E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi pret Delegacionin parlamentar të Dhomës së Ulët të Parlamentit polak, të kryesuar nga Kryetari i tij, Bronislav Komorovski.

26 mars 2009

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, priti në ambientet e Pallatit të Brigadave, Kryetarin e Dhomës së Ulët të Parlamentit të Polonisë (SEJM), Bronislav Komorovski dhe delegacionin që e shoqëron, në kuadër të një vizite zyrtare në vendin tonë.

Pasi u uroi mirëseardhjen, Presidenti Topi shprehu kënaqësinë për takimin dhe vlerësoi nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve në të gjitha nivelet me Poloninë, si dhe shprehu vullnetin për intensifikimin e mëtejshëm të tyre duke vlerësuar ndihmën dhe mbështetjen e vazhdueshme të Polonisë dhënë vendit tonë në përmbushjen e aspiratave të tij integruese.

Presidenti Topi shprehu gjithashtu kënaqësinë për zhvillimin pozitiv të marrëdhënieve të gjithanshme dhe bashkëpunimin ndërparlamentar midis dy vendeve tona dhe besimin për inkurajimin e zgjerimit të tyre në të ardhmen, sidomos nëpërmjet shkëmbimit të vizitave të tilla të ndërsjellta.

Me këtë rast, Kreu i shtetit, duke vlerësuar angazhimin serioz të Polonisë në kuadrin e integrimit të Shqipërisë në BE, u shpreh se Shqipëria është e vendosur të vazhdojë reformat e domosdoshme për të përmbushur kërkesat për integrimin e plotë në familjen e madhe evropiane dhe nënvizoi se zgjedhjet parlamentare të qershorit do të jenë test i rëndësishëm për ecurinë e demokracisë në Shqipëri.

Presidenti Topi vuri në dukje se Polonia vazhdon të jetë partner i rëndësishëm e tradicional në bashkëpunimin ekonomik dhe theksoi se Shqipëria i ka të gjitha kushtet dhe kuadrin e nevojshëm ligjor për të tërhequr më tepër investitorë polakë duke synuar rritjen dhe zgjerimin e shkëmbimeve tregtare dhe bashkëpunimit më të madh ekonomik në fusha si energjitika, infrastruktura, bujqësia, blegtoria, etj.

Kryetari i shtetit vuri në pah mbështetjen e Polonisë në anëtarësimin tashmë në prill të Shqipërisë në NATO dhe bashkëpunimin e frytshëm në misionet e përbashkëta paqeruajtëse në Irak dhe Afganistan.

Presidenti Topi falënderoi Poloninë për mbështetjen e saj për pavarësinë e Kosovës dhe njohjen zyrtare të saj, gjë që tregon dhe një herë për angazhimin e Polonisë në paqen dhe stabilitetin e rajonit të Ballkanit ku Shqipëria ka luajtur dhe vazhdon të luajë rolin e saj të rëndësishëm moderues.

Nga ana e tij, Kryetari i Dhomës së Ulët të Parlamentit polak (SEJM), Bronislav Komorovski, pasi shprehu mirënjohjen për pritjen e rezervuar nga ana e Kreut të shtetit, vuri në pah marrëdhëniet shumë të mira dypalëshe duke theksuar se edhe zgjerimi i mëtejshëm i dialogut dhe bashkëpunimit në të gjitha nivelet do të jetë akoma edhe më intensiv në të ardhmen.

Z. Komorovski vlerësoi përparimet dhe arritjet e vendit tonë, si përsa i përket zhvillimit ekonomik, kurorëzimit me sukses të anëtarësimit me të drejta të plota në Aleancën e Atlantikut të Veriut dhe përmbushjes së standardeve demokratike, duke shprehur njëkohësisht përkrahjen dhe mbështetjen për përpjekjet integruese të Shqipërisë në familjen evropiane – një perspektivë e qartë kjo që është në interes edhe të vetë Evropës.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›