nuk ndodhin vetëm në Shqipëri. Ndodhin dhe në ato vende që kanë një demokraci paksa të gjatë, të konsoliduar. Kështu që unë mendoj që ekzisojnë edhe eksperiencat sesi mund të dilet nga kriza, pra arti i negociimit vërtetë është shumë i rëndësishëm, por mbi të gjitha unë e ritheksoj është vullneti, predispozicioni për të shprehur vullnet.
Gazetari: Ky vullnet mungon deri tani?
Presidenti Topi: Përderisa nuk ka deri në këto momente tregon që momentalisht vullneti në këtë spirale ku jemi, ky vullnet mesa duket mungon, por kjo nuk do të thotë që nuk do jetë vullneti sepse ne kemi parë që ka pasur vullnete mbi të cilat janë realizuar bashkëpunime shumë të rëndësishme. Ju e dini vetëm në prillin e vitit 2008 u realizuan ndryshime kushtetuese brenda 24 orëve me një vullnet të gjerë. Rezulton që ne kemi eksperiencë që ky vullnet mbi bazën e këtyre forcave që sot janë praktikisht në skenën politike dhe nuk e demostrojnë vullnetin për të biseduar, ky vullnet ka ekzistuar, për të thënë që në këtë rrugë sinusiodale kemi arritur bashkëpunim, nuk ka bashkëpunim sigurisht gjenetika e politikës do të ketë sigurisht bashkëpunim, por gjithmonë jam i parimit që palët të dinë çfarë kërkojnë, të dinë çfarë marrin nga njëra-tjetra dhe nuk besoj që rregullat e dialogut në demoraci janë me tendenca për të përfituar nga njëra anë patjetër që ato do të dinë të realizojnë negociata sikurse realizohen dhe në botën perëndimore sot.
Gazetari: Jemi rikthyer sërish në emisionin e drejtëpërdrejtë me Presidentin e Republikës, z. Bamir Topi. Zoti President, ishim duke folur më parë lidhur me situatën politike të krijuar në vend pas bojkotit të opozitës në Parlament dhe në momentin kur të gjitha palët kanë dhënë mesazhe të qarta për zgjidhjen e kësaj krize, apo simptomave të kësaj krize ende të paquajtuar krizë në kuptimin e plotë të fjalës dhe nga ana tjetër përtej kësaj qytetarët janë të shqetësuar jo vetëm për atë që ne diskutuam, për çështjen e negociatave dhe për vullnetin politik për zgjidhjen e këtij problemi, por nga ana tjetër qytetarët janë të shqetësuar, sepse ky bojkot është i lidhur me një çështje shumë të rëndësishme për ta që ka të bëjë me liberalizimi e vizave me Bashkimin Evropian. Realisht a e pengon, apo jo ky moment, apo ky bojkot i opozitës këtë proces në perceptimin dhe në gjykimin tuaj?
Presidenti Topi: Unë do të thoja që nuk e kompleton kuadrin. Por mendoj që ai proces ka rrugën e vet. Unë kam besimin që është një proces i pandalshëm në vetvete ky proces krijon dominantë, sepse ka të bëjë me një rrugë të gjatë të institucioneve të Shqipërisë ku në vite kontributin e tyre e kanë dhënë respektivisht partitë e mazhorancës, të opozitës, duke marrë në konsideratë dhe rotacionin e tyre. Sigurisht që disa gjëra frenojnë, por nuk ndalojnë. Është çështje e shpejtësisë së veprimeve, por në konsideratat e mia ky është një proces, i cili do të finalizohet i parë jo thjesht në kontekstin e Shqipërisë, por në kontekst rajonal. Ne vazhdimisht flasim me partnerët ndërkombëtarë, të gjithë aktorët e institucioneve të Shqipërisë. Nuk do të guxonte askush të bënte të kundërtën. Është një proces jetik. Tek e fundit, gjithçka që është arritur është bërë që qytetarët të jenë të lirë dhe një njeri është i lirë realisht, kur nuk ka kufij. Kufijtë nuk janë thjeshtë administrativë. Kufijtë janë dhe psikologjikë kështu që njeriu ka nevojë që të ketë botën e lirë. Dhe është momenti më i rëndësishëm kur qytetarët e Shqipërisë janë të përgatitur psikologjikisht për t’i shpërthyer barrierat e fundit të pengesave që ekzistojnë ende për disa vende të Ballkanit Perëndimor.
Gazetari: Po zoti President, por pas njëzet vjetësh duket pak e trishtueshme po të shikosh që edhe Serbia, edhe Mali i Zi, edhe Maqedonia më në fund po i bashkohen atij treni ku Evropa gjithmonë e më tepër Evropa po e humbet nocionin e kufijve, por Shqipëria mbetet në fund fare me Bosnje Hercegovinën dhe me Kosovën.
Presidenti Topi: Ju e keni dëgjuar pozicionin tim në një konferencë të drejtpërdrejtë me mediat, në momentin kur Presidenti çek Vaslav Klaus erdhi në Shqipëri. Unë gjithmonë kam përkrahur tezën që vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të trajtohen në bllok përsa i përket çështjes së liberalizimit të vizave. Kjo nuk është një çështje që e cakton Presidenti i Republikës së Shqipërisë, por unë shpreh një opsion të këtij institucioni duke marrë në konsideratë shumë gjëra. Sot mund ta themi me krenari që Shqipëria në kontekstin rajonal konsiderohet elementi më i rëndësishëm për disa arsye. Së paku politika e Shqipërisë në Ballkan ka qenë një politikë e mençur, një politikë moderatore, ka zhvilluar shumë bisedime bilaterale me fqinjët, ka marrë nota shumë pozitive në mënyrë se si e ka trajtuar çështjen e Kosovës edhe për faktin tjetër që, përtej rreagimit të insitucioneve të shtetit dhe të politikës, një faktor shumë i rëndësishëm i stabilitetit rajonal ka qenë popullsia shqiptare që jeton në Shqipëri, jeton në Kosovë, jeton në Maqedoni, në Mal të Zi, pra, partitë politike respektive që bëjnë jetën politike në këto vende dhe kjo i ka dhënë Shqipërisë një imazh të ri. Sot Shqipëria ka një emigracion të ri, një numër i konsiderueshëm i së cilit në Greqi, që konsiderohen mjaft të rëndësishëm edhe nga institucionet e Greqisë për forcimin e uravet të miqësisë midis dy vendeve tona. Pra, ka një mënyrë sjelljeje qoftë në terren social, qoftë në politikë dhe besoj që duke pasur këtë rol Shqipëria dhe të mos harrojmë që Shqipëria midis këtyre vende që unë sapo përmenda është vend i NATO-s së bashku me Kroacinë. Të jesh vend i NATO-s do të thotë që të kesh kaluar prova të rëndësishme që kanë të bëjnë me mënyrën e sjelljes politike, me mënyrën e trajtimit të aspekteve të sigurisë dhe ky është një moment shumë i rëndësishëm që duhet të merret në konsideratë edhe për çështjen e liberalizimit të vizave. Unë mendoj që ka disa çështje të karakterit teknik, teknologjik. Them që është kaluar momenti i teknologjisë por çështje që kanë të bëjnë me pajisjen e popullsisë, të gjithë ato çështje teknike që më mirë të mos flas për t’ia lënë zërit të institucioneve për ta trajtuar.
Gazetari: Po si është e mundur zoti President, ngrihet pyetja, që duke luajtur shqiptarët këtë rol në rajon xhelati i merr vizat më shpejt se viktima që është Kosova, apo shqiptarët në përgjithësi, apo dhe boshnjakët?
Presidentit Topi: Unë nuk mund t’i futem trajtimit dhe analizës së këndvështrimit të vendeve të Bashkimit Evropian, sepse politika e këtyre vendeve është që të tërheqin në Bashkimin Evropian të gjitha vendet. Për t’u futur në një analizë më të thellë do të thoja që pikërisht të gjitha vendet , pra dal në tezën që unë kam prononcuar, nuk do t’u japin shansin disa vendeve që realisht kanë probleme. Pra, çështja e Serbisë është një çështje specifike që mund të shihet nga vendet e BE-së, por ende Serbia ka probleme lidhur me trajtimin jo vetëm të çështjes së Kosovës, që janë trajtime korente, por dhe me çështje që kanë të bëjnë me dorëzimin e kriminelëve të luftës, sikurse është Radko Mlladiç. Unë nuk dëshiroj të futem në specifikat e këtyre marrëdhënieve, por kjo më jep rastin të them që vendet e Ballkanit Perëndimor duhet patjetër të trajtohen në këtë mënyrë. Pavarësisht regjimit të komunikimit që ne kemi me vendet fqinjë, që nuk besoj që do të preket pavarësisht nga futja në kohë të ndryshme e këtyre vendeve në BE ka të bëjë shumë efekti psikologjik. Këto popuj janë mësua tashmë të lëvizin të lirë, të shijojnë jo vetëm frytet e biznesit të tyre, por edhe të turizmit. Ju keni keni lëvizur dhe lëvizni drejt Kosovës dhe anasjelltas, drejt Maqedonisë, Malit të Zi. Vetëm në bregdetin shqiptar gjatë kësaj vere ka pasur shumë turistë nga Kosova, nga Maqedonia. Unë besoj që sot turizmi nuk trajtohet më si turizmi në një vend të caktuar, por si turizëm rajonal. Po ta marrim në këtë lloj konteksti, po ta marrim nga takimet frekuente që bëjnë institucionet; javën që vjen unë do të jem në Sarajevë në takimin që bëjnë Presidentët e vendeve të Ballkanit dhe është një ritual që përsëritet çdo vit dhe ku theksohet rritja dhe intensifikimi i dialogut politik çdo vit, por edhe i nevojës së rajonalizimit të mjaft politikave që kanë të bëjnë me biznesin, në fushën fiskale, me energjinë, me infrastrukturën, pra e kam fjalën që të gjitha këto vende janë duke shkuar në një ritëm harmonik dhe besoj që kjo jep shansin që edhe vendet e BE-së natyrisht do të dinë ta trajtojnë në këtë mënyrë. Unë besoj që terreni ballkanik duhet në mënyrë definitive t’i largohet atyre diferencimeve që kanë të bëjnë me të kaluarën. Unë këtu do të fusja me shumë nota pozitive dhe klimën e krijuar në Kosovë. Edhe për me skeptikët situata në Kosovë konsiderohet mjaft pozitive. Edhe mënyra se si ata po realizojnë zgjedhjet e 15 nëntorit dhe nuk është thjesht këndvështrimi që vjen si nga subjektivizmi i Presidentit të Shqipërisë, por kam dëgjuar njerëz të rëndësishëm të politikës evropiane dhe botërore që kanë parë realizimin e fushatës elektorale në Kosovë, në të gjitha standardet e kërkuara për një shtet mbi bazat e multietnicitetit dhe besoj që dhe dita e zgjedhjeve do i japi Kosovës mjaft nota pozitive.
Gazetari: Uroj të jetë kështu se pak ditë më parë krismat ishin pranë Kryeministrit Thaçi dhe për këtë u akuzua ish-kryeministri Hajradinaj dhe mbështetësit e tij. Nisur nga këto zhvillime në rajon të hënën, apo të martën, pra në datat 16-17 është paralajmëruar që ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian të shqyrtojnë dhe kërkesën e Shqipërisë për marrjen e statusit të vendit kandidat, një kërkesë e cila është depozituar në fund të prillit dhe po shqyrtohet tani. Është ndoshta një ndër periudhat më të gjata të shqyrtimit të një kërkese të tillë nga vendet e BE-së për një vend aspirant si dhe ne.
Presidenti Topi: Besoj që është një procedurë normale. Nuk është kollaj të kalosh klasën, të marrësh notën për të qenë pjesë e familjes evropiane. Brenda kësaj ju e dini që ka themelues skepticizmi për zgjerimin e Bashkimit Evropian. Por unë në rastin e Shqipërisë, nga informacionet që kam, nuk kam parë elementë kontestues të realizimit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Kontaktet janë të përditshme, informacionet janë të përditshme nuk kam dhe një shembull të vetëm ku të demonstrohet qoftë në mënyrë të hapur, qoftë “underground” mungesa e dëshirës për të bërë Shqipërinë pjesë të BE-së. Kjo është një çështje që mesa duket nuk realizohet për shkak të plotësimit të disa standardeve dhe besoj që kanë të bëjnë me disa elemente teknike dhe jo me predispozicionin dhe vullnetin politik të vendeve të Bashkimit Evropian.
Gazetari: Zoti President, çfarë identifikoni, apo kë problem identifikoni ju si më kryesorin që mund të pengojë realizimin e aspiratës së shqiptarëve për realizimin e liberalizimit të vizave dhe për integrimin e shpejtë le të themi.
Presidenti Topi: Unë nuk dëshiroj të marr aspektin pesimist të këtij procesi, por që gjithësesi do të merrja në konsideratë pajisjen sa më shpejtë të jetë e mundur me pasaporta biometrike të popullsisë shqiptare, nevojën për të realizuar disa reforma fondamentale për përmirësimin e sistemit të drejtësisë, dhe disa reforma të tjera, të cilat domosdoshmërisht shikohen me një sy kritik nga vendet e BE-së. Pra, pa u futur në kontekstin e diskutimit që bëmë pak më parë, por për t’iu përgjigjur në mënyrë të drejtëpërdrejtë shqetësimit që ka të bëjë me pyetjen tuaj them që nevoja për pasaportat, nevoja për realizmin e disa standardeve ku ata janë shumë të ndjeshëm në linjën e sistemit të drejtësisë.
Gazetari: Zoti President, do të doja të flisnim për një nga çështjet më të ndjeshme për opinionin publik, por edhe për një çështje ku ju edhe për nga pozicioni që jeni që ju bën automatikisht Kryetarin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, pra ju jeni kryeminstri i një ndër tre pushtet kryesore në Shqipëri që është pushteti gjyqësor. Në progres-raportin e Bashkimit Evropian ky pushtet konsiderohej si një ndër tre më të korruptuarit. Realisht, si po luftohet korrupsioni në një kollonë që ka të bëjë shumë me problematikën e qytetarëve për shkak edhe se në këto njëzet vjet në një mënyrë ose në një tjetër secili prej tyre ka shkuar një herë në dyert e gjykatave.
Presidenti Topi: Këtë që ju po thoni sot me të drejtë, unë shfrytëzoj rastin ta them në çdo lloj takimi ku kam mundësinë që të jap prononcime të karakterit publik. Pra, raportet që vijnë për korrupsionin në sistemin e drejtësisë janë raporte realiste. Kjo sepse partnerët kanë dhe misionet e tyre në Shqipëri pranë këtij sistemi, funksionojnë linjat e EURALIUS-it dhe OPDAT-it, që kanë një komunikim shumë të rëndësishëm me aktorët e sistemit të drejtësisë dhe me aktorët e politikës për të reformuar sistemin e drejtësisë dhe shtetin e së drejtës mbi bazën e këtyre standardeve që ne kërkojmë të arrijmë. Për të komentuar disi Këshillin e lartë të Drejtësisë. Jo të gjithë e dinë që është një organizëm që konsiderohet qeverisja e pushtetit gjyqësor, por që përbëhet nga aktorë të ndryshëm. Pra, paralelizmi për të thënë kryeministër i sistemit të drejtësisë në rastin konkret nuk shkon, sepse në përbërjen e Këshillit të Lartë të Drejtësisë janë disa aktorë që vijnë nga vendimmarrje të ndryshme. Tre anëtarë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë vijnë nga Parlamenti. Nëntë anëtarë të KLD-së vijnë nga Konferenca Gjyqësore, çka do të thotë që është atribut i vullnetit të gjyqtarëve që organizohen në Konferencën Kombëtare Gjyqësore. Tre personazhe, respektivisht Presidenti, Ministri i Drejtësisë dhe Kryetari i Gjykatës së Lartë janë pozicione ex-officio ç’ka demonstron që Këshilli i Lartë i Drejtësisë është një organizëm që përbëhet nga aktorë që vijnë nga institucione të ndryshme. Problemet që kanë të bëjnë me sistemin e drejtësisë, natyrisht lidhen jo vetëm me nevojën e përmirësimit të ligjeve dhe të legjislacionit në fushën e drejtësisë, që është kompetencë dhe ekskluzivitet i vullnetit politik të shprehur …
Gazetari: Këtë shpjegim po e bëni për të larguar përgjegjësinë tuaj?
Presidenti Topi: Jo, jo, absolutisht! Është mirë që gjërat …
Gazetari: Se dhe një qeveri krijohet nga disa parti politike, por kjo nuk do të thotë që përgjegjësinë nuk e ka kryeministri.
Presidenti Topi: Paralelizmi është çështja e vullnetit politik dhe çështja e detyrimit institucional. Është mirë që në një komunikim, sikurse po e bëjmë sonte, të ketë një shpejgim më të detajuar, në mënyrë që njerëzit, edhe ata që nuk e dinë, përjashto ata që e dinë, të dinë diçka më shumë se si funksionon Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Pra, çështja është tek reformat e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, përmirësimi i legjislacioni, përmirësimi i standardeve, por edhe tek integriteti i gjyqtarëve në të gjithë sistemin e drejtësisë.
Gazetari: A i keni të identifikuara zoti President shkaqet që e sjellin korrupsionin. Një nga këto mund të konsiderohet për shembull, a ka emërime për shembull kundrejt vetë korrupsionit, kundrejt pagesave në sistemin e gjyqësorit?
Presidenti Topi: Ju e keni fjalën për zgjedhjet që bëhen nëpërmjet KLD-së?
Gazetari: Në përgjithësi në funksionimin, në emërime, në shkarkime, në vendosjen në detyra të larta në sistemin gjyqësor, të kryetarëve të gjykatave, të anëtarëve të ndryshëm të gjykatave...
Presidenti Topi: Atëherë unë do ju përgjigjem në formë të drejtëpërdrejtë që linja e emërimeve nga KLD-ja ka ardhur duke u bërë shumë transparente. Ju keni parasysh zgjedhjet që u bënë për kryetarët e gjykatave disa muaj më parë, që ishin në debatet dhe ballafaqimet publike të njerëzve që konkuronin dhe patjetër që çdo anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë ka vullnetin e tij individual që shprehet me firmë për të dhënë pëlqimin ose jo për një kandidat të caktuar. Mendoj kur ka transparencë në procedura, kur ka prani të medias në këto situata dhe kur ka vullnete individuale, nuk përjashtoj kur ka lobingje për mbështetjen e një kandidati të caktuar, por mendoj që kur gjërat jepen në transparencë, atëherë probabiliteti për të kaluar në momente korruptive në këto linja vjen edhe zvogëlohet.
Gazetari: Cili është ai shkak që e stimulon korrupsionin më së shumti në sistemin e drejtësisë? A keni ju të dhëna, a keni ju studime, a keni ju informacione konkrete dhe si mund të luftohet kjo gangrenë?
Presidenti Topi:. Sigurisht, kjo që unë po ju them nuk ka të bëjë me studimet e një doktorate për këtë punë. informacionet që vijnë, vijnë nga vetë institucionet. Këshilli i Lartë i Drejtësisë në atributet e veta ka analizën dhe procedimin që u bëhet gjyqtarëve, të cilët dalin nga roli i tyre në funksion të ligjit. Ju e dini fare mirë dhe keni informacionet e duhura që gjatë dy tre viteve të fundit një numër jo i vogël gjyqtarësh kanë kaluar në KLD dhe shumica e tyre, kur kanë pasur prova për penalizim, janë penalizuar dhe kjo është në aktet zyrtare të KLD-së, që tregon për një predispozicion të shprehur të Këshillit të Lartë të Drejtësisë për të luftuar korrupsionin. Çështja e korrupsionit nuk duhet trajtuar thjesht në formë sistemike, por duhet parë tek secili individ, që ka dy premisa shumë të rëndësishme për të qenë i aftë për të zbatuar me seriozitet detyrën e vet. Pra, të jetë i pavarur dhe të ketë integritet. Pavarësia nuk duhet kuptuar gjithmonë në lidhje me politikën, por edhe me interesat ekonomike.
Gazetari: Po, por duke qenë një ndër sistemet që konsiderohet, të paktën dhe nga progres raporti si më i korruptuari është më pak i ndëshkuari në këtë drejtim. Puna është që ndoshta mos kemi hyrë në një rreth ku gjyqtari, apo prokurori, apo hetuesi edhe nëse është i korruptuar, edhe nëse ka prova për këtë, ai nuk ndëshkohet?
Presidenti Topi: Ju keni relativisht të drejtë. Ne kemi pasur raste kur duke respektuar pavarësinë e gjykatave, këto vendime që janë marrë në Këshillin e Lartë të Drejtësisë janë apeluar në Gjykatën e Lartë dhe jo në pak raste vendimet e Gjykatës së Lartë, të cilat janë absolutisht të respektueshme, se ne e respektojmë institucionin, kanë qenë kundër vendimit të KLD-s. Kur anëtarët e KLD-së kanë marrë një vendim mbi bazën e të dhënave konkrete, por duke respektuar pavarësinë në linjën e pushteti të gjyqësorit, Gjykata e Lartë, jo në pak raste ka marrë vendime të ndryshme nga vendimmarrja e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Pra, çështja duhet parë, duhet të skanohet në çdo segment në çdo segment të sistemit të drejtësisë dhe mendoj që ndërhyrje për ta shëndetësuar sistemin e drejtësisë kanë shumë linja; pra linja e reformimit, aty ku ka boshllëqe në legjislacion duhet patjetër që të plotësohet. Aty ku mendohet që në fazën që jemi, në këtë frazë demokracie, të ndërhyet për të limituar pozicione të caktuara të cilat zgjasin në një kohë relativisht të gjatë për të shkuar në harmoni dhe me kohëzgjatjen e pozicioneve të tjera kushtetuese, çështja e imunitetit; gjithnjë themi të kufizohet të eleminiohet imuniteti çdo gjyqtari, çdo prokurori. Duhet patjetër që të mbrohet sigurisht, por duhet që të mos konsiderohet imuniteti kur bëhet fjalë për të dalë përpara shoqërisë me të gjithë transparencën.
Gazetari: Si zgjidhjet kjo?
Presidenti Topi: Kjo zgjidhet me ligj. Zgjidhet me ligj.
Gazetari: Duhet të ndryshojë ligji?
Presidenti Topi: Ligji po, por duhet patjetër edhe një predispozicion dhe një shprehje e qartë e vullnetit edhe nga shoqatat që nuk kanë nevojë për imunitet. Të gjithë duhet ta thonë këtë.
Gazetari: Duket se ka në një kontraditë mes asaj se del politika dhe thotë nuk ka nevojë për imuniteti dhe ka një pushtet tjetër që kërkon ekstra imunitet.
Presidenti Topi: Unë mendoj që gjërat duhet të jenë kompatibël. Ajo që shprehet me fjalë, ajo duhet të realizohet me ligj.
Gazetari: Pra për rastin e politikës?
Presidenti Topi: Për gjithçka, për të gjithë sistemin. Edhe për juristët, edhe për prokurorët për cilindo. Ky është një vend i vogël. Ka nevojë për transparencë, për thjeshtësi në procedura. Nuk ka nevojë për pengesa. Ne nuk kemi nevojë për pengesa artificiale për një proces i cili duhet të jetë ligjor dhe duhet të jetë transparent.
Gazetari: Ka një shqetësim real zoti President, në lidhje me gjyqtarët, në këtë linjë që po flasim nga ana e policisë, sepse sipas procedurës edhe nëse një gjyqtar do të vendoset në përgjim për arsye madhore hetimi ku ndoshta shërbimet e ndryshme të inteligjencës, apo të luftës kundër krimit mund të arrijnë në përfundimin që njëri nga gjyqtarët, apo nga prokurorët mund të jetë bashkëpunëtor, gjë që ka ndodhur dhe në vende më të zhvilluara se ne, por …
Presidenti Topi: Në ç’sens bashkëpunëtor?
Gazetari: Nuk ka rëndësi. Në një mënyrë, ose në një tjetër ka favorizuar për x, apo y arsye dhe lind nevoja që ai të vendoset në përgjim. Por kërkesa për vendosjen në përgjim të një aktori të tillë kalon nga gjykata, gjë që kolegu gjyqtar nuk e firmos për kolegun tjetër gjyqtar, ose del sekreti.
Presidenti Topi: Fakti është që kemi rastin në të kundërtën e asaj që thoni ju. Ka edhe kështu, edhe ashtu. Pra, të mos i absolutizojmë gjërat në asnjërën linjë.
Gazetari: Jo, jo! Ishte një shqetësim për gjyqësorin.
Presidenti Topi: E rëndësishme është që kur them të kemi transparencë, duhet të kemi transparencë duhet të fillojë pikërisht tek çështja e imunitetit. Kur themi heqja e imunitetit e ritheksoj; dëgjojmë gjithnjë ligjërata për çështjen e imunitetit, vërtet shprehet verbalisht, por duhet të sanksionohet ligjërisht. Është shumë e rëndësishme. Secili mund thotë për personin e tij që e konsideroj pa imunitet. Është shumë e rëndësishme që të gjitha gjërat të sanksionohen me ligj. Sa i përket çështjes së pozicioneve subjektive për ndjekjen e veprimtarive të gjyqtarëve, nuk mund të them që nuk ka doza subjektivizmi, apo doza solidariteti. Nuk do të ishte e drejtë ta thoja këtë, por unë kam informacion që ka edhe raste kur ato kanë kaluar në Prokurori, kanë kaluar në ndjekje edhe të interceptimit të veprimtarisë së tyre mbi bazën e ligjit. Pra, ka edhe raste të tilla, sikurse thashë, edhe raste të atilla. Të themi që nuk ka solidaritet në procedura të caktuara do të themi një gënjeshtër të madhe. Por të themi që ka edhe veprime konkrete në sensin e zbatimit të ligjeve natyrisht që ka dhe shohim raste konkrete.
Gazetari: Zoti President, në progres-raportin e Bashkimit Evropian për Shqipërinë ishte dhe një shprehje ku për herë të parë përdorej se për herë të parë po përdorej kultura e mosndëshkimit. Kjo është e rëndë faktikisht. Si zgjidhet?
Presidenti Topi: Zgjidhet pikërisht me atë që thashë. Dy elementë që janë shumë të rëndësishëm: elementi parë është që ta ndjesh veten realisht të pavarur nga të gjitha llojet e dipendencës, të varësisë, por kjo arrihet mbi bazën e një integriteti. Ka mjaft gjyqtarë dhe prokurorë që janë me integritet. Nuk duhet t’i fusim të gjithë në një standard, sikur të gjithë i bëjnë bisht ligjit, apo janë të intimiduar nga ndërhyrjet, sepse do të jepnim një imazh shumë të keq për sistemin e drejtësisë. Pra, sikurse ndodh në standardet e nxënësve të një klase, ndodh edhe në sistem. Pra, ka që janë shumë të mirë, janë ekselentë, ka dhe që janë shumë të dobët. Kështu është çështja se si të përmirësojmë kualitetin dhe kualiteti realizohet nëpërmjet skanerit që duhet të bëjë çdo institucion, Këshilli i Prokurorisë, nga njëra anë, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, Gjykata e Lartë, pra janë disa hallka që kalojnë patjetër të gjithë ato që marrin një ndëshkim mbi bazën e ligjit. Pra, jo ndëshkime të karakterit politik, apo subjektiv, por ato që kanë baza reale për të ngritur një proces ndaj gjyqtarëve. Nuk është e lehtë të nisësh një proces ndaj një njeriu të ligjit, sepse duhet të kesh fakte konkrete, sepse përveç konkurencës që ka ndërmjet njerëzve të drejtësisë, gjithmonë ka dhe një lloj solidariteti po ta shikosh.
Gazetari: Ashtu si në media.
Presidenti Topi: Si kudo. Do ta shikojmë me nota realiste, apo do i kamuflojmë gjërat?!
Gazetari: Ashtu shpresojmë.
Presidenti Topi: Do të flasim haptazi. Gjithnjë ka simptoma të solidaritetit edhe atëherë kur ai nuk duhet të ekzistojë. i shohim dhe nga diskutimet. E rëndësishme është të mos nisësh procedimin pa baza. Do të ishte shumë e rëndë, nuk do të ishte e drejtë. Do të ishte një persekutim i të drejtave dhe lirive të njeriut, por nga ana tjetër aty ku ka baza reale, kjo punë duhet të shkojë deri në fund dhe pastaj të mos vemë në provë që ky institucion e ndëshkoi, pra ky institucion është ndëshkues, ndërsa institucioni tjetër e toleroi. Pra, sikurse duhet të ketë solidaritet të natyrshëm, të mos dënojmë njeri kot, duhet të ketë dhe një lloj solidariteti midis insitucioneve për të respektuar dhe vendimmarrjen e kolegëve; pastaj gjërat janë mbi baza reale. Kjo është mënyra e funksionimit të institucioneve që duhet të funksionojnë të gjitha në bllok, për të mos kaluar pastaj në ato raporte ku përcaktohen si pozicionime, apo si sindroma të mosndëshkimit.
Gazetari:Zoti President, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, në krye të të cilit ju jeni, edhe si President i Republikës, ka dy anëtarë më pak prej një periudhe relativisht të gjatë për funksionimin normal të tij, dhe dy të tjerë me mandat të skaduar, për shkak se u ka përfunduar diku nga janari, në mos gaboj. A është normale dhe a e pengon kjo mirëfunksionimin e këtij institucioni?
Presidenti Topi: Natyrisht që normale nuk është, sepse gjithmonë kërkohet funksionim sipas standardeve të kërkuara nga ligji, por nga ana tjetër, ligji parashikon që pavarësisht nga problemet që krijohen për plotësimin e vendeve, sikurse ndodh edhe në institucione të tjera – kemi rastin e një anëtari të Gjykatës Kushtetuese për shembull, i cili ka vazhduar një vit në funksionin e tij më shumë, sepse ia lejonte ligji, derisa u plotësua – pra e njëjta gjë thuhet edhe për anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Kjo nuk duhet të presupozojë në mënyrë absolute që të abuzohet në këtë linjë. Fakti që ia njeh ligji që ata të mos ndërrohen, por natyrisht duhet të bëhet sipas atyre standardeve, që i njeh po ligji,
Gazetari:Që do të thotë…
Presidenti Topi: Pra siç e parashikon ligji. Ka një ligj. Sikurse e thashë, tre anëtarë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë emërohen në Paralament, me një votim të thjeshtë, me propozimet që vijnë nga grupet paralamentare, ku në traditën e parlamentit, gjithmonë ka një lloj marrëveshjeje për të bërë alternimin e propozimeve, në mënyrë që Këshilli i Lartë i Drejtësisë të mos marrë një fizionomi të projektimeve politike. Së paku në përvojën time parlamentare, kjo ka ndodhur.
Gazetari:Duhet pritur miratimi i ligjit të ri apo duhet pritur Konferenca Gjyqësore?
Presidenti Topi: Pikërisht!
gazetari:Sepse miratimi i ligjit të ri do një mazhorancë të cilësuar votash. Do pra, praninë e domosdoshme te opozitës në Kuvend.
Presidenti Topi: Sigurisht! Unë, me këtë cilësi që kam si President, nuk do të doja të isha interferues, sepse kam dëgjuar ditët e fundit zëra të ndryshëm, të cilët janë prononcuar jo në mënyrë të sintonizuar. Nuk dëshiroj që në këtë moment, të marr në mënyrë të qartë anën e një prononcimi apo një tjetri, sepse për mua të gjithë aktorët janë të rëndësishëm. Roli i Presidentit është i specifikuar me Kushtetutë. Presidenti duhet të jetë shumë rigoroz në parimet kushtetuese. Pra mjafton kjo për të bërë edhe analizën e të gjitha gjërave.
Gazetari:Dakord. Zëvendësi juaj në Këshillin e Lartë të Drejtësisë ka deklaruar se ky Këshill mund të vazhdojë punën normalisht.
Presidenti Topi: I është referuar ligjit pra, ajo që thashë pak më përpara.
Gazetari:Pra jeni dakord me zotin Spahiu apo jo?
Presidenti Topi: Edhe njëherë, mos u futni aty ku unë bërë profilaksinë! Thashë që unë jam në një cilësi që nuk mund të jem supervizor apo mbikëqyrës i çdo deklarate. Ka një moment që është dominant në punën e Presidentit, aty ku nuk të fal askush. Është Kushtetuta, janë ligjet dhe Presidenti jo vetëm që nuk punon në terrene ekstraligjore, por patjetër bën thirrjet e duhura që të gjithë të respektojnë normat e shtetit ligjor. Pra këto janë parime shumë të forta, kategorike.
Edhe njëherë, nuk dëshiroj të futem në prononcime, sepse për mua janë të gjithë në të drejtën e tyre për t’u prononcuar. Aq më shumë që ka njerëz, të cilët janë brenda linjës së sistemit të drejtësisë. Kanë të drejtën të shprehen, të prononcohen, të organizohen në konsulta, por Presidenti, besoj se është minimalisht e mjaftueshme për të thënë që u qëndroj në mënyrë shumë rigoroze parimeve kushtetuese. Dhe në rastin konkret ju mund të kërkoni shpjegime për ta nxjerrë pozicionin më qartë. Mos i kërkoni thjesht nga Presidenti! Ka Gjykatë Kushtetuese. Ka ligj, por në sensin e përgjithshëm do të thoja që secili duhet të ketë përgjegjësitë e veta për të mos lënë boshllëqe nëpër institucione.
Gazetari:Një pyetje më konkrete. Ka zëra që thonë se zoti Kreshnik Spahiu ka shprehur opinionin tuaj, por është deklaruar që…
Presidenti Topi:Mos u merrni me zëra! Mos u merrni me zëra kur keni personin!
Gazetari:Pikërisht pra! Nisur nga këto zëra, doja t’jua bëja pyetjen më të drejpërdrejtë. Ju jeni dakord me deklarimin e zotit Spahiu?
Presidenti Topi: Edhe njëherë. Më duket se po flas në mënyrë shumë të qartë. Unë nuk kam referenca individuale. Kam vetëm një referencë. Kjo referencë është Kushtetuta. Janë ligjet e këtij shtetit. Ndryshe nuk do të kishte asnjë lloj kuptimi që Presidenti të qëndronte në atë tryezë. Pra, referohuni Kushtetuës! Referohuni ligjit! Referohuni Gjykatës Kushtetuese! Aty do të gjeni të gjitha parimet, mbi të cilat qëndron i gjithë aktiviteti i Presidentit.
Gazetari:Dakord. Më datën 5 dhjetor do të mblidhet, siç është paralajmëruar konferenca kombëtare e gjyqtarëve dhe nëse aty, duke patur parasysh edhe qëndrimin e kryetares së kësaj konference, e cila është edhe kryetare e Gjykatës së Lartë, mund të zgjidhen katër anëtarë të rinj të Këshillit të Lartë të Drejtësisë nga konferenca. Në mbledhjen e parë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, që do të zhvillohet pas saj, ju do t’i pranoni këta katër anëtarë?
Presidenti Topi: Nuk duhet të shtrojmë pyetje paragjykuese! Së pari unë kam bindjen që çdo aktor institucional, në mënyrë të veçantë aktorët e sistemit të drejtësisë, natyrisht që e njohin ligjin ashtu sikurse e njoh edhe unë, ndoshta edhe më mirë se unë, sepse është natyra e punës së tyre. Kështu që unë them që sot nuk kemi pse të paragjykojmë se çdo të ndodhë. Mund të jetë një takim konsultues. Mund të ketë referenca kontestuese mbi bazën e referencave ligjore që mund të ketë një grup i caktuar. Ndoshta, ndoshta mund të parashikojmë, gjithmonë me sensin e hamendësimit. Mund të ketë apelime në Gjykatën Kushtetuese. Pra, e rëndësishme është që shteti ligjor, ajo që ne dëshirojmë të ndërtojmë të gjithë funksionon në mënyrë shumë rigoroze mbi bazën e Kushtetutës dhe mbi bazën e ligjit. Dhe askush nuk do të dëshironte, jo për rastin konkret, por në përgjithësi, që të punonte në terrene ekstraligjore. Unë në këtë moment, në mënyrë absolute, nuk kam klimë paragjykuese për askënd. Besoj tek të gjithë aktorët për nevojën e sistemimit sa më shprejt të jetë e mundur të këtyre boshllëqeve, që gjithsesi, sikurse thashë që e parashikon edhe ligji, për momentin vërtet që duhen të zëvendësohen, por nuk kemi hendikape, sepse u jepet mundësia atyre që janë ende të pazëvendësuar, të vazhdojnë veprimtarinë e tyre. Por është rast specifik për dy të tjerë. Njëri është pjesë e Parlamentit sot.
Gazetari:Po, sepse është bërë deputetet i Partisë Socialiste…
Presidenti Topi: Një tjetër ka kaluar në Gjykatën Kushtetuese. Pra janë dy pozicione. Unë inkurajoj. I inkurajoj gjithmonë konsultat, dialogun institucional dhe zgjidhjen e një procesi, i cili të mos ketë nevojë të kontestohet ligjërisht. Pra kemi piketa shumë të forta që duhen t’u referohen në radhë të parë njerëzit e drejtësisë.
Gazetari:Po, por ndryshe nga ky mendim i juaji, Partia Demokratike dhe mazhoranca në përgjithësi është shprehur se Konferenca mund të mblidhet dhe mund të emërojë anëtarë të rinj, por edhe Partia Socialiste dhe opozita, nuk është se janë shprehur kundër kësaj.
Presidenti Topi: Tani, të kemi respekt! Ju sot jeni në bisedë me Presidentin. Mendoni se do të kishte ndonjë President që do të thonte se po punon jashtë parimeve kushtetuese, jashtë Kushtetutës?! Këtu duhet të fillojë dhe të përfundojë pozicioni i Presidentit. Jashtë kësaj, çdo President, natyrisht duhet të gjykohet për keq! Ju e dini se sa delikat është pozicioni i Presidentit, jo në kontekstin për të cilin ne po diskutojmë, por në çdo lloj konteksti. Dora e fundit përsa u përket ekuilibrave sigurisht që është ky Institucion, por ka edhe një institucion tjetër që merr në konsideratë ose rrëzon vendimmarrjen e Presidentit dhe kjo është Gjykata Kushtetuese. Dhe gjithmonë ne jemi të prirur të zbatojmë, edhe kur bëhet fjalë për vendimmarrjen tonë, vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Së paku nuk do të kisha kurajon të bëja të kundërtën.
Gazetari:Dakord zoti President, por nuk është se mungon vetëm ligji për funksionimin e KLD-së, mungon edhe një ligj për funksionimin e Presidencës. Pse nuk bëhet?
Presidenti Topi: Sigurisht! Kush duhet ta bëjë?
Gazetari:Sigurisht që Parlamenti!
Presidenti:Po sigurisht, sigurisht! Mungon ligji për veprimtarinë e Presidentit, sepse institucionet e tjera kanë karakter kolegjial. Këshilli i Ministrave ka karakter kolegjial. Parlamenti ka karakter kolegjial, sepse vendimmarrjet janë mbi bazat, minimalisht të realizimit të kuorumit, ose vetëm kur janë votime të cilësuara që kanë një numër tjetër. Ndërsa veprimtaria e Presidentit konsiderohet jo e Presidencës, por e Presidentit. Mungon ky ligj. Normalisht duhet të jetë në vullnetin e forcave politike për ta parë, sepse është një institucion dhe veprimtari e Presidentit nuk është se nuk rregullohet. Ajo rregullohet me Kushtetutë, me disa ligje që konsiderohen ligje organike edhe në funksion të veprimtarisë së institucioneve të tjera, por do të ishte shumë më e preferueshme që Institucioni i Presidentit, për të marrë seriozitetin e plotë që nuk është thjesht funksional, por është edhe protokollar, sepse protokolli është pjesë…
Gazetari:Është plotësisht protokollar…
Presidenti Topi:Jo plotësisht! Jo plotësisht! Jo thellësisht! Unë them që është funksional…
Gazetari:Ka zëra në mazhorancë që thonë se…
Presidenti Topi:Pikërisht pra! Unë nuk dëshiroj që të vini këtu dhe të bëheni interpret i zërave, që nuk kanë baza! Por unë jam në mënyrë shumë serioze i bindur që Institucioni i Presidentit, sikurse çdo institucion tjetër, ka nevojë edhe për fizionominë protokollare, sepse është fizionomia e shtetit. Por ka nevojë patjetër që të ketë me ligj një rregullim për statusin e ish-presidentit. Është shumë e rëndësishme.
Gazetari:Pse nuk bëhet kjo, zoti President? Ka njëmbëdhjetë vjet që është diskutuar.
Presidenti Topi: Natyrisht pra! Gjithmonë e kemi nisur këtë bisedë me çështje të vullnetit politik dhe po shkojmë në fund të bisedës dhe dalim prapë te vullneti politik.
Gazetari:Mungon vullneti politik që Presidenca të funksionojë mbi bazën e një ligji?
Presidenti Topi:Po unë nuk arrij të kuptoj pse nuk bëhet!
Gazetari:Pra ju po thoni që nuk ekziston ky vullnet?
Presidenti Topi:Këto nuk janë çështje të karakterit personal.
Gazetari:Sigurisht që jo!
Presidenti Topi: Të jeni të sigurtë që nuk mendoj për vete, por…
Gazetari:Sigurisht që jo! Presidenca nuk është vetëm një njeri…
Presidenti Topi:Por duhet të marrim në konsideratë të gjitha përvojat e vendeve perëndimore! Në rast se keni qenë president i shtetit, patjetër që ky titull shoqëron edhe vitet ku s’jeni president. Nuk mjafton që ta certifikojmë duke thënë që ju takon kjo dhe ju takon ajo. Jo! Është çështje e figurës. Çështja e rëndësisë së figurës nuk mbyllet në ditën kalendarike kur ju ikni nga kjo zyrë. Jo! Duhet të ketë