E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Topi pret Kryeministrin e Turqisë, Rexhep Tajip Erdoan.

25 qershor 2009

Në Pallatin e Brigadave, Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, priti në një atmosferë të ngrohtë e miqësore Kryeministrin e Turqisë, Rexhep Tajip Erdoan dhe delegacionin që e shoqëron gjatë vizitës zyrtare në vendin tonë.

Presidenti Topi shprehu kënaqësinë e veçantë të këtij takimi dhe vlerësoi nivelin e shkëlqyer të dialogut politik midis dy vendeve tona, që reflektohet, ndër të tjera, në intensitetin e vizitave reciproke të nivelit të lartë. “Turqia është një vend mik i ngushtë i Shqipërisë dhe i shqiptarëve, e tashmë do të jetë një partner strategjik i saj në rajon e më gjerë. Ndaj dhe forcimi e zgjerimi në vazhdimësi i marrëdhënieve me Turqinë, për të cilat ne krenohemi, përbën prioritet të rëndësishëm të politikës së jashtme të Shqipërisë” – theksoi Presidenti Topi.

Presidenti Topi shprehu mirënjohje për përkrahjen dhe ndihmën e madhe që Turqia i ka dhënë Shqipërisë gjatë gjithë procesit drejt anëtarësimit të plotë në NATO dhe theksoi se kontributi i Turqisë për realizimin e këtij objektivi strategjik kombëtar për Shqipërinë, ka qenë jo vetëm politik, por edhe në drejtim të reformimit e modernizimit të Forcave tona të Armatosura.

Kreu i shtetit shqiptar, vuri në në dukje se Turqia mbetet një partner i rëndësishëm ekonomik e tregtar për Shqipërinë, gjë që e tregon bashkëpunimi ekonomik dhe shkëmbimet tregtare midis dy vendeve tona, të cilat kanë njohur rritje të dukshme gjatë viteve të fundit. Në këtë kuadër, Presidenti Topi nënvizoi angazhimin për zgjerimin e mëtejshëm të tyre në fushën energjetike, nëpërmjet rritjes së prezencës së kompanive turke në tregun shqiptar, si dhe në fusha të tjera me interes reciprok.

Për sa i përket turizmit, Presidenti Topi nënvizoi se Turqia vazhdon të mbetet një nga vendet e preferuara të shqiptarëve për pushime, në sajë edhe të lehtësive për marrjen e vizës. “Nxitja e investitorëve turq dhe shkëmbimi i përvojës turke, mbetet një drejtim i rëndësishëm në bashkëpunimin tonë”- u shpreh më tej në takim Presidenti Topi.

Duke u ndalur në çështje të rajonit, Presidenti Topi theksoi Turqia ka lujatur e po luan rol të rëndësishëm dhe se ka mbështetur në vazhdimësi paqen dhe stabilitetin në Ballkan, si dhe ka dhënë kontributin e saj të rëndësishëm për zgjidhjen e të gjitha problemeve dhe konflikteve në rajon. Në këtë kuadër, Kreu i shtetit shqiptar vlerësoi qëndrimin e vendosur dhe të qartë të shtetit turk ndaj pavarësisë së Kosovës, si dhe mbështetjen dhe ndihmën e Turqisë ndaj Republikës së saj të re.

Nga ana e tij Kryeministri turk, Rexhep Tajip Erdoan, pasi falenderoi Presidentin Topi për mikpritjen e ngrohtë, shprehu kënaqësinë që gjendet në një vend mik dhe vëlla dhe nënvizoi mbështetjen e plotë të Turqisë në të gjitha fushat me synim integrimin e përbashkët në gjirin e familjes së madhe evropiane.

Në kuadër të bashkëpunimit të ngushtë dypalësh, Kryeministri turk, Erdoan, duke vlerësuar punën e kryer për realizimin e veprës së madhe politike, strategjike dhe ekonomike për Shqipërinë, Rrugën Durrës-Kukës, për të cilën u shpreh se ndjehet i nderuar që mori pjesë në përurimin e saj, theksoi se kjo rrugë prej 64 kilometrash do të ketë efekte të rëndësishme për rritjen e shkëmbimeve ekonomike e tregtare, jo vetëm për Shqipërinë dhe Kosovën, por edhe për mbarë rajonin.

Kryeministri Erdoan vlerësoi gjithashtu në takim, marrëdhëniet e gjithanshme mes dy vendeve tona duke nënvizuar me kënaqësi rritjen e përshpejtuar të investimeve dhe pranisë së investitorëve seriozë turq në sektorë të ndryshëm e të rëndësishëm për të dy vendet tona dhe shprehu dëshirën për t’u takuar me Presidentin Topi së shpejti në Turqi.

Kryetari i shtetit i përcolli Kryeministrit turk pëshëndetjet më të përzemërta për Presidentin Gyl, si dhe dëshirën për të shkëmbyer vizita të nivelit të lartë në dobi të zhvillimit të mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›