E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi pret Kryetarin e Dhomës së Deputetëve të Parlamentit italian, Xhanfranko Fini.

6 maj 2010

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi priti sot Kryetarin e Dhomës së Deputetëve të Parlamentit të Republikës së Italisë, Xhanfranko Fini dhe delegacionin që e shoqëron në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Shqipëri.

Në bashkëbisedimin mes dy personaliteteve të larta u vlerësuan niveli i shkëlqyer i marrëdhënieve mes dy vendeve dhe popujve tanë dhe miqësia tradicionale mes nesh, të cilat vlen të zhvillohen e të thellohen më tej në shërbim të interesave të ndërsjella dhe angazhimeve të përbashkëta, që ekzistojnë mes palëve në fusha të shumta e të rëndësishme të zhvillimit.

Presidenti Topi vuri në dukje faktin se Shqipëria e shikon Italinë mike e fqinje si një partner të rëndësishëm strategjik dhe mbështetëse të fortë në rrugën e saj për realizimin me sukses të aspiratës për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian. “Ne e ndjemë mbështetjen tuaj përgjatë gjithë procesit të anëtarësimit tonë në NATO”, - u shpreh Presidenti Topi dhe nënvizoi se - “tashmë shpresojmë që edhe me mbështetjen tuaj, Shqipëria do të marrë në një kohë sa më të shkurtër dhe statusin e vendit kandidat për anëtarësimin në BE”. Në këtë kontekst, Presidenti theksoi rëndësinë e bashkëpunimit parlamentar dypalësh si dhe të strukturave të tjera institucionale, sidomos tashmë kur shqiptarët po punojnë dhe shpresojnë në liberalizimin sa më të shpejtë të procesit të vizave. Presidenti nënvizoi faktin se ky do të ishte një hap i rëndësishëm jo vetëm për intensifikimin e mëtejshëm të bashkëpunimit të ndërsjellë ekonomik, kulturor, arsimor, etj. mes Shqipërisë dhe Italisë, por për ne do të ishte dhe një shtysë e fortë drejt integrimit në BE.

Gjithashtu, Presidenti Topi dhe zoti Fini ndanë të njëtën pikëpmaje duke shprehur gjatë këtij takimi dhe kënaqësinë për rolin dhe kontributin e emigracionit shqiptar në Itali që tani është një hallkë e fortë në marrëdhëniet e gjithanshme midis dy vendeve për promovimin e bashkëpunimit, duke u bërë kështu një urë lidhëse e fuqishme midis popujve tanë.

Nga ana e tij, Kryetari i Dhomës së Deputetëve të Parlamentit të Republikës së Italisë, Xhanfranko Fini e falënderoi Presidentin Topi për këtë takim dhe në përgjithësi për mikpritjen e dëshmuar nga pala shqiptare përgjatë kësaj vizite në vendin tonë duke u shprehur se: “Marrëdhëniet mes dy popujve dhe institucioneve të vendeve tona po përjetojnë një çast magjik.” Zoti Fini vuri në dukje “interesat në rritje të Italisë për të gëzuar marrëdhënie sa më të ngushta me një vend fqinj, i cili duhet të jetë krenar për atë çfarë ka arritur gjatë këtyre dy dekadave të fundit.”

Kryetari i Dhomës së Deputetëve të Parlamentit italian pasi vlerësoi rolin e rëndësishëm e moderator të Presidentit Topi në skenën politike shqiptare, e siguroi Kreun e shtetit shqiptar se “Italia është, ka qenë dhe do të mbetet një mbështetëse e flaktë e Shqipërisë në përmbushjen e aspiratës së saj për t’u integruar në Bashkimin Evropian me meritë, pasi të ketë kaluar me sukses të gjitha etapat dhe plotësuar standardet, sepse kjo do të ishte edhe në interes të vetë Evropës për ruajtjen dhe forcimin e qëndrueshmërisë në rajonin Ballkanik.”

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›