E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi pret Kryetaren e Gjykatës Kushtetuese të Kroacisë, Jasna Omejeç.

2 tetor 2009

Presidenti i Republikës, Bamir Topi priti sot Kryetaren e Gjykatës Kushtetuese të Kroacisë, Jasna Omejeç dhe delegacionin që e shoqëronte. Në këtë takim ishte i pranishëm dhe Kryetari i Gjykatës sonë Kushtetuese, z. Vladimir Kristo.

Duke i uruar mirëseardhjen në vendin tonë, Presidenti i Republikës vuri në dukje se takimi përbën një kënaqësi të dyfishtë për faktin se ai zhvillohet me një delegacion të nderuar të një vendi dhe populli mik me Shqipërinë e shqiptarët, por njëherësh është një rast për të shkëmbyer mendime e përvoja lidhur me çështje me rëndësi për modelin e shtetit të së drejtës si respektimi i të drejtave të njeriut, zhvillimi i pavarur dhe profesional i drejtësisë kushtetuese, por edhe me gjerë për sistemin e drejtësisë, në përgjithësi. Më tej, bashkëbiseduesit ndanë mendimin se në mënyrë të natyrshme, institucione të tilla si Gjykatat Kushtetuese njohin dhe përballen dhe me vështirësi, jo vetëm në Shqipëri, por besoj dhe në sisteme të tjera politike, pasi e tillë është natyra e punës së Gjykatave Kushtetuese. “Për drejtësinë kushtetuese të një vendi, është shumë e rëndësishme zbatimi i vendimeve te gjykatave kushtetuese”, - nënvizoi Presidenti Topi.

Në vijim të bisedës, Presidenti Topi e njohu Kryetaren e Gjykatës Kushtetuese të Kroacisë, zj. Omejeç me ecurinë e reformës në sistemin e drejtësisë në vendin tonë. “Synimi është të reformojnë sistemin, të garantojnë forcimin e mëtejshëm të pavarësisë dhe lirisë kushtetuese të së sistemit gjyqësor”, - theksoi Kryetari i Shtetit dhe shtoi se “është e rëndësishme harmonia dhe stabilizimi i institucioneve të shtetit dhe shteti, nga ana e tij, duhet të sigurojë garanci për interesat e qytetarëve”.

Nga ana e saj, Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Kroacisë, Jasna Omejeç falenderoi Presidentin Topi për pritjen dhe për ekspozenë e përgjithshme të bërë për zhvillimet në vend. Ajo shprehu kënaqësinë që mes Kroacisë dhe Shqipërisë bashkëpunimi duket mjaft i frytshëm edhe në fushën e gjykimit kushtetues, duke shprehur besimin se ai do të jetë i hapur dhe do të vijojë me të njëjtin dinamizëm dhe rezultat dhe në të ardhmen. “Besoj tek bashkëpunimi me gjykatata evropiane dhe me organizmat e tjera të Këshillit të Evropës dhe të Komisionit Evropian, Gjykatën e të Drejtave të njeriut se ato na tregojnë standadet evropiane që janë shumë me vlerë dhe që provojnë nëse ne jemi të aftë që t’i pranojmë dhe t’i vëmë në jetë”, - u shpreh zj. Omejeç.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›