E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi takon Kryetarin e Forumit të Krans Montanës, Zhan Pol Karteron.

6 maj 2010

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi priti sot Kryetarin e Forumit të Krans Montanës, Zhan Pol Karteron, i cili shoqërohej nga Andrei Terebenin dhe zhvilloi me të një bisedë të ngrohtë e miqësore.

Në këtë takim, Presidenti Topi shprehu konsideratën e tij të lartë për veprimtarinë e zotit Karteron në krye të Forumit të cilin ai drejton, duke vënë në dukje faktin se “ne e vlerësojmë faktin që në takimet, aktivitetet, konferencat dhe samitet e rëndësishme që organizohen nga Forumi i Kran Montanës përfaqësues dhe personalitete të larta të shtetit shqiptar kanë qenë të pranishme, çfarë ka ndihmuar mjaft në përmirësimin dhe lartësimin e imazhit të vendit tonë në botë.”

Në vijim, Presidenti Topi bëri një panoramë të shkurtër të disa prej zhvillimeve në vend si dhe të nismave të ndërmarra nga shteti shqiptar në kuadër të zhvillimit të infrastrukturës dhe të projekteve konkrete ekonomike, në fushën e turizmit, energjitikës, të telekomunikocionit, etj. Kreu i Shtetit shqiptar vuri në dukje se ne jemi të hapur për bashkëpunime të frytshme me partnerë të rëndësishëm e prestigjiozë ndërkombëtarë dhe theksoi se mbi bazën e përmirësimit të klimës së biznesit në vendin tonë si dhe krijimit të kushteve të favorshme për zhvillimin dhe konsolidimin e mëtejshëm të tij, shteti shqiptar mirëpret investitorët e huaj të shtrijnë dhe të zhvillojnë veprimtaritë e tyre edhe në Shqipëri dhe të bashkëpunojnë me biznesmenët dhe kompanitë vendase.

Nga ana e tij, zoti Karteron shprehu kënaqësinë për këtë takim me Presidentin Topi, duke e falenderuar atë për të gjithë përshkrimin e klimës së përgjithshme të zhvillimit ekonomik në Shqipëri. Ndërsa zoti Terebenin pasi vlerësoi klimën lehtësuese dhe kushtet favorizuese vuri në pah interesin për mundësinë e investimeve në fushën e telekomunikacioneve dhe teknologjisë së informimit duke shprehur admirim për rritjen rezistente të ekonomisë shqiptare në krahasim edhe me krizën financiare globale, pasojat e së cilës janë përballuar me sukses nga vendi ynë.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›