E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi përuron ekspozitën fotografike ‘’Shqipëria: para dhe pas’’ në Qendrën Ndërkulturore të Torinos

26 nëntor 2011
Torino, Itali

Gjatë ditë së dytë të qëndrimit në Torino, Kryetari i Shtetit u takua dhe u përshëndet përzemërsisht edhe me Ministrin e ri të Arsimit të qeverisë italiane, Françesko Profumo, me Senatoren Ana Maria Serafini, me Rektorin e Universitetit Politeknik të Torinos, Ecio Peliceti dhe me të tjerë personalitete të botës politike, financiare dhe akademike. Interes të veçantë në këtë ditë të vizitës së Presidentit Topi në Torino, përbënte dhe pjesëmarrja e tij në përurimin e ekspozitës fotografike “Shqipëria: para dhe pas – vendi i tyre i parë nën këndvështrimin e të rinjve shqiptarë”, që është organizuar nga Bashkia e Torinos dhe Qendra e Kulturorës Shqiptare në Qendrën Ndërkulturore të qytetit. Në përurimin e kësaj ekspozite, ku ishin të pranishëm Drejtuesi bashkiak për Kulturën, Promovimin dhe Turizmin, Mauricio Braçialarge, Drejtori i Përgjithshëm për BE-në, Mario Bova, drejtues vendorë dhe personalitete të artit e kulturës si dhe mjaft bashkatdhetarë, u ekspozuan foto që i përkisnin periudhës para ndryshimeve demokratike dhe pas tyre, të realizuara nga studentë shqiptarë që ndjekin universitete të ndryshme të Italisë. Në këto fotografi binte në sy kultura estetike, përzgjedhja realiste për të përshkruar dy sisteme të ndryshme, para dhe pas vitit të madh të ndryshimeve ku fotoja që ndante të dyja epokat ishte e shkrepur në Qytetin Studenti në dhjetor 1990 dhe atdhedashuria përmes së cilës ishte konceptuar kjo foto-ekspozitë. Në përfundim, të pranishmit ndoqën një homazh muzikor e letrar për nder të poetit të madh shqiptar, Migjenit, i cili u shua pikërisht në Torino.

Duke i përgëzuar organizuesit për këtë veprimtari ‘’të thjeshtë, por shumë domethënëse,’’ Presidenti Topi theksoi: ‘’kjo foto-ekpozitë na kujton se si ishim, por na shërben edhe për të rikujtuar mikpritjen që ju keni gjetur këtu. Prandaj si qytetar, si politikan, si President i Republikës, mendoj se është e rëndësishme të kujtojmë se si u hapën zemrat e italianëve duke ju krijuar ju mundësi që të ndërtoni jetën dhe të ardhmen. Brezi i ri, sidomos duhet të jetë i ndërgjegjshëm për sakrificat e prindërve, por edhe për perspektivën që do të zgjedhë qoftë duke jetuar, studiuar e punuar në Itali në të ardhmen, qoftë duke u kthyer në Shqipëri, por një gjë është e qartë: të gjithë do të jemi pjesëtarë në familjen e madhe evropiane.’’

Duke ia kujtuar pjesëmarrësve të shumtë në këtë përurim se jemi në prag të një dite shumë të rëndësishme për historinë e Shqipërisë, Kryetari Shtetit shqiptar i uroi të gjithëve Festën e Flamurit dhe Ditën e Pavarësisë, të cilën do ta festojë sonte në mbrëmje së bashku me bashkatdhetarët e shumtë të Rajonit të Piemontes dhe kryesisht të qytetit të Torinos.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›