E Diel, 1 Nëntor 2026

Konferencë për shtyp e zv/kryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme z. Ilir Meta

Sot, Ministria e Punëve të Jashtme dorëzon raportin e dytë për plotësimin e detyrimeve të kërkuara nga udhërrëfyesi i Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave.

Raporti u miratua dje në mbledhjen e radhës së Komitetit Ndërministror për Liberalizimin e Vizave, dhe përfshin një skanim tërësor të shkallës së përmbushjes së detyrimeve për të katër blloqet e këtij udhërrëfyesi: siguria e dokumenteve, kufijtë, azili, migracioni, siguria dhe rendi publik si dhe marrëdhëniet me jashtë dhe të drejtat themelore të njeriut.

Përgatitja e këtij dokumenti, është bërë me përgjegjësinë më të lartë, jo vetëm në evidentimin e arritjeve të 6 muajve të fundit, por edhe në angazhimin për përmbushjen brenda afateve të përcaktuara të gjithë listës së detyrimeve të kërkuara nga udhërrëfyesi i Komisionit Evropian.

Do të ishte në interes të vendit që në këtë proces të rëndësishëm të përfshihej edhe opozita, kontributi i së cilës nuk duhet të mungojë dhe do të jetë i vlerësuar në përmbushjen e detyrimeve të kërkuara nga partnerët tanë ndërkombëtarë.

Edhe dje, qeveria shprehu vendosmërinë e saj për të realizuar në një kohë sa më të shpejtë të gjitha detyrimet e kërkuara që do të bëjnë të mundur që qytetarët tanë të fitojnë një aspiratë shumë të rëndësishme, atë të liberalizimit të vizave me BE. 

Pyetje nga gazetarët;

Pyetje: Cilat janë detyrimet që i mbeten ende për të përmbushur palës shqiptare në drejtim të liberalizimit të vizave, duke pasur parasysh që dje në Komision është thënë se nuk është vetëm çështja e sigurisë së dokumentave kriteri që pala shqiptare ka përmbushur dhe e dyta, ju thatë për rolin e opozitës, ndërkohë që opozita ka paralajmëruar që në datë 10 tetor do të jetë në protestë në shesh.

MPJ Meta: Do dalë në shesh kundër liberalizimit të vizave? Nuk e besoj. Të gjitha realizimet dhe arritjet e këtyre 6 muajve, kanë të bëjnë me katër blloqet e këtij udhërrëfyesi që unë i përmenda edhe më parë. Ndërkohë që Komiteti Ndërministror dje ka vendosur afate të qarta përshpejtuese edhe për të gjitha ato aspekte të cilat do të vijojnë të përmbushen ditët, javët dhe muajt e ardhshëm. Ne jemi tërësisht të bindur që qeveria do t’i plotësojë të gjitha detyrimet e kërkuara, ashtu sikurse jam i bindur që ky objektiv madhor i kësaj qeverie do të realizohet në kohën e premtuar.

Pyetje: Z. Meta! Ndërkohë që ne presim përgjigje për liberalizimin e vizave, ndërkohë që ministrat e BE do të shqyrtojnë kërkesën tonë për vend kandidat, opozita do të dalë në protestë në rrugë. A ndikon kjo protestë në çështjet e integrimit të Shqipërisë?

MPJ Meta: Shqipëria është një vend demokratik dhe opozita padyshim që është e lirë të bëjë dhe protesta demokratike, pasi në vendet demokratike këto gjëra ndodhin. Të bësh një protestë kundër liberalizimit të vizave, të bësh një protestë kundër integrimit evropian, unë këtë nuk arrij dot ta kuptoj. Ndërkohë që qeveria ka shprehur vullnetin maksimal për të përmirësuar më tej standardet e zgjedhjeve të cilat u vlerësuan me shumë objektivitet nga faktorët ndërkombëtarë dhe natyrisht, ne jemi të vendosur për të arritur standardet më të larta të vendeve më të zhvilluara të BE. Dhe në këtë drejtim, ju e dini shumë mirë, edhe kryeministri Berisha edhe mazhoranca në tërësi, kanë qenë të hapur dhe e kanë ftuar lidershipin e Partisë Socialiste të marrë rol drejtues në përmirësimin e mëtejshëm për reformën zgjedhore dhe të kodit zgjedhor. Kjo është një zgjedhje e opozitës që unë tani po e marr vesh si lajm, por është tërësisht e pakuptimtë. Të jeni të sigurt se Qeveria do të bëjë detyrën e saj gjatë gjithë procesit të integrimit evropian, dhe në veçanti për të përmbushur kërkesat e udhërrëfyesit për të siguruar liberalizimin e vizave. Të jeni gjithashtu të sigurt se të gjithë ata që do të përpiqen të vonojnë apo të dëmtojnë këtë proces do të marrin ndëshkimin e qytetarit shqiptar sepse për interesa të ngushta nuk mund të cenohet imazhi i vendit.

Pyetje:  Z. Meta! Ditët e fundit, ka pasur një valë protestash të zhvilluara në Kosovë, Shqipëri dhe së fundi në Maqedoni, përsa i përket Enciklopedisë maqedonase. A a keni ndonjë qëndrim të qeverisë për këtë çështje?

MPJ Meta: Qeveria shqiptare i ka ndjekur me vëmendje dhe me shqetësim zhvillimet e fundit në Maqedoni, si dhe reagimet e polemikat që solli botimi i Enciklopedisë nga Akademia e Shkencave të këtij vendi fqinj. Ne kemi shprehur shqetësimin tonë që vepra të tilla, dokumente të tilla që janë shumë të rëndësishme, të mos i shërbejnë provokimit dhe tensioneve ndër-etnike, të mos fyejnë komunitetet apo kombet e tjera. Përkundrazi, dhe me këtë rast, ne shprehim kënaqësinë për reflektimin lidhur me rishikimin e kësaj Enciklopedie dhe do të donim që të gjithë në Maqedoni të investohen për të respektuar me tolerancë dhe me përgjegjshmëri historinë e secilit dhe të gjithë të kuptojnë se ne kemi një të ardhme të përbashkët, dhe për këtë është mënyra më e mirë që të investojmë energjitë tona dhe vizionin tonë, që  është pikërisht anëtarësimi në BE. Ndaj ne do t’i ftonim të gjithë që të forcojmë bashkëpunimin dhe të lëmë pas këto provokime dhe tensione që nuk i shërbejnë as stabilitetit të këtij vendi fqinj që është shumë i rëndësishëm edhe për stabilitetin e rajonit tonë, por as axhendës evropiane të Maqedonisë dhe gjithë rajonit tonë.   


01/10/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›